Thaçi, meshë në Vatikan për Nënë Terezën
Nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, pranë Selisë së Shenjtë në Vatikan është mbajtur një meshë për Nënë Terezën, në të cilën edhe një herë është kujtuar jeta, vepra dhe shembulli që ajo ka dhënë për botën.
Njoftimi i dërguar nga Roma thekson se, në këtë meshë, përveç presidentit Thaçi, kanë marrë pjesë edhe shumë përfaqësues të korit diplomatik në Romë, përfshirë edhe përfaqësuesit diplomatikë të Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Mesha e kremtuar në kishën e Shën Gregorit u udhëhoq nga kardinali Angelo Comastri, kryeprift i Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, i cili është edhe njëri prej deponuesve të mrekullisë së Nënës Terezë, që mundëson shenjtërimin e saj.
Shenjtërimi i Nënës Terezë, sipas presidentit Thaçi, është mesazhi më i mirë që Vatikani bën për një personalitet që dashurinë dhe shpirtin e saj solidar ia ka dhuruar njerëzimit.
“Ai shpirt solidar, ai mirëkuptim i saj, ato mesazhe të dashurisë, të kujdesit ndaj të gjithëve, ndaj njerëzve me nevojë kudo në botë, tregojnë edhe shpirtin e origjinës së saj, që ka qenë i mishëruar me vlerën e saj humane, njerëzore, që i ka dërguar gjithë botës. Shenjtërimi nuk është vetëm nder për kombin shqiptar, por është nderim edhe për vlerat universale që Nënë Tereza i ka përçuar anë e kënd botës”, ka thënë presidenti Thaçi, për shenjtërimin e Nënës Terezës.
Ati i Shenjtë, Papa Françesku, muaj më parë kishte miratuar dekretin e shenjtërimit të Nënë Terezës, ceremoni kjo që do të mbahet më 4 shtator të këtij viti në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.