Vihet themeli i shtatores së Ukshin Hotit në oborrin e Universitetit të Prizrenit
Për nder të 73 vjetorit të lindjes së veprimtarit, atdhetarit dhe intelektualit, Ukshin Hoti, sot me një solemnitet, në oborrin e Universitetit Publik të Prizrenit, është vënë themeli i shtatores së Ukshin Hotit.
Figura e veprimtarit Ukshin Hoti u vlerësua lartë nga përfaqësues të institucioneve të shtetit, ku u tha se gjeneratat e reja do të edukohen në frymën e profesor Hotit.
Edhe pse ende nuk dihet për fatin e tij, i pari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se nuk do të ndalen së kërkuari për të vërtetën e fatit të Ukshin Hotit.
Në këtë solemnitet nuk munguan as familjarët e Ukshin Hotit.
Djali i Ukshin Hotit, Andin Hoti, në 73 vjetorin e lindjes së babit të tij ka uruar që në ditëlindjet tjera të kenë të ditur fatin e babit.
Të veçantë e ka cilësuar këtë ditë edhe rektori i Universitetit të Prizrenit.
Ai gjithashtu tha se gjeneratat e reja do të edukohen nga mësimdhënës që dalin prej këtij universiteti dhe do të edukohen në frymën e Ukshin Hotit, frymën e patriotizmit dhe atdhe dashurisë.
Në këtë solemnitet fjalë rasti pati edhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili i sugjeroi rektorit të tanishëm që sa herë që është në zyre të përshëndes Ukshin Hotin dhe të merr mësim se si duhet të punohet për vendin.
Kuçi ka sugjeruar edhe studentët që kur parakalojnë nga shtatorja e Ukshin Hotit, të premtojnë se do të jenë nxënës e studentë të mirë e të realizojnë filozofinë e tij. /Telegrafi/