Vullnetarët në fushatat presidenciale
Ndërsa kandidatët presidencialë mund të kenë nevojë për fonde për të bërë fushatë, vullnetarët dhe punëtorët e fushatës janë po aq të rëndësishëm për të fituar garën. Këta njerëz të cilët punojnë në prapaskenë janë ata që entuziazmojnë njerëzit që të shkojnë dhe të votojnë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Lee njofton nga Los Anxhelesi.
Nuk ka asgjë të ngjashme me një miting për të entuziazmuar votuesit por ajo që ndodh para dhe pasi një kandidat mban fjalimin është shumë e rëndësishme.
“Çdo natë qëndrojmë gjatë dhe fusim të dhëna, planifikojmë ditën e nesërme dhe ngjarjet.”
Përkrahësi i Hillary Clintonit, Tim Phan punon gati 12 orë në ditë, duke rekrutuar vullnetarë që trokasin derë më derë dhe bëjnë telefonata, në anglisht, në gjuhën koreane apo spanjolle për t’i kujtuar njerëzit të votojnë.
“Nëse i përgjigjen telefonatës, shpresojmë të na thonë po, do të votoj për Hillarin”.
Phan ndihmon gjithashtu të organizojë evenimente si ky për të frymëzuar vullnetarët.
Pak kilometra më larg, vullnetari i Bernie Sanders, Jeremy White punon për kandidatin e tij.
“Për mua, pjesa më interesante është kur takoj dikë që ka ndjeshmërinë dhe pasionin për të lënë çdo gjë dhe për të bërë gjithçka për këtë revolucion, për të dëgjuar zërin tonë dhe të atyre që nuk janë të përfaqësuar”.
Jeremy White punon në industrinë e filmit dhe ka krijuar kafenenë Bernie’s Coffee Shop.
“Zakonisht kemi rreth tre njerëz që vijnë dhe kërkojnë kafe. U themi se fatkeqësisht nuk shërbejmë kafe por ata mund të regjistrohen për t’u bërë vullnetarë”, thotë Jeremy White.
Përveç trokitjeve në derë dhe telefonatave për votuesit e mundshëm, këta përkrahës shesin gjithashtu bluza për të mbështetur përpjekjet e tyre.
Askush nga fushata e Donald Trumpit nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për të intervistuar një punonjës të fushatës. Megjithatë, Zëri i Amerikës takoi disa përkrahës në një miting të Trumpit. Ndërsa shumica janë të bardhë, ka disa imigrantë dhe fëmijët e tyre që flasim për Trumpin.
“E pra, unë mendoj se gjërat që thonë se janë fyese, janë gjëra që duhen thënë. Në fund të fundit, rëndësi ka që amerikanët të jenë të sigurtë, Amerika e fortë dhe përsëri fuqi e madhe “, thotë Vishnu Vallatharas.
“Kemi patur shumë presidentë. Ata kanë qënë yje filmash, kemi patur gjeneralë që janë bërë presidentë, njerëz që kanë qenë në ushtri, guvernatorë, senatorë, por asnjëherë një miliarder. Dua që të provojmë diçka tjetër”, thotë Peter Pham.
Vullnetarët mund të votojnë për kandidatë të ndryshëm, por ata kanë një gjë të përbashkët – të gjithë ndajnë besimin se çdo votë ka rëndësi.