100 vite nga rënia e Perandorisë Otomane
100 vite nga rënia e Perandorisë Otomane: a po përpiqet Rusia e Putinit të kompensojë atë që humbi nga marrëveshja Sazonov-Sykes-Picot?
Para 100 viteve u nënshkrua një marrëveshje e fshehtë, e njohur me emrin Sykes-Picot, me anë të së cilës u vendos ndarja e Perandorisë Osmane. Në përpilimin e marrëveshjes morri pjesë aktive edhe Rusia e atëhershme. Por pak i njohur është fakti se detajet e fundit të marrëveshjes Sykes-Picot janë përcaktuar në Shën Petërburg.
Në fund të Luftë së Parë Botërore, ministrat e punëve të jashtme të Rusisë, Sergej Sazonov; diplomati britanik, Mark Sykes; si dhe ai francez, Francois Georges Picot, në pranverë të vitit 1916 pajtohen për detajet përfundimtare të marrëveshjes për ndarjen e territorit të Perandorisë Osmane, e cila në atë kohë po shkërmoqej me një ritëm të shpejtë deri në rënien përfundimtare.
“Rusia atëbotë konsideronte veten si trashëgimtare të Perandorisë Bizantine dhe kishte për qëllim ta kthejë kontrollin ndaj Konstandinopojës (Stambolli i tanishëm) bashkë me ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve, në mënyrë që t’i hapë rrugë flotës detare të saj në drejtim të Mesdheut. Kjo ishte arsyeja kryesore pse Rusia përkrahte marrëveshjenSykes-Picot“, thotë historiani Omar al-Shair.
Dokumente historike nga arshiva e diplomacisë mbretërore tregojnë për pëlqimin e Rusisë për ndarjen britaniko-franceze të rajonit të Lindjes së Afërt. Rusisë në anën tjetër i premtohet kontrolli ndaj pjesëve veriore të Perandorisë Osmane, mes tyre edhe Armenia, si dhe qasje e lirë në Stamboll me ngushticat përkatëse.
Në vjeshtën e vitit 1917, në Rusi vijnë në pushtet bolshevikët, e ky shtet komunist zhytet në luftë qytetare. Për këtë arsye, një vit më pas detyrohet të nënshkruajë marrëveshjen paqësore në Brestë, duke hequr dorë prej çfarëdo pretendimi për pjesët e mbetura të Perandorisë Osmane, të cilat i ishin premtuar sipas marrëveshjes Sykes-Picot.
“Rusia bolshevike refuzonte kolonizimin si parim, andaj edhe bëhet e ditur publikisht marrëveshja Sykes-Picot. Më vonë, në kohën e Ataturkut, Turqia fiton nga Rusia shumë gjëra dhe konçesione”, thotë Vitalij Naumkin, drejtor i Institutit Oriental në Moskë.
100 vite kanë kaluar nga marrëveshja Sazonov-Sykes-Picot. Kjo ështe periudhë në të cilën janë ndërruar hartat e Rusisë, Evropës dhe Lindjes së Afërt.
Sot, avionët rusë bombardojnë fshatrat dhe qytetet siriane, ndërkohë që kreu i Rusisë cakton kushte në rajonin në të cilin para një shekulli nuk kishte kurrëfarë interesash. Rusia po shfrytëzon ngurrimin dhe hezitimin amerikan dhe perëndimor kur bie fjala për Lindjen e Afërt.
Andaj, sot shumë vetë pyesin: a po përpiqet Rusia e Putinit të kompensojë atë që e kishte humbur në marrëveshjenSazonov-Sykes-Picot?