Clinton dhe Trump, në kërkim të unitetit brenda partisë
Në garën presidenciale amerikane, kandidatët e pritshëm Hillary Clinton dhe Donald Trump tani janë përqendruar në unifikimin e partive të tyre para konventave kombëtare muajin e ardhshëm. Por pasojat politike nga tragjedia e fundit e vrasjeve masive në Orlando po komplikon përpjekjet e Trump për t’i bashkuar republikanët pas kandidaturës së tij.
Pas vrasjeve masive në Orlando, Donald Trump është hedhur në sulm, duke fajësuar si presidentin Barack Obama edhe kandidaten e pritshme demokrate Hillary Clinton për politikat që e kanë bërë më të lehtë për terroristët të vënë në shënjestët amerikanët:
“Por ne nuk do të lejojmë që njerëzit të përfitojnë nga ne. Ne do të vazhdojmë të shkojmë në kinema. Ne do të vazhdojmë të fluturojmë. Ne do të vazhdojmë të jetojmë jetën tonë ashtu si duam. “
Por ndalimi i myslimanëve i propozuar nga Trump dhe retorika e ashpër kanë acaruar udhëheqësit republikanë si senatorin Mitch McConnel:
“Ne kemi shumë çështje, dhe këshilla ime për kandidatin tonë është të fillojë të flas për çështjet që shqetësojnë popullin amerikan dhe të fillojë ta bëjë këtë tani.”
Shumë republikanë të tjerë po rrinë të heshtur, të shqetësuar se çdo përplasje publike me Trumpin do të zemëronte mbështetësit e tij, thotë analisti Norm Ornstein:
“Në se kritikon Trumpin, do të armiqësohesh me një pjesë të caktuar të bazës së votuesve republikanë, për të cilët ke nevojë në zgjedhje. Nëse e mbështet Trumpin, atëherë je i mbërthyer me qëndrimet e tij politike. “
Debati mbi Trumpin dhe komentet e tij i kanë dhënë një mundësi kundërshtares së tij demokrate në zgjedhjet e përgjithshme, Hillary Clinton:
“Ndalimi i myslimanëve nuk do të ndalonte sulme si ky. Këtë nuk do ta realizonte as ndërtimi i murit. Kështu asnjë nga idetë e papërgjegjëshme të Donald Trump nuk do të shpëtonte asnjë jetë në Orlando.”
Clinton ka punë për të bërë për të bashkuar partinë e saj dhe i mbetet të fitojë përkrahjen e rivalit Bernie Sanders dhe mbështetësve të tij pas një fushate paraprake disa herë të hidhur:
“Ne do të luftojmë sa të mundemi për të krijuar një parti demokrate që përfaqëson familjet punëtore dhe njerëzit me të ardhura të ulta në këtë vend.”
Clinton po mbështetet gjithashtu tek Presidenti Obama për të ndihmuar në bashkimin e partisë, thotë analisti John Fortier:
“Ndërsa ka kritika të hidhura mes palëve në parti tani, ekziston ndjesia se gjërat do të qetësohen dhe do të ketë një farë bashkimi të partisë demokrate në këtë proces.”
Anketat e fundit tregojnë se Clinton e ka zgjeruar epërsinë e saj ndaj Trumpit pas ngjarjes në Orlando dhe komenteve të tij të debatueshme.