Floriana, kurora e bukurisë ka vetëm një emër
Eksluzive / Floriana, kurora e bukurisë ka vetëm një emër
Nga Çerçiz Loloçi
Bukuroshja jo si gjithë të tjerat, Floriana Garo, mes Shqipërisë dhe SHBA, vjen në këtë rrëfim ekskluziv duke treguar gjithçka për rrugën e artit, pasionet, jetën intime, teksa ka festuar edhe përvjetorin e ditëlindjes. Me një jetë intensive dhe e parapëlqyer e shumë revistave, mes të cilave “Living”, “Icon”, “VIP”, “Coffee”, “Shije”, “Madamë Mapo”, “Jeta” dhe “Klan”, Garo ka sot një emison të vetin në TV Klan, i pangjashëm me emisione të tjera në televizione kombëtare jo thjesh nga emërtimi “Jo vetëm modë”, por nga informacioni, risitë dhe personazhet që sjell për publikun shqiptar.
Si një personazh publik jeni bashkëshoqëruar me lajme të mira dhe të hidhura; opinion juaj?
Mendoj se lajmet e mira dhe të hidhura janë pjesë e jetës së çdokujt. Në rastin tim, të qenit person publik i bën këto lajme më të përfolura dhe u jep atyre përmasa më të mëdha, por përjetimi im është si i kujtdo njeriu tjetër. Unë gëzohem njësoj dhe hidhërohem njësoj si kushdo tjetër, ndërkohë që kërkoj vazhdimisht të ruaj një balancë.
Ndërkaq jeni femra më e preferuar e kopertinave të revistave, por edhe të portaleve që shkojnë më shpejt te lexuesi dhe janë me më shumë ndikim?
Natyrisht është synimi i çdo gazetari dhe moderatori që puna e tij të ketë sa më shumë audiencë dhe sa më shumë ndikim. Nëse njerëzit kanë interes tek unë dhe tek ajo që unë bëj, kjo do të thotë që punën po e bëj mirë. Të qenit në kopertina revistash është vlerësim dhe mua më vjen mirë për këtë.
Fillimit tuaja me botën e artit?
Gjithçka nisi me një reklamë për një kompani celulare. Unë isha protagonistja e reklamës vetëm në sajë të pamjes sime të jashtme, pra jo ndonjë meritë e madhe deri këtu, thjesht rastësi. Drejtuesit e kompanisë celulare e pëlqyen imazhin tim dhe më ofruan të prezantoja një shorte të vogël promocional që u transmetua në televizionin “Klan”. Aty u spikata nga drejtuesit e këtij televizioni si dhe “ABC News”, që më pas më ofruan të prezantoja motin. Tek moti i rashë në sy artistes Vera Grabocka që më propozoi të përfaqësoja Shqipërinë në “Miss World”. Disa muaj më pas erdhi emisioni “Jo vetëm mode” dhe pjesa tjetër është histori…
Konkursi i bukurisë, më shumë se zgjedhja juaj, ka qenë dhunti e natyrës dhe e specialistëve, emocionet nga ky eveniment?
“Miss World” ishte eksperienca ime e parë në një konkurs bukurie. Unë isha Miss Albania dhe të përfaqësosh vendin tënd është përgjegjësi e madhe. Nuk shkova aty për të fituar, thjesht për ta shijuar udhëtimin dhe eksperiencën në tërësi dhe sigurisht, për ta promovuar sa më shumë Shqipërinë. Flisja pa pushim për vendet e mrekullueshme turistike që ne kemi. Natyrisht, do të kisha dëshirë që të merrja një çmim, por edhe të isha e pranishme në skenën e madhe të “Miss World” është një eksperiencë e jashtëzakonshme. Atë eksperiencë dhe famën e atij momenti e përdora më pas si urë për të bërë gjëra më të mëdha në televizion. Ndonjëherë gjërat në jetë vijnë kur nuk i pret, por e rëndësishme është që të guxosh të shkelësh edhe territore të panjohura, sado e pamundur mund të të duket diçka. Të shfrytëzosh momentin kur të vjen, pasi mund mos të ketë një të dytë.
Përvoja juaj si studente në SHBA?
E mrekullueshme, por kaq ndryshe nga jeta që bëj tani…Shtëpinë e kisha pranë shkollës dhe çdo semestër nuk merrja shumë klasa që mos te mbingarkohesha me mesime, pasi doja të shijoja dhe gjëra të tjera që New Yorku ofron. Kohën e kisha të mbushur plot me veprimtari e kështu nuk kisha kohë të mërzitesha. Studioja, punoja, luaja volejboll, merresha me modeling dhe në të njëjtën kohë, udhëtoja kur kisha mundësi. Shoqet e mia të shkollës dhe të sportit ishin si familja ime, pasi prinderit i kisha larg. Në SHBA mësova të punoj fort për gjërat që dua të arrij. Isha e thjeshtë, pa shumë pretendime por gjithmonë me idenë se në jetë do të arrija gjëra të mëdha, megjithëse nuk isha e qartë për rrugën që duhej të ndiqja. Ndonjëherë mjafton të bësh mirë ato që bën dhe gjërat kthehen në dobinë tënde.
Ndryshe nga shumë bukuroshe të tjera, zgjodhët të ktheheshit në Shqipëri?
Histori mjaft e përfolur kjo. Ishte një zgjedhje e imja, por për të cilën nuk jam penduar. Kthimi në Shqipëri më bëri të realizoj ëndrrën e të paturit një emision timin në televizionin më të ndjekur në vend. Krahas kësaj, jam pranë prindërve, pranë njerëzve që dua më shumë. Pa dyshim, ka momente kur mendoj si do të ishin gjërat nëse nuk do të isha kthyer, por s’ka kuptim. E rëndësishme është gjithmonë të shohësh përpara!
“Jo vetëm modë” ka arritur të shtojë audiencën hap pas hapi; ku e shikoni vaçantinë e tij?
Në përzgjedhjen e temave të ndryshme dhe në trajtimin e veçantë të tyre. Emisioni ka një përqasje pozitive, informon, por në të njëjtën kohë i motivon shikuesit dhe i bën të ndihen mirë. Dëshira ime është që kur shfaqet sigla mbyllëse e programit, njerëzit të jenë të kënaqur me kohën që kanë shpenzuar duke e ndjekur.
Cilat janë raportet tuaja me llojet e tjera të artit?
Më pëlqen çdo formë arti dhe kreativiteti. Është e mahnitshme sa shumë ndikon arti në gjendjen shpirtërore. Mendoj se e kam të zhvilluar ndjesinë estetike dhe di ta vlerësoj të bukurën. Më pëlqen veçanërisht kinematografia dhe dizajni i të gjitha formave.
A do të pëlqenit një rol në kinematografi?
Në fakt, po. Kam qenë gjithmonë kurioze për ta provuar aktrimin. Nëse do të gjeja rolin e duhur dhe koha do të më lejonte, do ta bëja me shumë dëshirë.
Jeta private e Florianës; çfarë nuk dinë më shumë dashamirësit tuaj?
Kam mësuar muajt e fundit, që disa gjëra private duhet të mbeten private, por është e rëndësishme që disa mësime që figurat publike marrin nga jeta, është mirë t’i ndajnë me të tjerët. Mësimi më i madh që kam marrë nga jeta dhe sigurisht edhe nga prindërit e mi, është që duhet të jem e zonja e vetes dhe e vetëpërmbushur. Askush nuk mund të më bëjë të lumtur, përveç vetes sime. Sigurisht, më e thjeshtë të thuhet sesa të praktikohet, por jo e pamundur!