Albspirit

Media/News/Publishing

Letra e panjohur e Lasgushit për Kutelin

Korespondence Lasgush – Mitrush

 

Poradec 15.IV.1931
I dashur Dhimitraq,
Po të përgjigjem në letrën e 24 Marsit me pak fjalë, dyke qënë më një moment turbullimi shpirtëror. Ky turbullim nuk m’i merr dot mëntë. Nuk më vret. Përkundër, s’di se si t’a them: sa m’e zemruar zemra, aq m’i pastër dhe më preciz… aq m’i pasur dhe më poliedrik MALLI për t’i rënë pàs një BESIMI GAZMOR drejt DRITËS që përshkon Gjithësinë. Ajo Dritë e përshkon gjithësinë përmjet ELEMENTAVE të saj REPREZENTATIVE që janë të PAVDEKURSHME. Ti i dashur shok, të pyes, a je NJERI I VEPËRIMIT? Ndjen një DRITË UNIVERSALE në shpirtin t’ënd?? A JE ashtu sikundër KEMI QËNË, sikundër DO JEMI GJITHËNJË???
… Frikë?!
… Dëshpërim?!
… Lot?!
Lot derdhin VAITONJËSIT!
Dëshpërim pësojnë të DËSHPËRUARIT!
Frikë ndjejnë FRIKACAKËT!
As “ëndra të dërmuara” as “gjuhë të kryqëzuara”, as “ideale të përpira”, as “të arthme të mbuluar me blozë dhe me hi’ – s’ka për NE! Për NE egziston AFIRMIMI!! Afirmimi i jetës, dhe i DRITËS së saj. Për NE, ka vleftë NJË gjë: MPOSHTJA e mjerimit dyke VEPËRUAR! Jo vetëm kaq: mposhtja e mjerimit dhe NGRITJA E VETËVETES S’ONË lart-e-më-lart!
Lart-e-më-lart, gjer ne DRITA e përjetësisë! Jo vetëm kaq: Ngritja e vetëvetes DHE E KOMBIT t’onë! Jo vetëm kaq. Ngritja e kombit DHE E BOTËS SË TËRË njëkohësisht! Kupton??? JA!! KY ËSHTË VEPËRIMI JONË!!
Ç’është ERRËSIRA?
Dheri rëndon…,
Ujët kullon…,
Miza kafshon…,
Errësira – ERR!

Ç’është DRITA?
Ara bleron…,
Kroj mërmëron…,
Bilbili këndon…,
Drita – NDRIT!

Qesh i dashur Dhimitraq? Qesh me këto “mësime intuicioni” naive… naivore… naiveske… naivistike…? Ti qesh! Qesh dhe unë. Qeshim të dy. Po dyke qeshur-mësojmë, ashtu si fëmija KONCEPSIONIN MË TË LARTË TË JETËS; – kuptojmë intuitivërisht dhe mistikërisht së bashku ku – Procesin gjenetik të VEPRËS së domosdoshme të një rezeje të djellit ndaj-një-mëngjezi-më-të-filluar-e-sipër…
“ATA” – i “dërmojnë ëndrat”, e “kryqëzojnë gjuhën”, e “përpijnë idealin”, e “nxijnë të arthmen” e kombit t’onë?? Po “NE”, o i shtrentë shok, “i ndërtojmë” ato ëndra, ne e “ringjallim” atë gjuhë, e “lindim” atë ideal, e “NDRITIM” atë të arthme të kombit… Sepse, kombi jonë (si çdo komb tjetër, si çdo botë tjetër në këtë gjithësi) ndjek UDHËN E ZOTIT. Ay, Kombi jonë, rron me anën e:
FUQIVE KRIJONJËSE TË TIJA.
Ti, ndjen një dritë universale në shpirtin t’ënd? Ajo Dritë, është fuqia jote krijonjëse! Ajo Dritë, është fuqia ime krijonjëse! Ajo Dritë, është fuqija e zotit krijonjës! Ajo Dritë, është DRITA E PËRJETËSISË: MALLI I PASOSUR, i mbarsur me ÇKËLQIMIN, i aktivuar me PRINCIPIN POZITIV, mall i cili REGJENERON botën, dyke KUNDËRSHTUAR, dyke mposhtur DIVIN, dyke ANULUAR gjithë çfaqjet e ERRËTA të saj, për të TRIUMFUAR, më në fund dhe përsipër të gjithave me KRIJIMIN ORIGJINAL të mijërash e qindra mijërash POSIBILITETESH TË REJA AFIRMIMI … JETE … DRITE të padukurshme … – I kam rënë pas këtij BESIMI GAZMOR drejt DRITËS, që përshkon gjithësinë, drejt UDHËS SË ZOTIT, që në fillim: Ti i shtrentë Dhimitraq, i cili i ke dashuruar aq imtësisht vjershëzat e mija, vjersha LUMTËRONJËSE NË TRAGJEDINË e tyre, nuk do të të ketë shpëtuar – mbase -, BESIMI… IDEJA… FILOZOFIJA… e tyre MALL-plote, JETË-plote, GAS-plote, PËRJETËSI-plote, dyke filluar që në fillim gjer në fund: që ne “PARAFJALA” gjer ne “GJENIU I ANIJES” dhe gjer ne “VALLJA E PËRJETËSISË”.
Me kaq mbetem yti Llazar.

 

Please follow and like us: