Pano Taçi: Tundu moj, hallall të qoftë!
Ç’KËRKOJ TË GJEJ…
Ç’kërkoj në pyll me hap të zbehtë,
Tek rrjedh gëmushës një burim?
Hazdisur zogjtë ia thonë lehtë
Për mallin tënd, për mallin tim.
Bëj t’ia dëgjoj gjethet kories
Se ç’thonë ato buzëblerta.
Thashë ia gjeja gjurmën hijes,
Që le ti e pas unë mbeta.
Te brinja e mallit për matanë
Të pashë si ikje si një shterg.
Të pret ky mall pa fund, pa anë,
Se më vjen prapë nga ai shteg.
Nuk di pse zemra më mbërdhi,
A thua, kot rri duke pritur?
Dëgjoj korijen që gërrhin
Mbi mallin tënd duke dremitur.
Ç’kërkoj në pyll me hap të zbehtë,
Me këtë mall që po më çmend?
Hazdisur zogjtë ia thonë lehtë
Për mallin tim, për mallin tënd.
I SHUSHATUR
I shushatur rashë të flë,
Më shushati syri i zi.
Ai sy ëndërr m’u bë.
Ëndrra kongji mbi gji.
I shushatur rashë të flë,
Shushatur nga fëmëra.
Ç’ma solli në gjumë atë,
Të më marrë flakë zëmëra.
I shushatur rashë të flë,
Nga ajo që më shushati.
Zgjata dorën që ta zë
Aty te shtarti…
Oh, unë i ngrati,
U ngrita e s’gjeta gjë!
NJË LOT
Një lot, oh, e desha një lot,
Syu të ma pikojë tatëpjetë,
Rrudhës së faqes së ftohtë
Mbi buzën time të zbehtë.
Në bie si hënë e plotë,
E pi për raki të sertë.
RUSPA
Tundu moj, hallall të qoftë.
Ndizja flakën trimit.
Ikë e shka si t’ishe troftë,
Valës së vështrimit.
Tundu moj, të qoftë hallall,
Vrit e digj me sy.
Dhe vdekuri bëhet gjallë,
Në i shkon përbri.
Tundu moj, se të ka hije,
Djali pas e ndjell.
Ku shkel, dheu na merr shije,
Hapin tek e hedh.
Tundu moj, hallall të qoftë,
Se, si ruspë shket.
T’isha peshkatar, moj troftë,
Iu zija në rrjetë.
ME KONGJI MBI BUZË
Kongjijtë mbi buzë çapkëni,
Ç’pate që m’i le për dert.
Tek hedhin vallen te lëmi
Bëj t’iu zë e ti më shket.
S’kam përse ta mallkoj fatin,
Dridhe vallen e më pri.
Ku them, lëmsh e bëjmë shtratin:
Dehem unë e përumb ti.
Qesh e lot, e tek këndon,
Nga unë sytë nuk i hoqe.
Oh, po çke që më lëndon,
Më lëndon e më tundon,
Moj më e bukura në shoqe.
Dy fjalë mbi buzë të rrinë,
Porsi shpuza ndënë hi.
M’u bë,
Më thanë:
Në lëndinë
Në më zë,
Ta fal një gji…
Ç’më flet moj, pash Perëndinë,
Mësomë të t’i puth të dy.
PËRMES DHEMBJES
Ik e ik mes dhembjes time,
Udhëve të dertit.
E gjej nëpër ngashërime
Muzën e poetit.
Ah, për ç’i këndoj Erosit,
E tëra sheboj.
Në manastirin e gjoksit
Tani rri plakoj.
Krrusur, thinjur e kokallë,
Me pluhur mbi shpinë,
Bën të bëhet prapë e gjallë,
Ku ta gjej rininë?
Lirën ia ka ngrënë tenja,
Telat i janë ndryshkur.
Edhe kënga, edhe ndjenja
Del e ftohtë, fyshkur.
Përmes dhembjes ik e ik,
Udhëve të mallit.
Bregun këmba nuk ma çik,
Mbeç në mes të zallit.
TANUSHA
”E, unë Tanushën vetë e kam pa”
-nga Eposi-
… … … … … … …
E ndezur prush,
Te bregu i lumit hapin e shtriu.
Kur pa, që s’e shihte askush:
U çvesh, e pylli psherëtiu.
Rrobat i la aty përreth.
Diellit i plasi syri.
Vala e lumit u rrënqeth,
Kur Tanusha cullak i hyri.
Qielli, tek lahej, krejt përhumbi,
Gjoksoret pa, t’ia puthë tërfili.
Një anë ia bëri fole pëllumbi,
Në tjetrën çerdhe ngriti bilbili,
Te ai mëndafsh sisash,
Aromë trëndafili.
Flladit, që frynte në mal mes lisash,
Iu mek zëri,
Tek rrinte ndër gjethe strukur.
Brezin e belit, gjarpri ia bëri
Lëkurë për vete, të dridhet bukur.
I fshehur rri Zoti përflakur nga malli
Pas brekëve qëndisur me lule,
Që i la Tanusha te zalli.
E, unë djalli,
Shikoja si lahej berbecule,
Pas trungut të dardhës, tek rrija atje,
Duke mbajtur me dorë zhulkat prushore,
Se mos binin përdhe,
Dardhat e mia hënore…
BËJ TË PRI
Bëj të pri në ball të parë,
Përmes territ në agim.
T’i shkrij ngricën, t’i kall zjarr,
Tokës amë e varrit tim…