SHBA do të vijojë praninë në Detin e Zi, pavarësisht paralajmërimit rus
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vijojnë me praninë e saj në detin e Zi, pavarësisht paralajmërimeve të Rusisë se, patrullimi i luftanijes amerikane në këto ujëra kërcënon sigurinë rajonale. Konfirmimi vjen nga Sekretari amerikan për Marinën.
Gjuajtësi “USS Porter” hyri në ujërat e detit të Zi më herët gjatë këtij muaji, duke shkaktuar kritika të ashpra prej Moskës. Turqia dhe Rumania pritet të bëjnë thirrje për një prani edhe më të madhe të NATO-s në detin e Zi, kur samiti i aleancës ushtarake të zhvillohet në Varshavë gjatë muajit të ardhshëm.
I gjendur në bordin e “USS Mason”, një tjetër luftanije gjuajtëse amerikane e ndodhur në Mesdhe gjatë së enjtes, Sekretari i Marinës Ray Mabus tha për “Reuters” se është detyrë e Amerikës të pengojë çdo agresion të mundshëm dhe të mbajë të hapura rrugët detare.
“Do të vijojmë të jemi atje”, tha Mabus duke iu referuar detit të Zi. “Do të jemi atje për të penguar çdo agresion, ky është qëllimi ynë kryesor pse jemi atje. Për të frenuar çdo agresion potencial”.
Mabus foli vetëm pak ditë pasi Rusia kritikoi diskutimet e NATO-s mbi krijimin e një force të përhershme në detin e Zi.
“Nëse merret ndonjë vendim për të krijuar një forcë të tillë, sigurisht që do të ishte destabilizuese, sepse ky nuk është një det i NATO-s”, është cituar nga agjencitë ruse të lajmeve, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme, Andrei Kelin.
Rusia, e cila aneksoi gadishullin krimean të Ukrainës në vitin 2014, ka një prej flotave të saj të vendosura në detin e Zi, në bazën e Sevastopolit.
Samiti i NATO-s do të zhvillohet në një moment kur marrëdhëniet mes Rusisë dhe aleancës atlantiko-veriore janë trazuar së tepërmi për shkak të rolit të Moskës në krizën e Ukrainës dhe në Siri. E ndërsa Rusia thotë se ajo nuk përbën aspak kërcënim ndaj aleancës, NATO po konsideron çdo mënyrë të vepruari për të kundërshtuar atë që shihet si agresioni rus në rritje.
Mabus tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara ndjekin rregullat e Konventës së Montrosë (Montreux), që thekson se vendet pa dalje në detin e Zi nuk mund të mbajnë anijet luftarake atje më gjatë sesa 21 ditë. Ndërkohë, vendet anëtare të NATO-s, Turqia, Rumania dhe Bullgaria, janë që të gjitha vende me dalje në detin e Zi.