Albspirit

Media/News/Publishing

Shthurja e të rinjve në komunizëm, pornografi, arrati e vjedhje

Shthurja e të rinjve në komunizëm, pornografi, arrati e vjedhje (DOKUMENTI)

Në vitin 1974, ndërsa e gjithë Shqipëria ishte në një fushatë të pashembullt kundër modernizmit, dukej normale që drejtuesit e  Bashkimit të Rinisë (KQ i BRPSH) të hetonin e të denonconin çdo shfaqje të huaj apo skandale mes të rinjsh zbuluar në çdo cep të vendit.

Dokumenti që sjellim sot, një informacion dërguar KQ të PPSH nga KQ i BRPSH flet për “disa ngjarje të jashtëzakonshme të kryera nga të rinj individë ose grupe të rinjsh në disa rrethe në drejtim të imoralitetit, vagabondazhit etj”.

Nga një histori intime mes të rinjve në konvikt, tek një ngjarje disi komike në Fier ku një mësues i kishte maskuar nxënësit e tij me mjekër e favorite të gjata, kishin pirë raki e më pas kishin bërë fotografi, apo zbulimi i disa revistave me vajza gjysmë të zhveshura dhe disa poezi dekadente…, këto ngjarje “të rënda kishin shqetësuar gjithë instancat e partisë në rrethe e deri në Komitetin Qendror. Ngjarjet e dënueshme ishin renditur në këtë raport informativ për Komitetin Qendror dhe me shumë gjasa sipas praktikave të kohës, këta të rinj guximtar duhet ta kenë paguar shtrenjtë.

Dokumentin e plotë, e sjellim më poshtë si një shembull mbi presionin që është ushtruar mbi të rinjtë në kohën e regjimit për t’i formuar ata me çdo kusht sipas modelit të “Njeriut të Ri”.

 Dokumenti i plotë  KOMITETIT QENDROR Të PPSH (Sektorit të Edukimit)    TIRANË

Kohët e fundit, disa komitete të BRPSH na kanë informuar për ngjarje të këqija të kryera nga të rinj të veçantë ose grupe të rinjsh.

Në Tiranë:

Në Universitetin Shtetëror, në Fakultetin e Inxhinierisë tre djem dhe një vajzë e vitit të tretë mekanik kanë kryer veprime imoraliteti, duke qëndruar gjithë natën, të mbyllur në një dhomë të konviktit. Për këto veprime kishin qenë dakord të gjithë bashkë. Komiteti i Rinisë së Universitetit i përjashtoi nga organizata e rinisë dhe propozoi përjashtimin nga Universiteti.

Tre të rinj të moshës 15-16 vjeç, nxënës shkolle, kanë marrë një veturë dhe kanë vajtur deri në Durrës. Po nga nxënës të shkollave ka pasur raste vjedhjesh të sendeve nëpër shtëpi, në shkolla dhe në ndonjë dyqan librarie.

Në Gjirokastër, dy të rinj nga Derviçani, njëri student në Institutin Pedagogjik dhe tjetri nxënës në shkollën e mesme janë përjashtuar nga shkolla për sjellje të këqija dhe mbetje në klasë. Organizata dhe komiteti i rrethit i këshilluan të shkojnë në kooperativë e të punojnë mirë. Ata nuk iu nënshtruan punës dhe vazhduan të sillen keq; dhe organizata e fshatit i kish këshilluar dhe kritikuar. Të dy këta të rinj arrestohen për veprimtari armiqësore. Pas kësaj mblidhet organizata e rinisë, dënon qëndrimin e tyre dhe vë theksin në nevojën e rritjes së vigjilencës revolucionare. Komiteti i BRPSH të rrethit ka caktuar të punojnë me rininë e Dropullit tema për demaskimin e mënyrës së jetës borgjeze e veçanërisht në Greqi.

Në Elbasan. Në Institutin Pedagogjik dy të rinj nga Selenica e Vlorës kishin sjellë një material me përmbajtje pornografike, fotografi vajze gjysmë lakuriq, një bllok me poezi dekadente, këto i kishin kaluar nëpër duar 11 studentë, 7 nga të cilët sapo i panë njoftuan organizatën e rinisë. Çështja e tyre u diskutua në organizatat përkatëse dhe në mbledhjen e përgjithshme të rinisë. Rinia e revoltuar i kritikoi rreptë këta elementë, vuri theksin në shkaqet dhe pasojat ideologjike të këtyre veprimeve, kërkoi llogari edhe pasi dëgjoi autokritikën e tyre vendosi t’i përjashtojë nga organizata e rinisë. Po në këtë shkollë, një student nga Durrësi ka folur me simpati për jetesën në Jugosllavi, duke treguar për një kushëri të tij, me katër klasë fillore se jeton mirë e po shëtit botën, se kosovarë gëzojnë të drejtën e flamurit e të gjuhës shqipe, duke dhënë të kuptojë se atje jeta është e mirë. Ka folur mirë për një mësues që është dënuar në Durrës për veprimtari armiqësore. Në organizatën e rinisë e kanë kritikuar dhe e kanë paralajmëruar për ta përjashtuar.

Komiteti i Rinisë i Institutit ka ndërtuar një program me tema edukative për përsosjen e figurës morale të rinisë.

Në Fier. Disa nxënës të Shkollës Industriale, të nxitur nga një mësues i tyre (inxhinier) bëjnë një ekskursion në Pojan. Mësuesi gjen disa bereta të kuqe, merr bojë dhe atje i lyen nxënësit, u bën mjekra, favorite të gjata, u jep nga një thikë dhe pastaj u bën poza me aparat fotografik. Atje kishin pirë edhe raki. Komitetin e Rinisë së rrethit e informon një i ri nga fshati, ndërsa nxënësit dhe mësuesi jo vetëm nuk informojnë, por nuk tregonin edhe kur i kërkohej shpjegim. Thoshin: “e bëmë nga budallallëku se na dukesh se kështu do ecte më mirë ekskursioni”. Të gjithë ishin fëmijë komunistësh, edhe mësuesi me xhaxhanë dëshmor. Mbi veprimin e tyre diskutuan organizatat e rinisë, zhvilluan kritikën dhe i propozuan këshillit pedagogjik që mësuesi të kalonte në prodhim, ndërsa nxënësve t’u thyhej një notë në sjellje. Këshilli pedagogjik i aprovoi. Organizatat i paralajmëruan për përjashtim nga BRPSH.

Në Shkollën e Mesme të Përgjithshme të qytetit, një i ri me prindër nga Jugosllavia, por që ka marrë nënshtetësi shqiptare ka thënë: “Këtu në Shqipëri nuk ka disiplinë, vetë shoku Enver e thotë këtë për punëtorin gjerman, mallrat tona janë me cilësi të keqe”. Propagandonte filmat jugosllavë, ishte i padisiplinuar. Qëndrimin e tij e diskutoi organizata bazë e rinisë dhe e përjashtoi nga organizata.

Në Shkollën e Mesme Bujqësore, një maturant nga rrethi i Vlorës përpiqej të bënte shokë të tjerë me vete dhe së bashku të shpërdoronin mushamatë në mensë, të thyenin xhamat, të prishnin bazën materiale në shkollë. Një shokut të tij i merr një deklaratë që të vepronin për të sabotuar në shkollë. Ky i fundit e denoncoi në shkollë. Organizata e rinisë e përjashtoi nga radhët e saj, e demaskoi publikisht, kërkoi përjashtimin nga shkolla dhe kështu u veprua, shkruan Shqiptarja.com

Në Durrës, tre të rinj, dy prej të cilëve kanë qenë të dënuar si vjedhës dhe i treti ka pasur të atin të dënuar për veprimtari armiqësore, futeshin në zonën e pyllëzuar me pisha, zinin qytetarë me forcë, u merrnin ç’kishin nëpër xhepa, i rrihnin e i kërcënonin që të mos tregonin duke i thënë se “po treguat, do veprojë grupi i xhunglës me ligjet e tij”.

Shënim: Pas tërheqjes së vëmendjes që u kemi bërë komiteteve të BRPSH-ve për të vlerësuar çdo shfaqje negative në radhët e rinisë, si dhe për të treguar më shumë vigjilencë e për të mbajtur lidhje të ngushta me komitetet e organizatat bazë, vëmë re që ata po tregojnë më shumë kujdes, kanë forcuar informacionin brenda rrethit dhe na informojnë herë pas here.

Në masën e rinisë është i ndjeshëm qëndrimi dhe reagimi pozitiv kundër akteve armiqësore apo të rrugaçërisë e të vagabondazhit, shumica dërrmuese e rinisë revoltohet kur mëson akte këtilla dhe ngul këmbë për masa të rrepta, sidomos për t’i përjashtuar nga radhët e Bashkimit të Rinisë. Gjithashtu edhe të rinj të veçantë, kur bien në kontakt me raste të tilla nuk po ngurrojnë, por po i denoncojnë në organizatë. Megjithatë mbetet përsëri problem solidariteti i sëmurë dhe indiferentizmi që përsëri duket në një pjesë të të rinjve që i kanë dëgjuar dhe kanë heshtur.      Po na tërheq vëmendjen veprimi me materiale pornografike, për të parë e kaluar nëpër duar copa nga revista të huaja të gjetura, që kanë në përmbajtje femra lakuriqe etj. Këto bisedohen e tregohen në fshehtësi në rrethe të ngushta. Ndonëse gjenda e përgjithshme pozitive në radhët e rinisë nuk i lejon të flasin hapur, elementë të shkëputur i vazhdojnë bisedat dhe tregimet e materialeve të këtij lloji.

Ne i porositëm Komitetet e BRPSH të rretheve të forcojnë propagandën për të demaskuar mënyrën e jetesës në vendet borgjeze e revizioniste, sidomos në vendet fqinje, dhe të rrisin vigjilencën e organizatës së rinisë ndaj kësaj lloj veprimtarie, që të ngjallin në rini urrejtje dhe neveri ndaj propagandës me materiale pornografike etj.      Po insistojmë që organizatat tona të merren më shumë me elementet që kanë marrë rrugën e vagabondazhit, të mos u rrinë larg, të kujdesen që t’i fusin në punë, t’i mbajnë nën kujdesin e organizatës, të bëjnë gjithçka për ti larguar nga rruga e keqe. Këta janë elementët më të predispozuar për veprime të shthurura.

  SEKRETARI I PARË I KQ TË BRPSH (Jovan Bardhi) (vula, firma)

Please follow and like us: