Skadojnë pasaportat e fëmijëve, 1 korriku afati i fundit
1 korriku është data përfundimtare e skadimit të pasaportave të printuara gabimisht me afat 10-vjeçar për fëmijët nën 16 vjeç.
Por edhe kur jemi 2 javë përpara kësaj date, autoritetet e Ministrisë së Brendshme thonë se ka një neglizhencë sa i përket zëvendësimit të këtyre pasaportave. Bëhet fjalë për më shumë se 150 mijë pasaporta të printuara në vitet 2009-2010.
“Më pak se gjysma e këtyre pasaportave janë zëvendësuar dhe ngelet më shumë se gjysma. Prindërit e tyre duhet të shohin datën e lëshimit të këtij dokumenti dhe nëse është në këtë periudhë, nga prilli 2009 deri në korrik 2010”, shprehet Miranda Harizaj, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile.
Javën e ardhshme autoritetet në bashkëpunim me kompaninë aleat do të nisin një fushatë informuese edhe në pikat e kalimit kufitar.
Sipas policisë kufitare, çdo ditë ka raste kur fëmijëve i është refuzuar kalimi në zonën “Schengen” për shkak të problemit me pasaportën. Apeli i autoriteteve vjen në një kohë që përkon me sezonin turistik dhe familjet që udhëtojnë për pushime mund të përballen me surpriza të pakëndshme në pikat e kalimit kufitar.
Në vitet 2009-2010 janë printuar më shumë se 150 mijë pasaporta me afat të gabuar 10-vjeçar për shtetasit nën moshën 17 vjeç, ndaj lidhur me këtë problem shefi i komisariatit të Rinasit, Ermal Milori u apelon qytetarëve të verifikojnë dokumentet.
Ndonëse Ministria e Brendshme ka bërë disa herë thirrje për verifikimin e pasaportave, të printuara gabimisht me afat 10-vjeçar për fëmijët nën 17 vjeç, në pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë, çdo ditë u refuzohet kalimi në vendet e “Schengen”-it disa fëmijëve.