Albspirit

Media/News/Publishing

Thaçi për RAI: Vatikani do ta njohë Kosovën

Thaçi për televizionin italian RAI: Vatikani do ta njohë Kosovën

Gjatë vizitës së tij në Selinë e Shenjtë në Vatikan, ku është pritur nga Ati i Shenjtë Papa Françesku, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë një intervistë për televizionin publik Italian, RAI.

Vizita tek Ati i Shenjtë Papa Françesku ka qenë me ftesën e Atit të Shenjtë. Kam ardhur edhe më herët në Vatikan në kapacitete të ndryshme, por kësaj radhe si president i Kosovës. E falënderova Atin e Shenjtë për interesimin e tij për Kosovën, për paqen dhe stabilitetin në rajon, por kemi diskutuar edhe për angazhimet e përbashkëta që të do çojnë drejt njohjes së Kosovës nga Vatikani në një të ardhme të afërt.

Raportet e Kosovës më Italinë

Raportet e Kosovës me Italinë janë të shkëlqyeshme. Këtu do të veçoja edhe praninë e ushtarëve Italinë në kuadër të forcave të KFOR’it, të cilët më përkushtimin dhe pasionin e tyre përkujdesen për paqen në vend, duke bashkëpunuar me popullsinë vendase edhe në realizimin e projekteve të ndryshme të rëndësishme për vendin.

Pas njëqind viteve te problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më 2013 kemi nënshkruar marrëveshjen për normalizimin mes dy vendeve. Tani po punojmë që të arrijmë një marrëveshje më të përgjithshme, një marrëveshje që do të ndikonte në fqinjësinë e mirë, për të tejkaluar përfundimisht periudhën e gjatë të armiqësive mes Kosovës dhe Serbisë.

E ftova Atin e Shenjtë Papa Françeskun për të vizituar Kosovën. Shpresojmë se Ati i Shenjtë e ka bekuar këtë marrëveshje të rëndësishme, tani që jemi të vendosur që t’i mos i lëmë hapësirë urrejtjes dhe të kaluarës së errët.

 Vala e refugjatëve në Evropë

Kosova ka përvojën e vet sa i përket çështjes së refugjatëve. Ishin një milion refugjatë kosovarë që u detyruar të braktisnin shtëpitë e tyre si rezultat e politikës së spastrimit etnik nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Ne bashkëndjejmë me refugjatët anembanë botës dhe kemi vendosur të jemi bashkëpjesëmarrës në trajtimin e kësaj çështjeje humane, me fokus të posaçëm në parimin e solidaritetit dhe të humanizmit. Jemi ofruar dhe i kemi dyert e hapura që të pranojmë një numër të caktuar të refugjatëve, pra të njerëzve në nevojë, me ato pak mundësi që i kemi. Gjithashtu, jemi vigjilent ndaj implikimeve në fushën e sigurisë.

 Kosovarët në ISIS

Edhe Kosova sikur vendet e tjera të Evropës nuk është krejtësisht imune nga fenomenet e radikalizmit dhe ekstremizmit. Janë afro 50-60 kosovarë që po luftojnë në Siri, përkrah kësaj organizate. Tashmë e kemi vendosur sistemit juridik dhe kemi ndërmarrë masat juridike për të luftuar këtë fenomen. Rreth njëqind persona janë arrestuar, disa prej tyre janë dënuar, disa janë në gjykim e sipër, në mesin e tyre edhe imamë. Mbetemi përherë syhapur ndaj personave me ide radikale. Është rritur përgjegjësia e të gjitha institucioneve relevante përballë kësaj sfide. Të gjithë e dinë se ne në Kosovë kemi një Islam të moderuar, një Islam evropian, i cili i ka bërë ballë katrahurave të ndryshme historike.

Kam emër dhe mbiemër mysliman, vi nga një familje myslimane në Kosovë. Mbi 90 për qind e popullsisë janë pro anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Kosova është një vend që shquhet për harmoni ndërfetare dhe që i përqafon vlerat perëndimore. Rrënjët tona janë katolike, kurse të qenurit myslimanë është produkt i historisë.

E ardhmja e BE-së

Shpresoj dhe dua të besoj fuqishëm se Mbretëria e Bashkuar do të mbetet pjesë e BE-së. Një BE pa Britaninë e Madhe do të ishte një BE e mangët, një Bashkim Evropian që do t’i mungonte misioni i tij themeltar i thyerjes së mureve dhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe të mallrave dhe të shkëmbimit tregtar. Kosova, pa asnjë dyshim, mbetet e patundur në synimin e saj që të bëhet pjesë e këtij projekti të madh.

Please follow and like us: