The Guardian: Arta Dobroshi, refugjatja që nuk harron të kaluarën
Londër, 18 qershor 2016 – Gazeta e njohur britanike “The Guardian” i ka kushtuar një hapësirë të veçantë aktores së famshme kosovare, Arta Dobroshi, e cila ka folur për vështirësitë gjatë karrierës së saj në film.
Në një intervistë për të përditshmen britanike, aktorja Dobroshi para premierës së filmit të saj të shkurtër “Home”, ka folur për të kaluarën e saj si refugjate dhe vështirësitë në fëmijëri.
Ajo ka kujtuar kohën kur prindërit e saj vazhdimisht e kanë këshilluar atë dhe dy vëllezërit e saj që të kënaqeshin gjatë jetës së tyre.
“Vetëm kënaquni”, i kishin thënë prindërit Arta Dobroshit derisa ajo po rritej së bashku me vëllezërit e saj. “Çdo ditë më thoshin: Mos u mërzitni për gjithçka – vetëm kënaquni’”.
“The Guardian” shkruan se këtë familje e bënë të jashtëzakonshme vendosshmëria që të jenë të lumtur duke jetuar në një zonë lufte.
“Por përveç shmangies së plumbave dhe detyrimit që të largoheshin me dhunë nga shtëpia e tyre për në një kamp refugjatësh, prindërit e saj nuk ndaluan të jenë të lumtur, pozitivë dhe me plotë shpresë për të ardhmen”, shkruan “The Guardian”.
“Me çfarëdo që përballeshim, prindërit e dinin se gjëja më e rëndësishme që t’i jepnin fëmijëve ishte shpresa, buzëqeshja dhe lumturia”, thotë Dobroshi.
E kaluara e saj si refugjate, shkruan “The Guardian”, i ka ndihmuar Arta Dobroshit që ajo të realizojë filmin e shkurtër “Home”, premiera e të cilit do të jepet në Lodër gjatë këtij vikendi.
“Filmi është i dizajnuar që të bëjë një gjë që Arta gjithmonë besonte se do të bënte dallimin: Vendosja e njerëzve fatlumë në këpucët e njerëzve të pafat”.
Filmi është një rrëfim i njohur, por diçka dallon: Familja që ka vendosur në filmin e saj nuk është siriane ose afgane. Është britanike.
“Filmi përcjell fatin e një familje me dy fëmijë të cilët janë të detyruar që të largohen nga shtëpia e tyre. Ata paguajnë kontrabandistë për t’i bartur me vetura, në njërën fëmijët e tyre ndërsa në tjetrën prindërit”, shkruan The Guardian.
“Ka frikë dhe dhunë. Çifti detyrohet disa herë që të bartë fëmijët e traumatizuar nëpër fusha dhe nëpër ndërtesat e rrënuara dhe në një moment ata vrapojnë për të shpëtuar pasi gjenden në mesin e një fushëbeteje”.
Privilegji më i madh i karrierës së saj që tani Arta Dobroshi po e shijon, thotë ajo, se është mundësia që të tregojë rrëfimin për refugjatët, transmeton Koha.net.
“Shpresa ime më e madhe tani”, thotë ajo, “është se ndoshta pas 10, 20 ose 40 vjetësh, fëmijët ose nipërit tanë do të thonë, a mund ta imagjinoni? Ka pasur kohëra në të kaluarën kur njerëzit edhe pse në liri nuk kanë mundur t’i shpëtojnë refugjatët. Me të vërtetë ka pasur këso kohëra”. (r.m.)