Auron Tare shqipëron dëshmitë amerikane mbi Ali Pasha Tepelenën
Auron Tare, një ndër figurat e njohura në fushën e trashëgimisë kulturore shqiptare do të sjellë shumë shpejt të shqipëruara dëshmitë amerikane mbi Ali Pasha Tepelenën. Përmes një postimi në rrjetin social “facebook”, Tare informon ndjekësit e tij se për vite me radhë, në arkivën e tij personale mban një dokument shumë interesant, të botuar për herë të parë në Prill të vitit 1820 në një revistë të New England (Anglisë së Re), The North-American Review and Miscellaneous Journal. Revista në fjalë, e para revistë letrare e botuar në Amerikë që më 1815, me një tirazh prej 3000 kopjesh, por me një famë shumë të madhe për kohën, e ka botuar këtë dokument pa autor. Sipas tij, arsyet e botimit anonim nuk janë shumë të qarta, por dokumenti është një përshkrim i mrekullueshëm i udhëtimit të një grupi të vogël udhëtarësh amerikanë në viset shqiptare, në prillin e 1818-ës. “Për vite rresht, ky dokument më ka nxitur shpesh që ta botoj, edhe pse pa autor, pasi përshkrimet dhe detajet që ndodhen në të janë shumë interesante për të ndriçuar edhe një herë një figurë kaq madhore si Ali Pasha Tepelena”, shkruan Tare. Dokumentin, thotë ai, e gjeta papritmas në Universitetin e Harvardit, kur kërkoja materiale për të ndihmuar novelisten amerikane Katherine Nevile për librin e saj “The Fire”, libër ky i botuar tashmë edhe në shqip, me titullin “Zjarri”. Nga hulumtimet e deritanishme, nuk më rezulton, thotë Tare, se ky dokument është botuar apo cituar në ndonjë prej studimeve apo shkrimeve të studiuesve të kësaj periudhe.