Albspirit

Media/News/Publishing

Ballsor Hoxha: Rreziku nga islami

 
Ismail Kadare dhe Ballsor Hoxha
Një prej reagimeve primare të njeriut të ndjerë në rrezik është agresiviteti dhe dhuna ndaj kërcënimit. Ndoshta tërë ajo që ka ndodhur në Paris, dhe që po ndodh në gjithë botën, dhuna e myslimanëve ekstremist, dhe edhe debati i pistë në shoqërinë tonë, ka të bëjë me këtë agresivitet nga të qenit i kërcënuar.

Dhe nuk është e kërcënuar vetëm njëra palë por të dyjat, edhe besimtarët myslimanë që ndjehen të kërcënuar përballë një lirie në rritje e sipër në shoqërinë kosovare (pavarësisht dobisë), dhe në anën tjetër të ndjerit të kërcënuar jo myslimanët nga fuqia dhe fuqizimi i Islamit në shoqërinë tonë.

Dhe ka një arsye pse ndjehet ky kërcënim. Ka frikë nga përhapja e Islamit. Dhe ka shumë të vërtetë në këtë frikë. Ka shumë frikë nga krenaria, forca (apo politika) Islame, dhe ka shumë të vërtetë në këtë frikë.

Pyetja e parë e njerëzve të zakonshëm lidhje me Islamin është “pse ai nuk zbutet”, apo “pse nuk transformohet” etj. Pikërisht këtu qëndron frika e jo islamistëve dhe krenaria e islamistëve, mendoj.

Fuqia, nënshtrimi dhe të qenit i udhëzuar deri në këtë masë siç e bën Islami dhe besimtari i sotshëm, është frikë. Është e drejtë e pamohueshme që një lojtar si Mavraj të refuzoj fanellën me reklamë të birrës.

As edhe të veshurit e një fanelle me portret të Millosheviqit nuk është më e gabuar dhe më e ndaluar për një mysliman të devotshëm. Nuk është në pyetje morali aq shumë, dhe as krenaria, në pyetje, për Mavrajn dhe për secilin mysliman është besimi dhe sistemi i jetës në të cilin jeton ai.

Është shumëfishuar intervista e një prej lojtarëve i cili thotë se lexon Kuran para se të luaj futboll. Dhe çdo gjest i futbollistëve shqiptarë të cilët shfaqin sadopak krenari në përfaqësimin dhe në mbrojtjen e besimit dhe sistemit të jetës së tyre kalon në skandal shtetëror dhe shoqëror.

Mirëpo futbollistët tanë, njëjtë si edhe pingpongistat dhe kultivuesit e specave dolllma dhe kultivuesit e viqave për majmje, nuk janë përfaqësues shtetëror dhe as shoqëror të të gjithë shqiptarëve.

Në anën tjetër, po të njëjtit futbollistë, si figura të njohura publike, doemos duhet të shërbejnë si shenja të krenarisë, të fuqisë dhe të moralit shoqëror. Qoftë nëse Cana merret si “heartbreaker” po ashtu edhe Mavraj duhet të merret si mysliman i devotshëm. Deklarata e Uk Lushit dhënë New York Times se mbi njëzet mijë shqiptarë katolikë kanë ikur nga Kosova mund dhe të jetë e vërtetë, në një aspekt.

Nëse, e vetmja mundësi për të dalë jashtë Kosovës është përmes të imagjinuarit të të qenit i persekutuar nga myslimanët, jemi dëshmitarë disa herë, dhe mund ta kuptojmë se kosovarët do ta bënin këtë vetëm dhe vetëm për të ikur nga Kosova.

Ka me mijëra që prej së kthjellti kanë migruar duke u viktimizuar si homoseksual vetëm dhe vetëm për të ikur nga Kosova. Por kjo vetëm tregon për vetë ne si shoqëri, dhe jo si shtet. Kjo tregon se njerëzit si Mavraj por edhe Cana janë të domosdoshëm për shoqërinë tonë, secili në mënyrën dhe në besimin e tij.

Nuk është faji tek shteti ynë, por pikërisht tek shoqëria jonë, dhe të gjitha besimet, bindjet dhe komplekset tona. Shoqëria jonë ka pësuar regresin më të madh të mundshëm, dhe atë paradoksalisht, nga koha e fitimit të lirisë e këndej. Dhe pikërisht për këtë arsye te ne janë të mundshme të gjitha, edhe viktimizimi si homoseksual pa qenë i tillë, edhe viktimizimi katolik pa qenë i tillë.

Por t’i kthehemi frikës dhe krenarisë së Islamit. Shoqëria njerëzore, globalisht, e ballafaquar me pandjeshmërinë e botës që e kemi krijuar ka filluar të dezintegrohet dhe të anulohet solidariteti dhe mirëbesimi ndërmjet njerëzve.

Ka filluar të imtësohet në pandihmëshmëri dhe në pamundësi influence, dhe pikërisht kjo është frustrimi i tërë shoqërisë njerëzore. Pikërisht në këtë mes të shoqërisë njerëzore besimi, dhe sidomos Islami, janë esencial.

Janë të domosdoshëm dhe zgjidhja dhe arsyetimi “ultimate” (më i lartë). Sepse pikërisht Islami dhe myslimanët e devotshëm përhapin dhe forcojnë ndjenjë e kolektivitetit dhe të solidaritetit dhe të mirëkuptimit me njëri tjetrin.

Pikërisht për këtë arsye Islami shfaqet si kërcënim dhe si rrezik për shoqërinë njerëzore. Është zgjidhja e më të dobëtëve (por jo vetëm) dhe më të dobëtit janë gati se tërë shoqëria njerëzore. Mirëpo islami nuk do të ishte as rrezik dhe as kërcënim duke qenë se predikon solidaritetin dhe mirëkuptimin, por sepse e bën të domosdoshëm kthimin prapa, kthimin në atë që ne të tjerët mendojmë se është tejkaluar, në atë që e quajmë liri moderne.

Edhe Mavraj mund të jetë viktimë e të qenit i vënë në ankth para globalizmit, apo thënë me gjuhë më të thjeshtë: para pandjeshmërisë së botës, edhe Mavraj mund të jetë krejtësisht i verbët nga “opiumi” i solidaritetit të pakusht që e ofron Islami, por së paku të gjitha këto janë të prekshme dhe në dobi të besimtarit.

Mirëpo të gjitha këto që i ofron Islami janë të prekshme dhe me efekt të atypëratyshëm vetëm për shkak se kanë si fuqi frustrimin dhe gjendjen e pashpresë.

Please follow and like us: