Bashkim Hoxha promovon në Berat romanin e ri “Gruaja e shiut”
BERAT – Ka zgjedhur Beratin, qytetin e tij të lindjes dhe pjesërisht të origjinës për të promovuar romanin e radhës. “Gruaja e shiut” është krijimi më i ri nga gazetari, dramaturgu, skenaristi Bashkim Hoxha, i cili ka njohur të pranishmit edhe me mesazhin që përcjell ky roman. “Është pak e vështirë për ta përcaktuar se si lindi ideja, si trajtohet. Por papritur ulesh një ditë dhe shkruan dhe nuk e kupton se si. Libri ka shumë këndvështrime. Ajo që do desha të kuptohej nga ky libër është përgjegjshmëria e të jetuarit dhe rezistenca për ti bërë ballë konteksteve historike”, deklaroi Hoxha.
Krijimtaria në disa kategori të letërsisë, duket se për Bashkim Hoxhën ka dhe të preferuar.
“Veten e gjej tek drama dhe tek romani. Sigurisht midis tyre është edhe skenari, që përfshin elementë nga të dyja”, tha ai. E gjithë fabula e historisë nis e zhvillohet në Kuçovë, teksa në brendësi të tij është një ndërthurje e personazheve reale me ato letrare, një zgjedhje e qëllimshme kjo nga autori për të afruar lexuesin me realitetin.