Albspirit

Media/News/Publishing

Nëna që mbante në shtëpi eshtrat e djalit dëshmor

Nëna që mbante në shtëpi eshtrat e djalit dëshmor

Nga Maman Saliu*

 

Historikisht, Labëria në të gjitha momentet kyçe që ka kaluar vendi ynë, ka dhënë një kontribut të shquar. Nga gjiri i saj dolën kapedanë dhe luftëtarë sypatrembur, që e kanë sfiduar vdekjen me këngë në gojë. Se ishin të tillë, prandaj dhe gurra popullore do gdhendte vargjet:

“Këta djemtë e Labërisë,/ Kur marrin plumbin në sisë,/ E fshinë gjakun me këmishë”…

Por, gjatë LANÇ-it heroizmi popullor në këtë krahinë la gjurmë edhe më të thella. Këtu gjaku lagu çdo prag e gërxh. Pse u shndërrua në një kala të pamposhtur, Labëria e mbajti gjithnjë lartë flamurin e lirisë.

Me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre, kishin ardhur në Vlorë dy gazetarë të “ZHEMINZHIBAO-s”, organit qëndror të PK të Kinës. Misioni i tyre ishte të përshkruanin ngjarje dhe episode të rezistencës antifashiste duke kontaktuar me pjesëmarrës aktivë të saj. Për të përmbushur detyrën, u ngarkova nga komiteti i partisë i rrethit që t’i shoqëroja dhe të vihesha në rolin e ciceronit, për t’iu shpjeguar të dy gazetarëve episode gjurmëlënëse në itinerarin Vlorë-Kuç.

Në makinën që kishim në dispozicion, veç nesh ishte edhe një përkthyes.

Ndalesën e parë e bëmë në Drashovicë. Këtu iu fola për betejën tre javore kundër nazistëve, atmosferën e luftës, çlirimin e robërve italianë në fushën e Mavrovës, rënien e shumë partizanëve, si dhe plagosjen e drejtuesit të forcave antifashiste, Hysni Kapos dhe luftëtarëve të tjerë.

Kur mbërritëm në Gjorm, gazetarëve iu rrëfeva për tre ngjarje që kishin lidhje me këtë fshat. E para ishte krijimi i çetës Plakë, formacionit të parë partizan në ish Qarkun e Vlorës, më 4 dhjetor 1942, e dyta ishte beteja e madhe e popullsisë të kësaj krahine kundër forcave të kombinuara fashiste dhe mercenare, të cilat donin të ndërmerrnin një operacion ndëshkimor ndaj kësaj krahine, si një nga bastionet më të fuqishme të rezistencës antifashiste, në fund të dhjetorit 1942 dhe e treta, për rënien e Heroit të Popullit Abaz Shehu, ish komandant i Brigadës së Pestë Sulmuese, kundër forcave gjermane në dhjetor 1943.

Për të tre ngjarjet, dhashë informacionin e duhur pranë lapidarëve përkatës. Në momentin që mbarova episodin për vrasjen e Abaz Shehut, u bëmë gati për t’u nisur drejt Bratajt. Sapo u hypëm në makinë, gjatë mbylljes së dyerve, një nga gazetarët kinezë i kap padashje gishtat e dorës kolegut të vet. Gazetari i dëmtuar ndjeu dhimbje aq të madhe, sa që nuk i frenonte dot rënkimet therëse duke i shoqëruar me tundjen e dorës lart-poshtë dhe anasjelltas. Nisur nga kjo situatë e papritur, gjykova që të shkonim menjëherë në spitalin e Bratajt, për t’i dhënë ndihmën e parë mikut të largët. Sapo mbërritëm në spital, nga ana e personelit mjekësor u bë ç’ishte e mundur për t’i lehtësuar sado pak dhimbjen gazetarit kinez. Mbas mjekimit, pimë një kafe. Gazetarit nuk po i pushonin dhimbjet, megjithatë ai bashkë me kolegun e vet shprehën gatishmërinë që të vazhdonim itinerarin. Duke parë gjendjen e tij të rënduar psikologjike, vlerësova që për ngjarje të tjera të mos ndalonim më deri në Kuç, por t’ju flisja rrugës pa zbritur nga makina. Kështu veprova në Bramyshnjë të Tërbaçit, ku i vura në dijeni mbi krijimin e Brigadës së Pestë Sulmuese, formacionit më të madh partizan të Qarkut të Vlorës dhe rrugën luftarake të saj; në Qafë të Pëllumbit, mbi aksionin e gushtit 1942, kundër fashistëve italianë si dhe në Horë të Vranishtit, për masakrën e nazistëve gjatë Operacionit të Dimrit mbi popullsinë e këtij fshati.

Gazetari vazhdonte të kishte dhimbje dhe rënkimin e lëvizjen e dorës nuk i shmangu dot gjatë gjithë rrugës.

Po i afroheshim Kuçit, stacionit të fundit. Kuçi ishte shndërruar me plot të drejtë në fshat simbol të LANÇ-it. Ai vetëm dëshmorë i kishte falur lirisë mbi 70 bijë e bija të tij nga më të mirët. Nga ky fshat martir, kishin bërë emër në gjithë Kurveleshin e më gjerë luftëtarë të paepur si Jaho Gjoliku, Memo Metua, Avdul Hakiu, Qazim Kondi, Ali Lala, Shaban Idrizi, Veledin Zeka, Birçe Sinemati, Sefedin Meçe, Bejo Stefani, Bajram Korvafa, Xhelo Faslliu, Sulo Veipi, Bame Mersini, vëllezrit Balil e Xhafer Peçi, Feim Gjokutaj e plotë të tjerë.

Ky brez i lavdishëm ecte në gjurmët e kapedan Zenel Gjolekës dhe luftëtarëve të tij, që kishin lënë pas jo vetëm madhështinë e tyre, por edhe këngën: “Grykë e Kuçit, grykë e keqe,/ 1300 dyfeqe,/ Ç’i mba Gjoleka me vete”…

Duke pasur parasysh, se rruga Vlorë-Kuç është rreth 70 km dhe në atë kohë ishte e pa asfaltuar, vendosa të shkonim te shtëpia e Shaho Luçit edhe për t’u çlodhur, por njëkohësisht që ajo të vihej në këtë rast edhe në rolin e cicerones. Nënë Shahua ishte  nga ato gra burrnesha, që megjithëse e plagosur fort në zemër, dhimbjet i kishte sfiduar plot dinjitet e krenari.

Si grua e mençur, ajo kishte se çfarë t’u fliste gazetarëve kinezë dhe ata kishin se çfarë të mësonin prej saj.

Sapo hymë në shtëpinë e saj, ajo na priti gjithë përzemërsi e bujari.

I shpjegova nënë Shahos qëllimin e vizitës. Në këtë kohë, gazetari jo i aksidentuar, i drejtohet nënë Shahos: “Çfarë të lidh me Luftën Antifashiste”? Nga ana tjetër, kolegut të tij vazhdonte të mos i shteronin dhimbjet e dorës dhe ta tundte atë si lavjerrës. Nënë Shahua, nuk iu përgjigj menjëherë, por pasi u ngrit nga karrigia, iu drejtua bufesë. Si hapi një sirtar, nxjerr prej saj një vazo qelqi dhe, pasi e merr në dorë, vjen drejt nesh me çap të ngadaltë.

Kur  ndali këmbët, brenda vazos konstatova pjesën njerëzore të nofullës së poshtme me dhëmbë të gojës. Ajo hoqi kapakun e vazos dhe kur i nxori me dorë prej saj, u thotë kinezëve:

“Ja këto më lidhin me luftën. Janë eshtrat e gojës të djalit tim dëshmor, Jasharit. Kam shkuar vetë bashkë me burrin në Kopaçez të Delvinës, ku u vra, për ta zhvarrosur. Duke gërmuar varrin, më shumë me duar se me lopatë, ndesha mbi trupin e tij. E njoha pikërisht nga dhëmbët. Këtu i thashë edhe ca fjalë:

– Erdha dhe t’u qasa pranë,/ Me thonj ta zbulova varrë,/ Më zuri dora në ballë,/ Aty ku kishe marrë plagë…

Këto eshtra nuk i lashë në arkivol, por ia mora që t’ia ruaj në shtëpi. Dhe siç e shihni, unë fle bashkë me to. Mua m’u vra edhe një djalë tjetër mbas çlirimit. Nuri e kishte emrin. Edhe ai kishte qenë partizan. Gjaku i tyre nuk vate dëm, prandaj ne nënat e mbamë kokën lart”.

Në kohën që nënë Shahua mbante në duar eshtrat e të birit, kinezi me gishta të fashuar, u mpi i tëri. Ai  jo vetëm që s’rënkoi më, por dhe dora që tundte, i ngriu për vendi.

Nënë Shahua na la pa mend të tërëve. As unë nuk e dija që ajo mbante në shtëpi eshtrat e gojës të Jasharit. Të tilla ishin nënat shqiptare.

U ndamë me nënë Shahon duke marrë me vete kujtime të pashlyera dhe emocione të veçanta.

Gazetarët kinezë gjatë gjithë itinerarit mbajtën shënimet e duhura, kurse skena me nënë Shahon s’kishte nevojë të shkruhej. Episodi me të përbënte nga ato të vërteta që iu ngjajnë gdhendjeve në shkëmbenj…

Nënë Shahua ishte një grua me trup të vogël, por brenda saj rrihte një zemër e madhe. Ajo, ashtu si gjithë nënat e dëshmorëve, meritonin plotësisht të rrethoheshin nga dashuria dhe respekti i pakufishëm, pasi djemtë e vajzat që iu ranë në luftë, nuk i qanë, por iu kënduan këngë dhe ua ngritën më lart lavdinë…

Nënë Shahua ka kohë që ka vdekur dhe me sa di unë, në shtëpinë  e saj në Kuç nuk banon njeri. Nuk e di se ç’bëhet me vazon e qelqit ku prehej nofulla e djalit të saj. Nëse ajo ruhet nga një prej pasardhësve të nënë Shahos, do qe me vlerë të madhe historike të ishte pjesë e inventarit të Muzeut Historik Kombëtar, si një nga reliket më të çmuara të tij, para së cilës, kam bindjen e thellë, se vizitorët do të meditonin thellë.

 

*Nga libri me kujtime i autorit “Në vorbullën e jetës”

Please follow and like us: