Albspirit

Media/News/Publishing

Barbara WESEL: Brexit, një gabim i madh

Brexit - një gabim i madh

Nëse britanikët vendosin pro daljes nga BE, ky mund të ishte gabimi më i madh. Mbetet vetëm shpresa, që personat me të drejtë vote të frenohen në kabinën e votimit e të mos e ndërmarrin hapin shkatërrimtar

Vrasja brutale e deputetes laburiste Jo Fox është një pikë tjetër e ulët në betejën e keqe për Brexit. Vrasja krijon një shtresë tjetër në konstruktin kompleks të përbërë nga argumente dhe emocione, të cilat e fshehin vështrimin ndaj asaj, për të cilën bëhet fjalë në fakt. Nëse Britania e Madhe do të qendrojë apo jo në BE, kjo na prek të gjithë ne. Një Brexit mund t’u japë krahë nacionalizmit dhe drejtimit autoritar të qeverisë dhe të minojë në këtë mënyrë themelin tonë politik. Ai mund të kthehet në gabimin më të madh në historinë tonë më të re.

Helmi populist

Ata që qendrojnë në ballë të fushatës për dalje nga BE, si Nigel Farage janë përgjigjia britanike ndaj populistëve të djathtë në shtete të tjera evropiane. Farage është ajo që është Marine Le Pen për Francën: një politikan që shan sistemin dhe njëkohësisht që e shfrytëzon atë për të fituar edhe më shumë pushtet. Por tabloja është më e pasur. Këtu bëjnë pjesë karrieristë të paturpshëm si Boris Johnson, i cili i ka mbërthyer sytë te posti i David Cameronit të pafat dhe që dëmton ndoshta me këtë partinë e tij konservatore. Por është edhe Michael Gove, i krahut antievropian të partisë, i cili e lëvdon Brexit si një skaut aventurën e tij të re.

Ajo që i bashkon këta partnerë të ndryshëm është mesazhi i tyre i përbashkët: hidhuni thjesht në pasiguri dhe mbërrini në këtë mënyrë në një të ardhme më të mirë. “Merrni kontrollin” është parulla e tyre kryesore. Me këtë ata vlerësojnë një iluzion, i cili duket tërheqës pikërisht për ata, që e shohin veten humbës të globalizimit. Që ata t’i ngresh kundër BE është e lehtë, sepse shtypi antievropian ka dekada që e pasqyron Brukselin si strofkë të të gjitha të këqiave. Ky mesazh ka sukses te zgjedhësit në veriun ekonomik të lënë pas dore dhe në qytetet e goditura nga kriza të bregdetit. Ai që ka humbur punën dhe të cilin e kanë shtypur shndërrimet shoqërore sheh se i ka ardhur ora që të mbrohet.

Fjala nuk është për fakte

Fushata për të dalë nga BE ka punuar në mënyrë konstante me statistika të gabuara dhe gënjeshtra të kulluara. Michael Glove gënjeu madje edhe për historinë ekonomike të familjes së tij, vetëm për të mbledhur pikë kundër Evropës. Kjo nuk luan fare rol, sepse ndeshja nuk ka të bëjë fare me fakte, por me ndjenja. Njerëzit duan të ndihen të konfirmuar në pikëpamjet e tyre dhe nuk duan të dëgjojnë pikëpamje të tjera. Debatet televizive e bëjnë veçanërisht të qartë këtë, sepse kthehen në beteja politike të baltosjes së kundërshtarit.

Prandaj mund të arrish pak nëse përdor argumenta racionale për BE. Shefi i Bankës së Anglisë, akademikë me prestigj të lartë, kryetarë qeverish evropiane dhe drejtues me ndikim koncernesh u kanë këshilluar britanikëve që të rrinë në BE. Ata u kanë rënë në gjunjë britanikëve dhe janë përpjekur t’i bindin. Por për fushatën që kërkon largimin nga BE, këta janë pikërisht përfaqësues të asaj elite, që gjoja kërkon t’u marrë njerëzve të drejtën që të vendosin për fatin e tyre. Pas një Brexit jeta do të bëhej më e vështirë dhe më e pasigurtë. Por kjo duket që nuk ka fare rëndësi, përballë perspektivës marramendëse për t’ia treguar njëherë tamam vendin sistemit.

Tani mbetet vetëm shpresa, që personat me të drejtë vote të frenohen në kabinën e votimit e të mos e ndërmarrin hapin shkatërrimtar. Është shpresa që arsyeja e lindur e shëndoshë e britanikëve do t’u rezistojë premtimeve ambivalente të demagogëve e mashtruesve.

/DW

Please follow and like us: