Albspirit

Media/News/Publishing

Bujar Leskaj: Risqet e Shqipërisë

Risqet e Shqipërisë

 

Konferenca e katërt shkencore e KLSH “Analiza e Riskut” merr një rëndësi të veçantë në kushtet e zhvillimit të vendit tonë, ku teknikat e identifikimit, vlerësimit dhe menaxhimit të risqeve, sidomos në ekonomi, ende njihen pak.

Qasjet në analizën e riskut janë të shumta, por në prezantimet gjatë këtyre tre ditëve të Konferencës, do të synojmë modestisht të identifikojmë kërcënimet, të vlerësojmë risqet, të tregojmë mënyrat për t’i menaxhuar, nganjëherë edhe shmangur, por në tërësi duke u përpjekur të pakësojmë efektet e tyre. Do të trajtojmë vlerësimin e riskut në fushën e burimeve natyrore, pasurive kombëtare, burimeve financiare, monetare, etj., riskun shoqëror dhe njerëzor dhe impaktin e tyre në vendimmarrje, sidomos për reformat tërësore në menaxhimin e borxhit publik, riskun në auditimin e tenderave publike, në auditimin anti-korrupsion, etj.

Konferenca do të sjellë praktikat e mira të analizës së riskut të partnerëve tanë, institucioneve supreme të auditimit, të kërkimit të aplikuar në profesoratin dhe botën akademike shqiptare, të shoqërisë civile dhe të audituesve tanë, duke synuar pakësimin e risqeve dhe menaxhimin e tyre. Gati të gjitha prezantimet në Konferencë kanë një emërues të përbashkët, bashkëpunimin në sistem, njëlloj si moto e INTOSAI-t “Experentia mutua Omnibus prodest”(Nga përvoja e përbashkët fitojmë të gjithë”).

Duhet të tregojmë kujdes të mos i politizojmë kumtesat. Të gjithë e dimë se jetojmë në një mjedis të ngarkuar nga një debat i ashpër politik dhe duhet t’i mbajmë përpjekjet tona, idetë dhe sugjerimet tona sa më larg politikës së ditës, duke respektuar mbi të gjitha standardet tona si Institucion i Lartë Auditimi.

Raporti i Risqeve Globale 2015 i Forumit Botëror Ekonomik në Gjenevë rendit si risqe me probabilitet më të madh për të ndodhur në ekonominë botërore, dhe që kanë impakt më të lartë, dukuri si deflacionin, krizat financiare, goditjet e çmimeve të energjisë, dështimin e mekanizmave themelore financiare, papunësinë strukturore të lartë, apo dhe të tjera si pabarazia e fortë e të ardhurave, dëmtimet nga përmbytjet, paqëndrueshmëria e thellë politike dhe sociale, dështimet nga mekanizmat e lartë financiarë, etj..

Nëse këtë harte risqesh e sjellim edhe në Shqipëri, do të shohim se mundësia e ndodhjes së pjesës dërrmuese të këtyre risqeve përgjatë vitit 2016 dhe në një periudhë afatshkurtër 2-3 vjeçare, është e lartë.

1- Një nga risqet më të larta për vendin tonë është risku i korrupsionit të ngritur në sistem në administratën tonë shtetërore, i shfrytëzimit pa kriter të pasurive natyrore, i keqmenaxhimit të kontratave koncesionare, sidomos të marrëveshjeve hidrokarbure, mosmenaxhimi i partneriteteve publik-privat me një kosto tejet të rëndë për Buxhetin e Shtetit, etj. Në Deklaratën Globale Kundër Korrupsionit të Samitit Anti-Korrupsion të Londrës më 12 maj 2016, i cili formoi një koalicion ndërkombëtar unikal qeverish, agjencish ligj-zbatuese, organizatash ndërkombëtare, shoqatash të shoqërisë civile dhe kompanish private të angazhuara, në Pikën e Parë të saj theksohet se :“ Korrupsioni duhet të zbulohet dhe denoncohet – të sigurohemi që nuk ka vend ku të fshihet:…- Duke rritur transparencën e buxheteve qeveritare, informacionit tatimor dhe prokurimit publik, për të penguar evazionin fiskal dhe për të vënë në dukje vjedhjen ose keqpërdorimin e parave të taksapaguesve”.

2- Si KLSH kemi kërkuar në mënyrë të përsëritur në raportet tona për zbatimin e Buxhetit të konsoliduar të Shtetit, që risku i borxhit publik të pakësohet, duke përdorur 50 përqind të të ardhurave nga privatizimet strategjike për shlyerjen e borxhit, si dhe të respektohen objektivat e vendosura në Strategjinë për Menaxhimin e Financave Publike 4014-2020 në lidhje me borxhin publik. Mosrespektimin e parashikimeve të Strategjisë për nivelet e borxhit duhet ta konsiderojmë si problem të mbartur, duke u përpjekur të gjithë për ta zgjidhur, e jo ta mendojmë si përgjegjësi vetëm e Ministrit të Financave.

3- Një tjetër shembull i një risku, i cili po të verifikohet sjell një shumatore risqesh të tjera në ekonominë shqiptare, është rënia e ndjeshme e eksporteve të vendit, që një studim i fundit i Bankës Botërore i parashikon me 10 përqind ulje vetëm për këtë vit. Mund të parashikohen lehtë vështirësitë që një risk i tillë sjell në bilancin e pagesave, në nivelin e fuqisë blerëse dhe në atë të punësimit në vendin tonë. Në rast se një risk të tillë e parashikojmë dhe e llogarisim mirë, dhe sidomos, punojmë në sistem si Ekzekutivi, ashtu dhe aktorët e tjerë, për përgatitjen dhe realizimin e një programi afatshkurtër masash energjike balancuese, të tilla si mbështetja dhe stimulimi më i fortë i eksporteve tona bujqësore, dhënia e lehtësive fiskale industrisë së fasonit, turizmit, etj., atëherë ky risk i lartë mund të pakësohet dhe po ashtu ulen edhe pasojat e tij në ekonominë tonë.

4- Gjykojmë po ashtu se risku i efektivitetit dhe efiçiencës së punës së audituesve të brendshëm është shumë i lartë. Strategjia e Menaxhimit të Riskut nuk po zbatohet si duhet dhe puna e koordinatoreve të riskut, të cilët janë edhe nëpunësit autorizues të çdo enti publik, lë për të dëshiruar. Një nga sfidat tona kryesore si KLSH është menaxhimi efektiv dhe i drejtë i riskut përmes vlerësimit të operimit të sistemeve të auditimit të brendshëm, bazuar në vlerësimin e proceseve dhe risqeve që shoqërojnë aktivitetet, me qellim që të zbusim ose eliminojmё risqet.

5- Jemi të shqetësuar për riskun e hendekut të thellë të krijuar nga pabarazia sociale në vend, me rritjen tejet problematike të numrit të njerëzve të ngelur pa punë dhe pa mundësi jetese. Mendojmë se ky risk social, risku i varfërisë kërkon politika të sinqerta, plane pune dhe ndërhyrjesh të qarta dhe efektive, dhe jo show mediatik.

6- Një risk të përhershëm në këta 25 vjet e përben risku i pronave në Shqipëri, problematikat dhe oshilacionet e tregut të pronave, duke jua mohuar apo sakatuar të drejtën pronarëve legjitimë, si dhe duke dekurajuar apo shpesh edhe minuar përpjekjet për rritjen e pranisë së kapitalit të huaj në ekonominë tonë. Ky risk ka nevojë për një trajtim-zgjidhje të përhershme dhe afatgjatë.

7-Informatizimi i shërbimeve shtetërore ndaj qytetarit dhe i kompanive publike me rëndësi në tregun dhe ekonominë e vendit, sjell nevojën e projektizimit të veprimtarisë së tyre dhe domosdoshmërinë e llogaritjes së saktë të riskut të përdorimit të teknologjisë së informacionit në vendim-marrjen publike. Nuk mund të realizojmë performancën e duhur pa projekte fizibël, ku risku i parashikimeve dhe vlerave financiare të projektit të jetë i mirëllogaritur. Projektet nga ana e tyre duhen parë brenda një sistemi vlerash dhe objektivash që i kemi vënë vetes. Dhe dihet që nuk mund të ndërtojmë një sistem pa risk. Vetë sistemi është kusht i domosdoshëm për menaxhimin e riskut.

Një arsye tjetër themelore pse e organizojmë këtë Konferencë është mungesa e theksuar në Shqipëri e analizave të riskut në institucionet publike. Ne ketë kontekst, identifikimi i risqeve është problem i rëndësishëm për të cilin duhet një impenjim me i madh te paktën ne sektorët apo projektet qe ngërthejnë investime te larta, apo ne shëndetësi, arsim, turizëm, mjedis, etj. Listimi i risqeve dhe aq me tepër, ndërtimi i diagrameve apo hartave përkatëse me karakteristikat me themelore te tyre, si objekti, vendi, demi i pritshëm dhe masa e tij, masat e mundshme preventive për mënjanimin eventual te tyre, mund te jete një objekt studimi dhe veprimi ne te ardhmen.

Ne duhet të përshtasim dhe përditësojmë në vijimësi legjislacionin tonë mbi koncesionet dhe partneritetet publik-privat, sikurse ka bërë Bashkimi Evropian me Direktivën e Komisionit Evropian 2014/23 “Mbi Kontratat Koncesionare”, e cila thotë shprehimisht : “Mungesa e rregullave të qarta në nivelin e BE-së mbi kontratat koncesionare krijonte pengesa dhe pasiguri ligjore për ofrimin e lirë të shërbimeve, duke shkaktuar çrregullime dhe diskriminim në tregjet europiane të koncesioneve… Direktiva e Koncesioneve synon të forcojë sigurinë ligjore, duke krijuar një bazë solide rregullatore për një zbatim uniform të parimeve të Traktatit nga shtetet anëtare. Qëllimi i legjislatorit të BE-së është që të miratojë rregulla të qarta dhe të thjeshta për dhënien e kontratave mbi një kufi të caktuar monetar”.

Sidomos për partneritetet publik-privat ka patur nga institucionet ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore apo USAID shqetësime për mangësi të theksuara në studimet e fizibilitetit dhe në të dhënat për raportin kosto-përfitim, të cilat dëshmojnë moskryerjen si duhet dhe mosthellim në analizat paraprake të riskut.

Në strategjitë, planet taktike e operative (kur ato ekzistojnë) të shumicës së institucioneve tona qendrore, analiza e riskut është pothuajse inekzistente dhe gjendja përkeqësohet vazhdimisht. Asnjë institucion të cilin e kemi audituar me auditimin e performances, nuk ka patur një analizë SËOT (Fuqitë, Dobësitë, Mundësitë dhe Kërcënimet), apo PESTLE (analizë që përqendrohet në fushat “P” –politike-, “E“ –ekonomike-, “S” –sociale-, “T” –teknologjike, “L“ –ligjore- dhe “E“ –mjedisore), apo cilëndo lloj teknike tjetër që identifikon, klasifikon, analizon dhe menaxhon risqet në afat të shkurtër dhe të gjatë. Dhe vetë ne në KLSH nuk po arrijmë ta implementojmë ende analizën PESTLE, ndërsa performancën e institucionit synojmë ta masim sipas ISSAI-t “Korniza e Matjes së Performancës së SAI-t”, standard i cili është në përpunim dhe do të konfirmohet në Kongresin e ardhshëm të INTOSAI-t.

Në dritën e kompleksitetit të teknologjive të informacionit dhe komunikimit dhe natyrës së tyre që ndryshojnë me shpejtësi, qeverisja duhet të jetë e pozicionuar në mënyrë të tillë që të lehtësojë dialogun mes të gjitha palëve të interesuara, për të ulur riskun e keqpërdorimit dhe abuzimit me IT. Për rregullatorët e veprimtarisë publike me bazë përdorimin e teknologjive të informacionit, një dialog me ekspertët dhe shkencëtarët, në hap me kohën dhe zhvillimin e këtyre teknologjive është e vetmja mënyrë për të kuptuar potencialin dhe implikimet e ardhshme të tyre në shërbimet publike ndaj qytetarit. Duhet të ndërgjegjësohemi të gjithë se për funksionimin efektiv të Qeverisjes elektronike kemi ende shumë për të bërë. Për këtë nevojitet një gjuhë e përbashkët dhe një diskutim i hapur rreth përfitimeve dhe risqeve. Nga ana tjetër, mendoj se sot i tërë procesi i matjes dhe menaxhimit të riskut duhet të trajtohet i lidhur ngushtë me IT, sepse risku duhet kuantifikuar, analizuar dhe menaxhuar përmes sistemeve IT që minimizojnë vendim-marrjen subjektive të menaxherëve publikë e privatë. Analizat e riskut nuk mund dhe nuk duhet të jenë përshkruese (narrative), sepse riskojmë të krijojmë më shumë konfuzion sesa zgjidhje, por duhet të përcaktojnë në thellësi faktorët e riskut, si dhe faktorët që pakësojnë ose e shmangin riskun.

Nuk duhet të harrojmë se “risku është histori” dhe historia në institucione përfaqësohet nga baza e të dhënave. Kjo bazë të dhënash në administratën tonë publike, qendrore dhe vendore, menaxhohet pa shumë kujdes. Në rastet e rotacionit politik, ndodh shpesh që baza e të dhënave e institucionit shtetëror zerohet, nganjëherë edhe qëllimisht, duke fshirë kujtesën institucionale. Në vend që të informatizohet, plotësohet dhe të bëhet lehtësisht e aksesueshme, baza e të dhënave në rastin më të mirë injorohet, në rastin më të keq shkatërrohet.

Risqet duhet të komunikohen në mënyrë efektive dhe krejtësisht të hapur në publik nga qeveria, institucionet e pavarura, biznesi dhe shoqëria civile. Risku vetëm duke u analizua dhe stigmatizuar mund të ulet. Çdo injorim ose mostrajtim i riskut rëndon problematikat me të cilat përballet administrimi shtetëror. Ne si KLSH jemi të angazhuar në procesin e quajtur “peer revieë”(rishikim mes kolegesh). Kemi pritur misionin e kolegëve auditues nga Gjykata e Auditimit të Austrisë, që pranuan të na auditojnë në këtë proces dhe presim raportin e tyre.

Në cilindo rast kur sigurohet transparenca e plotë në vendim-marrje,  analiza e plotë për identifikimin, menaxhimin, pakësimin ose shmangjen e risqeve ka më shumë gjasa të ndodhë, nëse palët e interesuara njihen me shembuj të praktikave të mira për t’u ndjekur.  Ky është edhe qëllimi parësor që na shtyu të organizojmë këtë konferencë, për të dhënë qasjet dhe eksperiencat e mira në analizën e riskut te partnerëve tanë të huaj dhe vendas.

Me shpresë që kumtesat, analizat, fjalimet dhe diskutimet do të japin atë vlerë të shtuar, për të cilën zhvillimi i sotëm i qeverisjes publike ka nevojë, Ju uroj të gjithëve suksese në Konferencë!

*Fjala e Kryetarit të KLSH, Dr. Bujar Leskaj në Konferencën e katërt Shkencore të KLSH

Please follow and like us: