Edhe më shumë se Kokëdhima!… Skema sesi “gazetari” i Ramës, Karlo Bolino po shpërblehet me miliona
Ish kryeminsitri Sali Berisha ka postuar në rrjetin e tij social një material investigativ që flet sesi pronari i mediave TV Report, gazetës Shqiptarja.com dhe portalit me të njëjtin emër që prej ardhjes së Rilindjes në pushtet po shpërblehet me miliona euro tendera për shërbimet e ofruara Partisë Socialiste dje në opozitë e sot në qeveri. Berisha e nis postimin e ij duke u akuzuar se: “Ja si vjedh Rama me Bolinon e tij, njeriun, mafiozin 24 karatesh karboni, te akuzuar per lidhje financiare me Sacra Corona Unita, sharlatanin qe iu servirte shqiptareve lajme sikur i dergonte nga Xheriko kur ne fakt i shkruante nga Marikaj! Ju lutem lexojeni vet investigimin e plote te gazetareve guximtar”
Për më tepër lexoni investigimin e postuar të plotë nga ish kryeminsitri.
INVESTIGIM:
“Mbështetje për shoqërinë civile” / Milionat e qeverisë për OJF-në e Karlo Bolinos
Një nga bosët e medias në Shqipëri, italiani Karlo Bolino, ka arritur të zhvasë nga taksat e shqiptarëve miliona lekë.
Madje, ai ka marrë me qira me çmime qesharake edhe disa prona publike, të cilat i shfrytëzon, siç është edhe “Bunk’art”, në Tiranë, një bunker ushtarak, i hapur për publikun para pak kohësh. Bunkeri u rikonstruktua me paratë e shqiptarëve, ndërsa mësohet se ka kushtuar rreth 100 mijë USD.
Dyshimet për “Bunk’art”
Një shoqëri italiane, “Spazio Eventi Albania” bëri edhe rikonstruksionin, deri sa u hap vitin e kaluar. Më pas, me disa procedura të dyshimta nga ministria e Kulturës, apo ajo e Mbrojtjes, ia kaluan në administrim OJF-së “Qendra URA”, që ka të dhëna se është nën administrimin e manjatit italian, që vepron në Shqipëri prej më shumë se 25 vitesh, fillimisht me “Gazeta Shqiptare” e “News 24” dhe tashmë me “Shqiptarja.com” dhe “Report TV”.
Boldnews.al ka bërë një investigim të mënyrave sesi Bollino ka përfituar paratë.
Ai ka regjistruar në Agjencinë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile një OJF (lista e OJF-ve në Tiranë:http://www.amshc.gov.al/web/ojf/Qarku-Tirane.htm). OJF-ja me numër rendor 210, “Qendra Ura”, ka si administrator shtetasin Ergys Gezka, i cili rezulton se është drejtues edhe i një OJF-je tjetër. Në këtë listë, “URA” ka edhe një nipt L21721454C. Boldnews.al bëri një kontroll të thjeshtë në QKR, por nuk kishte asnjë subjekt të regjistruar me këtë nipt.
Më pas, Boldnews.al kontrolloi në listëpagesat e Thesarit të Shtetit, për këtë OJF. Nga të dhënat e përfituara ka rezultuar se në pagesat e 31 dhjetorit të vitit 2014, kjo OJF ka marrë rreth 50 milionë lekë të vjetra. Ministria e Kulturës i ka dhënë 40 përqind të kontratës me numër 5208 të datës 11 nëntor 2014. Mësohet se në shpjegimet e kësaj pagese, është edhe një VKM me numër 596 e datës 10.09.2014. Sipas kontrollit. Kjo VKM e Këshillit të Ministrave, bën fjalë fjalë për përdorimin e fondit rezervë. Janë dhënë 77.5 milionë lekësh për shpenzime korente dhe 6.5 milionë lekë për shpenzime kapitale, për përballimin e shpenzimeve për festimet e 70-vjetorit të Çlirimit të vendit për disa ministri dhe institucione dhe konkretisht për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Kulturës.
Me këtë VKM janë mbuluar edhe shpenzimet e ardhjes së Papa Françeskut në Shqipëri.
Pra, OJF-ja e Bolinos ka marrë rreth 50 milionë lekë, me kontratën 5208 të ministrisë së Kulturës. Po çfarë është kjo kontratë?
Për këtë çështje ka bërë një auditim edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sipas këtij raporti, zonja Elira Kokona, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, duhet ti jepet masë disiplinore për shkelje të konstatuara në lidhjen e kontratave për përfituesit e financimit të projekteve nga Ministria e Kulturës. Një nga këto projekte është edhe “Bunk’Art” (BUNKERI). “Konstatohet se me urdhrin nr.309, datë 30.10.2014 të ministrit, urdhërohet financimi i projektit ‘BUNKERI’ që do të realizohet nga QSSL në vlerën 11,985,000 lekë, autorizohet znj. Elira Kokona, sekretare e Përgjithshme për nënshkrimin e kontratës me z. Ergys Gezka, Drejtor Ekzekutiv i QSSL, me të cilin është lidhur kontrata e shërbimit nr.5208, datë 11.11.2014. Lidhja e kontratës, është bërë në kundërshtim me ligjin nr. 10352, datë 18.11.2010, neni 27/1, i ndryshuar dhe VKM nr. 709, datë 24.10.2012 kreu III, pika 3, 4 dhe 5, pasi subjekti përfitues nuk është përzgjedhur nga komisioni i ngritur për vlerësimin e cilësisë artistike e ekonomike dhe Kolegjiumi, veprim i cili ngarkon me përgjegjësi znj. Elira Kokonën, Sekretare e Përgjithshme” thuhet në raportin e KLSH-së (http://www.klsh.org.al/web/pub/njoftim_mk_2116_1.pdf).
“Mbështetje për shoqërinë civile”
Ndërkohë, Boldnews.al ka thelluar më tej investigimin për këtë OJF, e cila rezulton se ka marrë edhe grante të tjera. Kështu, sërish Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC), më 11.05.2015 ka bërë një transaksion nga Thesari i Shtetit. Kjo agjenci thotë se ka disbursuar OJF-në “Qendra Ura” me 70 përqind në bazë të një vendimi të datës 1 prill 2015 dhe kontratës me numër 131/2 me objekt “mbështetje për shoqërinë civile”. Në këtë rast, pagesa sipas listëpagesës, është 13 milionë lekë të vjetra.
“Ura” ka marrë një pagesë rreth 6 milionë lekë të vjetra edhe në muajin shkurt të këtij viti, sërish nga AMCHC-ja, për grantin e 1 prillit të vitit 2015.
Pagesat kanë vijuar më 25 maj të këtij viti, ku “Qendra URA” ka marrë plot 21 milionë lekë të vjetra. Sërish, objekti i kësaj pagese sipas listëpagesave të Thesarit të Shtetit, janë “mbështetje për shoqërinë civile”. Në rastin e fundit, është ekzekutuar kontrata me numër 13/3 e datës 16 maj.
Tashmë, mbetet për tu parë, pagesa e radhës e agjencive shtetërore për OJF-në e Karlo Bolinos, i cili ka arritur të vërë në rresht të gjithë shtetarët shqiptarë, duke u bërë presion nëpërmjet mediave që ka në pronësi.