Albspirit

Media/News/Publishing

Fitorja me Rumaninë – Mediat ndërkombëtare: Historia shkruhet, e gjithë bota tashmë e njeh Shqipërinë!

20/06/2016 – 9:23 Nga: Glendi Tafaj
[youtube https://www.youtube.com/watch?v=d-K88UlBhVA]

Një fitore historike në një eveniment që Shqipëria e prek për herë të parë. Suksesi madhështor i kuqezinjve në takimin ndaj një shkolle autentike futbolli si Rumania ka tërhequr vëmëndjen e disa nga mediave më prestigjoze në arenën ndërkombëtare.

Portali italian sportmediaset shkruan: Goli historik i Sadikut rrëzon në tapet Rumaninë, Shqipëria shpreson! E përditshmja e njohur “Gazzeta dello sport” fokusohet tek njeriu gol, Armando Sadiku, duke e cilësuar si vendimtar në suksesin e kuqezinjve.

“Historia shkruhet: Sadiku siglon vendin e tretë me golin e parë të Shqipërisë në Kampionatin Europian”, ky ishte titulli i britanikes “The Sun” në lidhje me fitoren e kombëtares sonë.

Jehona e përfaqësueses ka prekur edhe Spanjën. E përditshmja madrilene “Marca” shkruan:  “E gjithë bota tashmë e njeh Shqipërinë, kuqezinjtë ëndërrojnë 1/8-at”

Një tjetër media iberike si “As”përqëndrohet tek fakti që kjo ishte fitorja e parë e kombëtares shqiptare në një event madhor, duke shtuar se tashmë të besuarit e De Biasit ndodhen pranë kualifikimit.

Ndërkohë që një festë shqiptare e cilëson prestigjozja gjermane “Bild” suksesin e kuqezinjve në përballjen kundër Rumanisë, “kombëtarja e vogël arrin fitoren e parë Europiane”.

Vëmëndje ndaj përfaqësueses shqiptare ka ardhur edhe nga përtej Atlantikut, ku kanali i njohur sportiv ESPN shkruan: “Shqipëria është ende gjallë dhe shpreson tek kualifikimi”.

Nuk kanë munguar as mediat serbe që kësaj here nuk kanë thumbuar askënd, duke i dhënë meritat skuadrës së De Biasit.

Një dhuratë për këtë fitore historike e ka ofruar edhe krijuesi i kolonës zanore të Europianit, David Guetta, duke postuar këngën me shtesën e duhur, ” This one’s for you Albania”.

Please follow and like us: