Albspirit

Media/News/Publishing

HADRIANOPOLI, midis malit Bureto dhe Gjirokastrës

HadrianopoliQyteti shtrihet në fushën ndërmjet malit Bureto dhe Gjirokastrës. Hadrianopoli përfaqësonte pushtetin romak në Jug të Shqipërisë. Me shkatërrimin e Antigonesë lindi ideja për ta zëvendësuar atë. Prandaj u ideua dhe u ndërtua Hadrianopoli. Ky qytet u ndërtua në fushë, sepse epoka e qeverisjes së Hadrianit konsiderohej si pax romane, pra, një kohë paqeje e garantuar. Plani urbanistik i Hadrianopolit u ideua nga vetë perandori, prandaj i vuri emrin e tij. Meqenëse Hadrianopoli gjendej në fushë, punimi i tokave dhe përmbytjet kanë zhdukur të gjitha elementet urbanistike të qytetit

Melsi Labi 

Hadrianopoli gjendet ndërmjet Sofratikës, Libohovës, Terihatit dhe Goricës. Ky qytet e ka marrë këtë emër prej perandorit Hadrian. Qyteti shtrihet në fushën ndërmjet malit Bureto dhe Gjirokastrës. Hadrianopoli përfaqësonte pushtetin romak në jug të Shqipërisë. Me shkatërrimin e Antigonesë lindi ideja për ta zëvendësuar atë. Prandaj u ideua dhe u ndërtua Hadrianopoli. Ky qytet u ndërtua në fushë, sepse epoka e qeverisjes së Hadrianit konsiderohej si pax romane, pra, një kohë paqeje e garantuar. Plani urbanistik i Hadrianopolit u ideua nga vetë perandori, prandaj i vuri emrin e tij. Meqenëse Hadrianopoli gjendej në fushë, punimi i tokave dhe përmbytjet kanë zhdukur të gjitha elementet urbanistike të qytetit. Zbulimet arkeologjike kanë nxjerrë në dritë disa elemente të qytetit antik: rrënojat e një teatri, një kishë paleokristiane dhe nekropolin. Ky i fundit gjendej në fshatin Sofratikë. Gjetja e katër mbishkrimeve mortore, të cilat u përkasin shekujve II-IV pas Krishtit vërtetojnë faktin se kemi të bëjmë me një nekropol qyteti. Në fshatin Goricë gjenden rrënojat e qendrës peshkopale.

Në Sofratikë gjendej teatri romak, i cili kishte një kapacitet prej 3500 spektatorësh. Teatri romak është ndërtuar në shek. II pas Krishtit. Gërmimet arkeologjike në teatrin e Sofratikës kanë filluar në vitin 1970 nga Apolon Baçe. Shkaku i fillimit të gërmimeve ishte dëmtimi i pjesshëm i kaveas së teatrit nga një kanal bonifikimi. Gërmimet u realizuan nga Instituti i Monumenteve dhe patën si qëllim konservimin e strukturave të dëmtuara të teatrit. Apolon Baçe, duke u mbështetur në Tabula Peutingeriana, ka botuar të dhënat e para rreth teatrit romak të Sofratikës. Sipas Baçes, teatri ishte i vetmi monument, që kishte mbetur nga qyteti antik i Hadrianopolit. Gjatë viteve të antikitetit të vonë dhe mesjetës, qyteti ishte spostuar në drejtim të Melanit.

Teatri kishte formën e një gjysëmelipsi me përmasa 40.5×51 metra. Ai kishte 24 shkallë, te të cilat uleshin spektatorët. Brenda qytetit gjendej ujësjellësi, i cili furnizonte Hadrianopolin me ujin e burimeve. Vite më pas, Hadrianopolisi mori emrin Justinopol, sepse u rindërtua nga perandori Justinian I. Këtë fakt e përmend Prokopi i Çezaresë. Perandori Justinian I (527-565), në shekullin VI, pasi e rikonstruktoi tërësisht qytetin e Hadrianopolit në Epirus Vetus, i vuri emrin e tij. Justinopoli përmendet në Tabula Peutingueriana. Në shekullin VI, qendra filloi të spostohej nga Sofratika në drejtim të Gjirokastrës.

Nga ndërtimet e kësaj kohe është zbuluar pjesërisht një ndërtesë, siç duket me karakter shoqëror. Muret e fazës së tij të parë janë punuar me teknikën pseudo opus reticolatum, karakteristike për shekujt e parë, përkatësisht të njëkohshme me teatrin.

Nekropoli gjendet në perëndim të teatrit, rreth 600 m larg tij, në rrëzë të formacioneve gëlqerore të vargut të djathtë. Punimet bujqësore dhe gjetjet sporadike dëshmojnë se varrezat shtrihen në një sipërfaqe të gjerë. Rrjedhimisht, nuk kemi të bëjmë me një varrezë fshatare, por me një nekropol qyteti, përkatësia e të cilit në këtë periudhë kuptohet dhe nga inventari i varrezave, si dhe gjetja e katër mbishkrimeve mortore të shek. II-IV. Isamberti përmend një stelë të periudhës romake, që sot nuk ruhet, kurse përpara shkollës 8-vjeçare të fshatit, në vitin 1966, gjatë sistemimit të oborrit të shkollës mësuesit, ndeshën në dy varre, të cilat u gërmuan. Varret kishin drejtim lindje-perëndim dhe formoheshin prej katër rrasash guri gëlqeror të bardhë. Brenda kishin nga dy skelete. Në njërin prej këtyre varreve u gjetën një unazë bronzi dhe një amforë me dy vegjë, me fund të sheshtë, ndërsa në tjetrin, një majë heshte hekuri, të cilat sot nuk ruhen. Në vitin 1971, përbri kësaj shkolle, gjatë punimeve bujqësore, traktori ndeshi në disa varre të tjera antike, që i përkisnin një nekropoli. Varreza ka një sipërfaqe prej 200 m2 dhe në përgjithësi, varret kanë formën e një sarkofagu të mbuluar me një bllok guri monolit. Nga zbulimet e rastësishme në varre janë gjetur shpesh enë të përdorimit të përditshëm, kandila të lyer me vernik të zi dhe disa monedha bronzi. Në vitin 1972, përsëri nga punimet bujqësore në vendin e quajtur Mengul, u zbuluan disa varre të tjera, në trajtën e një arke. Nga objektet e mbledhura këtu nga varret e zbuluara, mund të përmenden katër gurë varresh me mbishkrim, të dëmtuar pjesërisht (njëri ka një mbishkrim latinisht), një kupë e vogël prej balte me vernik të zi, një gjilpërë koke bronzi, si edhe një gotë qelqi.

Në fund të vitit 1973, po në këtë vend, u zbuluan 9 varre në trajtë arke. Të gjitha këto grupe varresh, të cilat ndodhen shumë afër njëri-tjetrit, duket se formojnë një varrezë të madhe të përdorur për një kohë të gjatë prej shek. IV para Krishtit deri në shek. I pas Krishtit. Prej punimeve bujqësore, gjithashtu janë zbuluar mure me gurë e llaç, teknikisht të njëjtë me muret e teatrit. Themele të tjera në këtë zonë janë parë edhe prej Hjugsit.

Materiali i zbuluar në nekropol (amfora, skyfos, vazo) janë të shek. III para Krishtit. Orkestra e teatrit ndodhet 3-3,5 m nën nivelin e fushës. Shtresa kulturore e shek. II-VI ka një trashësi rreth 40 cm, ndërsa aluvionet mbi të, rreth 3 m. Kjo shpjegohet me prerjen masive të pyjeve në shpatet perëndimore të luginës dhe depozitimin e aluvioneve në fushë.

Në gërmimet është gjetur qeramikë e viteve 150 para Krishtit (me vernik të zi, terra sigillata italike dhe orientale, fragmente kupash dhe vazosh xhami). Brenda në teatër janë gjetur 3 monedha të gjysmës së parë të shek. II, dy kandila dhe qeramikë terra sigillata, të cilat shënojnë terminus ante quem-in për ndërtimin e teatrit. Në mbushjen e caveas është gjetur qeramikë e shek. I-II. Pas një hiatusi treshekullor në cavea-n e teatrit, me spolie të marra prej tij, ndërtohen 7 banesa, ndërsa në galerinë e hyrjes perëndimore një kishë e vogël paleokristiane.

Në rrugën Apoloni-Larisa, 55 m.p. nga Amatria (Amantia), Tabula Peutingeriana (TP 7 3 570) shënon Hadrianopolin. Ky pozicion që përputhet mjaft mirë me atë të qytetit në Sofratikë lejon identifikimin e tij. Nekropoli, me fillesë në shek. IV para Krishtit materiali mbushës i cavea-s i shek. I dhe qeramika e shek. I para Krishtit e zbuluar gjatë gërmimeve tregon se Adrianopoli lindi mbi një vicus të mëhershëm. Mungesa e qeramikës së shek. IV-VI tregon braktisjen e qytetit me fillimin e pushtimeve gote. Ndërtimet me karakter grabitqar, pa vlera arkitektonike dhe shtresa e varfër kulturore e shek. VI tregojnë për degradimin e Hadrianopolisit në nivelin e një vendbanimi të vogël në këtë kohë. Në shek. VI rindërtohet fortifikimi në kalanë e Melanit, i cili merr emrin e qytetit fushor të Hadrianopolit, duke qenë njëri nga 12 qytetet e Epirit të Vjetër.

Fundi i periudhës romake karakterizohet nga lindja e një vargu qendrash të fortifikuara, pasojë e inkursioneve barbare. Për nga karakteri dhe madhësia këto qendra mund t’i klasifikojmë në castra (kala) (Justinianopolis), që i përgjigjet πόλις “polisit” dhe castella“kështjella” (Paleokastra, Kollorca) me madhësi të njëjtë me πόλισμα. Shtrirja e gjerë në fushë e Hadrianopolit dhe reduktimi i sipërfaqeve në shek. VI, e bëjnë të pamundur rrethimin e tij, kështu që rimerret qyteti i lartë në Bregun e Melanit me pozitë të mbrojtur. Fortifikimet e tjera ngrihen në terrene të mbrojtura nga natyra, duke pasur në këtë drejtim njëfarë afërsie me fortifikimet pararendëse. Por krahas zgjidhjes tradicionale, fortifikimit të terreneve të rrëpirtë dhjetëra metra mbi rrugën, në rastin e Paleokastrës problemi zgjidhet në një mënyrë të re: një kështjellë fushore e mbrojtur nga të dyja anët prej shtratit të lumenjve, para së cilës detyrimisht kalonte rruga. Zhvendosja e Hadrianopolit në Melan solli ndryshimin e funksionit, nga një qendër administrativo-ekonomike në një qendër administrativo-ekonomike-ushtarake, e cila, përveç mbrojtjes së vetvetes dhe rolit të strehimit për popullsinë përreth, shërbente edhe si kontrollues aktiv i lëvizjeve në luginë.

Problemi i fortifikimeve në pellgun e Drinos paraqitet më i thjeshtë në kështjellën e Paleokastrës dhe atë Justinianopolit (Melan). Kështjella e Paleokastrës, me teknikën specifike të ndërtimit, opus mixtum, me breza me 5 rreshta tulle, ku trashësia e tullës është më e madhe se e llaçit, si edhe qeramika, datohet e shek. IV pas Krishtit. E dhëna e Prokopit të Çezaresë se: “Perandori (Justinian) ndërtoi në Epirin e vjetër qytetin Justinianopolis, që më parë quhej “Hadrianopolis” gjen mbështetje të plotë edhe nga teknika e ndërtimit të mureve të Melanit. Qeramika e ndërtimit, krejtësisht e njëjtë me atë Paleokastrës, e daton edhe Shtëpëzën të njëkohshme me të. Datimi në periudhën antike i Kordhocës dëshmohet prej Pukëvilit, i cili shkruan se gjatë disa gërmimeve në kohën e Ali pashë Tepefenës u zbuluan mozaikë dhe fragmente arkitektonike të periudhës së vonë antike. Po kështu, qenia e saj thuajse ngjitur me kalanë e Gjirokastrës, pa pasur ndonjë fushë të gjerë shikimi, përjashton mundësinë e ndërtimit në mesjetë. Për datimin e Mavropullit vijnë fragmentet arkitekturore të antikitetit të vonë, të gjetura prej Isamberit në tërë sipërfaqen e kalasë.

Hadrianopoli, i ndërtuar në fushën e luginës së Drinos, pranë fshatit Sofratikë, ka vazhduar të lulëzojë në mënyrë të qetë deri në fundin e shek. IV pas Krishtit, kur dyndjet barbare sollën ndryshime të shumta në të gjitha territoret tona. Gërmimet e kufizuara vetëm në teatër dhe mospublikimi i tyre, si dhe mungesa e vëzhgimeve të thelluara në këtë qendër nuk kanë dhënë mundësi për ta njohur periudhën e shek. V-VI. Në vitin 2003, gjatë punimeve të bëra për largimin e ujërave nga teatri, janë kapur struktura muresh, por pa përcaktuar funksionin e tyre, çka do hidhte dritë nëse kjo qendër është fortifikuar në periudhën e ndërtimeve të shumta në fillimin e shek. V pas Krishtit. E dhëna e Prokopit të Çezaresë se Justiniani rindërtoi qytetin Justinianopol, i cili quhej më parë Hadrianopol, nuk është e mjaftueshme për të dalë në përfundimin se qyteti i emërtuar me emrin e ri ka ndryshuar vend, duke u ngjitur në kodrën e Teqesë së Melanit. Deri tani, vetëm një gjë është e sigurt që muri i ndërtuar në kodrën e Teqesë së Melanit ka të gjitha të dhënat teknike dhe stilistike për t’u radhitur me ndërtimet e shumta të bëra gjatë sundimit të perandorit Justinian.

Nga muret e antikitetit të vonë disa fragmente në trasenë veriperëndimore dhe jugore ruhen deri në lartësi 3,50-4,50 m. Trashësia e njëjtë në të gjithë trasenë e murit është 1,70 m. Muret në faqe janë ndërtuar sipas mundësisë për të shfrytëzuar murin antik a parahistorik, me blloqe poligonale, kuadratike apo vetëm të thyer, të kombinuar me gurë të vegjël e mesatarë dhe fragmente tjegullash, ose thjesht pa blloqe të lidhura me llaç gëlqereje, përzier me zhur a granil. Fragmentet e tjegullave të përdorura janë ato të periudhës helene dhe antikitetit të vonë (sqep zogu). Bërthama është ndërtuar me gurë të vegjël dhe shumë llaç. Në pjesët e ruajtura të anës veriperëndimore shihen shumë mirë, si në faqe, edhe në bërthamë nivelimet e bëra në një lartësi që lëviz 0,60–0,70 m. Nivelimi është bërë me pllaka, tjegulla a gurë të vegjël dhe llaç të bollshëm. Këto nivelime, ndryshe nga ato të kalasë së Shkodrës, ku në brendësi janë zëvendësuar me breza druri, janë gati të njëjta me muret e Bylisit të ndërtuara nga Viktorini.

Në sheshin midis ndërtesës së teqesë dhe kishës pasbizantine ka shumë rrënoja. Janë zbuluar pjesërisht tri nga sternat. Rrënojat e tjera, duke u nisur nga skulptura arkitektonike e gjetur pranë tyre dhe e datuar në dy periudha të ndryshme (shek. VI dhe në shek. X-XI), ka shumë gjasa t’u përkasin ndërtimeve të kultit të krishterë të po atyre periudhave. Gërmimet e ardhshme në këtë sektor do të mund të japin të dhëna të reja për qytetin e shek. VI të Justinianopolit dhe qendrën e rëndësishme mesjetare të Adrianopojës.

Në shumicën e rasteve, gjetjet arkeologjike nga gërmimet në sektorin A e në kishën pasbizantine a gjetjet sipërfaqësore të dala nga erozioni ose punime bujqësore dhe ushtarake i takojnë antikitetit të vonë dhe kryesisht, shek. VI. Bie në sy mungesa gati e plotë e materialit arkeologjik, duke filluar nga shek. II (pas pushtimit romak) dhe deri në antikitetin e vonë. Edhe gjetjet arkeologjike që i përkasin periudhës helene janë të pakta dhe nuk e përligjin atë sistem të fuqishëm fortifikimi. Kjo mund të shpjegohet, ndoshta me kohën e shkurtër të jetës në këtë qytet, si rezultat i shkatërrimeve nga ushtria romake në vitin 168 pas Krishtit.

Materiali arkeologjik, në më të shumtën përbëhet nga qeramika dhe më pak nga skulptura dhe metaliket. Pjesa më e madhe e skulpturës i takon kishës paleokristiane. Më të rëndësishme prej tyre janë një shtyllë kangjelle paleokristiane e fragmentuar, një kapitel dhe disa kapitel-imposte dritareje, suprinë tavoline etj. Shtylla nuk ka asnjë lloj dekori dhe është e punuar në mënyrë shumë të trashë. Gjatë ekspeditave nuk u gjetën fragmente arkitektonike mesjetare që t’i përkisnin grupit të kornizave dhe harkut, të publikuara nga A. Baçe dhe të datuara në shek. X dhe fillimin e shek. XI .

Please follow and like us: