Heronjtë europianë të kombit shqiptar!
Nga Mero Baze
Fitorja e sotme në Lion është pasaporta e parë evropiane, që kombi ynë merr falë heronjve tanë më të rinj. Djemtë e ekipit tonë kombëtar janë sot heronjtë e vërtet evropianë të Shqipërisë, pasi i dhuruan kombit standardet e një futbolli evropian me fanellat e Shqipërisë.
Por përtej kësaj fitoreje historike të futbollit shqiptar, kjo fitore vlen për të parë disa cilësi pozitive të shqiptarëve.
E para është tifozëria shqiptare në Paris. Është e pabesueshme, se si vendi më i varfër i Evropës, kishte në Francë, më shumë tifozë për frymë popullsie se çdo vend tjetër i Evropës, përfshi dhe vendet më të pasura të tij.
Mijëra shqiptarë të varfër, me kursimet e tyre, me bukë me vete, në rrugë të pabesueshme tokësore e ajrore, kanë ndjekur ekipin e tyre nga Lensi në Marsejë dhe sot në Lion, duke dëshmuar një ndjenjë të pazakontë solidariteti për ngjyrat e kombit të tyre.
Kjo është një dëshmi se shqiptarët i bashkon e mira, suksesi dhe standardet perëndimore.
Nga ana tjetër, përveç ndjenjës së pazakontë të solidaritetit për ngjyrat e kombit të tyre, tifozëria shqiptare ka dëshmuar dhe një dimension tolerance tërësisht perëndimore dhe një imazh festiv, sikur të ishte një vend superior, pa asnjë kompleks etnik, rracor apo nacionalist.
Imazhi i vajzave të bukura shqiptare, fëmijve mbi supet e prindërve dhe ngjyrat e kuqe që skuqën stadiumet, do të jenë imazhi që do të shoqërojë gjatë historinë e këtij evropiani.
E dyta që vlen në këtë fitore, është shpirti i një skuadre në rritje. Në të tre ndeshjet, edhe kur humbëm, edhe kur fituan, lojtarët lanë zemrën në fushën e lojës, duke u kthyer në heronjë të besimit të shqiptarëve. Është e pazakontë, se si një ekip që humbet më shumë se fiton, ka në çdo rast mbështetje të pazakontë nga publiku, vetëm se publiku lexon tek ata luftëtarin e vërtetë, që jep atë që ka në shpirt për betejën.
Dhe mbi të gjitha në këtë fitore vlen rezultati. Kualifikohemi apo jo, tani nuk është e gjitha në dorën tonë, por që arritëm të hidhnim një hap përpara nga kualifikimi për në Euro-2016, kjo është fitore reale, është vazhdim.
Shqipëria do t’ju jetë mirënjohës këtyre djemve, jo vetëm se e bën krenarë, e jo vetëm se i dhanë pasaportën e parë evropiane si komb, por mbi të gjitha se na provuan që jemi të barabartë si evropianë me gjithë kombet e tjera.
Brenda betejës së tyre, janë gjithë fitoret e fjetura të historisë sonë, të cilat na kanë bërë të besojmë se një ditë do t’ia dalim.
Ekipi ynë kombëtar ka bërë për këtë vend sa nuk kemi bërë të gjithë së bashku. Ata janë sot heronjtë evropianë të kombit shqiptar, djemtë që ndryshuan imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Me shpirt! Ashtu siç u ka hije luftëtarëve!/TEMA