Albspirit

Media/News/Publishing

Komisioneri për të drejtë informimi urdhëron transparencë për koncesionet

bes dervishiNë dy vendime të rëndësishme, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale urdhëroi publikimin e dokumenteve të koncesioneve të cilat deri më sot janë konsideruar si “konfidenciale” apo “sekret tregtar” nga ana e qeverisë.

Nga Gjergj Erebara, BIRN

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale Besnik Dervishi urdhëroi Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë të bëjë publik dokumentet kryesore të dy projekteve për partneritet publik – privat, (koncesione) pas kërkesave për të drejtë informimi dhe ankesave të kryera nga BIRN Albania.

Vendimet, të para të këtij lloji, vendosin një precedent të rëndësishëm mbi transparencën që kërkohet nga institucionet publike në rastet e procedurave të koncesioneve tëpakërkuara, transparencë e cila deri më sot është refuzuar nga institucionet me argumentime të ndryshme, përfshirë argumentin e sekretit tregtar apo “dokumenteve për përdorim të brendshëm”, apo “pronësia intelektuale”, argumente të cilat Komisioneri i konsideroi si të pavlefshme përballë Ligjit për të Drejtën e Informimit dhe vetë ligjit për Koncesionet.

BIRN Albania dorëzoi dy kërkesa për të drejtë informimi te Ministria e Energjisë dhe Industrisë në lidhje me koncesionet për hidrocentralin Katund i Ri mbi Drin si dhe për koncesionin e ndërrimit tëpoçave të ndriçimit në Tiranë dhe Durrës të kërkuar nga kompania HeSaLight. (kliko këtu për të parë kërkesat e BIRN). Ministria e Energjisë dhe Industrisë refuzoi të vë në dispozicion dokumentet e kërkuara duke iu referuar ligjeve të ndryshme, përfshirë ligjit “Për Statusin e Nëpunësit Civil” të vitit 1999, (i cili ndërkohë ka tre vjet që është shfuqizuar” si dhe nenit 15 të ligjit Për Koncesionet.

Komisioneri Besnik Dervishi thirri në një seancëpalët para se të vendoste pranimin e të dy kërkesave të BIRN Albania në vendimet e marra më datë 16 qershor. Ministria e Energjisë dhe Industrisë duhet t’i zbatojë vendimet duke vënë në dispozicion të publikut dokumentet e kërkuara deri më datë 30 qershor 2016.

Katundi i Ri dhe HeSaLight

Qeveria shqiptare pranoi një ofertë për koncesion tëpakërkuar nga kompanitë turke “Suzer Group” dhe “Nurol Holding” për ndërtimin e Hidrocentralit Katundi i Ri mbi lumin Drin në janar 2016. Disa ekspertë si dhe Partia Demokratike në opozitë e konsideruan dhënien e bonusit për hidrocentralin abuziv për shkak se Katundi i Ri është pjesë e skemës së shfrytëzimit të pjesës së sipërme tëKaskadës së Drinit, identifikuar si mundësi nga një studim i kryer nga kompania franceze Sogreah për llogari të KESH në vitin 2009. Pas publikimit të lajmit, BIRN kërkoi përmes një kërkese për të drejtë informimi më 19 prill 2016 tre dokumente: Kopje të studimit të kryer nga kompania “Sogreah, në vitin 2009; Kopje të kërkesës për koncension të pakërkuar për HEC-in Katund i Ri dhe; Kopje të procesverbalit të konsultimit me banorët e prekur nga HEC-i.

Ministria iu përgjigj BIRN më 3 maj duke argumentuar se informacioni i kërkuar nuk mund të jepet për shkak të parimit tëkonfidencialitetit dhe sekretit tregtar.

Më 20 prill, BIRN i dërgoi një kërkesë tjetër Ministrisë së Energjisë, kësaj here në lidhje me koncesionin e njohur si HeSaLight duke kërkuar gjithashtu kopje të kërkesës për koncesion tëpakërkuar të dorëzuar nga kompania në fjalë. Ministria refuzoi për të njëjtat arsye tëkonfidencialitetit dhe sekretit tregtar.

BIRN u ankua pranëkomisioneritduke argumentuar se refuzimi për dhënie informacioni nga ana e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë nuk mund të justifikohej në bazë të parimeve tëkonfidencialitetit dhe sekretit tregtar për shkak se Ligji për Koncesionet 125/2013 ka në thelb të vet transparencën në dhënien e aseteve apo fondeve publike në përdorim nga kompanitë private përmes partneritetit publik-privat dhe se sekreti tregtar dhe konfidencialiteti nuk janë parime të përgjithshme por specifike.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit kreu një hetim administrativ pranë Ministrisë dhe thirri një seancë dëgjimore mes palëve më 10 qershor. Në fund, Komisioneri Besnik Dervishi doli në konkluzionin se partneriteti publik – privat dhe koncesionet janë me rëndësi të veçantë dhe kërkojnë transparencë maksimale, bazuar kjo në vetë ligjin për Koncesionet si dhe në ligjin Për të Drejtën e Informimit duke pranuar kërkesën e BIRN dhe duke urdhëruar Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë të bëjë publik dokumentet e kërkuara.

“Pas shqyrtimit të ankesës, parashtrimeve, seancës dëgjimore si dhe pas konsultimit të legjislacionit përkatës rezulton se, informacioni i kërkuar nga Qendra “BIRN Albania” përbën informacion publik,” shkroi Komisioneri Dervishi në vendimin e tij për rastin e koncesionit Katundi i Ri.

“Theksojmë se e drejta për t’u informuar është një prej të drejtave themelore të njeriut, parashikuar në nenin 23 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Kjo e drejtë duhet parë e lidhur ngushtë me parimin e transparencës dhe llogaridhënies, si një shtyllë tjetër themelore e shtetit të së drejtës. Funksionimi i tyre do të ishte në interesin e të dy palëve,” shkruhet në vendimin e komisionerit.

Ligji Për të Drejtën e Informimit u miratua në vitin 2014 dhe i jep të drejtë çdo qytetari të kërkojë një kopje të çdo dokumentacioni të prodhuar nga institucionet publike apo korporatat publike me përjashtim të rasteve të sekretit shtetëror, ku sekret shtetëror nënkuptohet vetëm ajo pjesë e dokumenteve e klasifikuar si e tillë. Në rast se kërkesa e qytetarit refuzohet, ai ka të drejtë të ankohet. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale është krijuar në bazë të këtij ligji për të garantuar zbatimin e ligjit.

BIRN Albania është një organizatë jofitimprurëse me qendër në Tiranë që punon për zhvillimin e medias dhe që përdor gjerësisht Ligjin për të Drejtë Informimi për të marrë dokumente zyrtare gjatë raportimit, me synim të dyfishtë të përmirësimit të cilësisë së punës së gazetarëve dhe fuqizimit të parimit të transparencës së institucioneve publike.

Procedurat e koncesioneve apo të partneriteteve publike – private në Shqipëri janë mbajtur gjithmonë si sekret përgjatë 25 viteve të fundit me një nivel minimal transparence. Që nga viti 1995, kur Shqipëria miratoi një ligj që i lejonte qeverisë të jepte koncesione për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, Shqipëria ka miratuar disa ligje që theksojnë rëndësinë e transparencës në procedura të tilla por pa sukses. Në disa raste, kontratat e koncesioneve janë klasifikuar sekret shtetëror dhe mbartin klauzola të forta konfidencialiteti, të cilat efektivisht e mbajnë publikun në errësirë sa i përket mënyrës së përdorimit tëaseteve publike si dhe kostos së koncesioneve të ndryshme mbi buxhetin e shtetit apo mbi xhepat e konsumatorëve. Komisioni Europian në raportin e vet të fundit për Shqipërinë nënvijëzon se kuadri ligjor aktual për koncesionet si dhe praktikat koncesionare janë jo në përputhje me standardet europiane në këtë fushë ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar ngritjen e nivelit të transparencës mbi kostot dhe përfitimet e koncesioneve në “standardet ndërkombëtare”.

Dy vendimet e Komisionerit Dervishi përbëjnë vendosjen e një standardi të ri në nivelin e trasparencës që i kërkohet institucioneve publike mbi këtëçështje.

Please follow and like us: