Albspirit

Media/News/Publishing

Ndryshon Kodi, kush nuk paguan kredinë, i shitet shtëpia me 30 % të vlerës

krediQeveria ka paraqitur ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile, të cilat kërkojnë të frenojnë fenomenin e kredive të këqija. Tashmë, në rast se dështon ankandi i parë i shitjes së pasurisë së lënë si kolateral, ajo mund të shitet me 30 për qind të vlerës

Nëse një individ apo biznes nuk ka mundësi të shlyejë kredinë e marrë në bankë, atëherë kjo e fundit ka të drejtë që pronën e lënë si kolateral prej kredimarrësit ta shesë në ankand, me një vlerë që arrin në 30 për qind të vlerës së vlerësuar nga ekspertët.

Ky është ndryshimi që ka paraqitur qeveria në Kodin e Procedurës Civile, për t’iu ardhur në ndihmë bankave për të minimizuar dëmet që shkaktohen nga fenomeni i kredive të këqija. Drafti i ndryshimeve në Kodin e Procedurës Civile, që vjen si kërkesë e bankave, është depozituar në Kuvend dhe në ditët në vijim, ai pritet të diskutohet në komisione dhe më pas të miratohet në seancë.

Më konkretisht, neni 8 i këtij projektligji që bën ndryshime në nenin 577 të Kodit, përcakton se në rast se prona e lënë si kolateral në ankandin e parë të zhvilluar nga banka nuk shitet dhe në rast se në ankandin e dytë nuk shihet ose nuk paraqitet fare ofertë, atëherë përmbaruesi gjyqësor cakton çmimin e ri të shitjes në masën e 30 për qind të vlerës së përcaktuar nga eksperti përmbarues.

“Në rast se në ankandin e dytë nuk është paraqitur asnjë ofertues, atëherë, brenda 10 ditëve nga përfundimi i tij, përmbaruesi gjyqësor cakton çmimin e ri të sendit, në masën 30% të çmimit të përcaktuar nga përmbaruesi, sipas nenit 564, të këtij Kodi. Ankandi i tretë për shitjen e sendit bëhet sipas rregullave të përcaktuar në nenin 568, të këtij Kodi, dhe zhvillohet jo më vonë se 30 ditë nga e nesërmja e datës së caktimit të çmimit të ri”, -thuhet në këtë projektligj.

Ndërkohë që “edhe në rast se në ankandin e tretë nuk është paraqitur asnjë ofertues, përmbaruesi gjyqësor i propozon, në fillim kreditorit, që, kundrejt kredisë, të marrë sendin me çmimin e ankandit të tretë. Në rast se kreditori nuk pranon ta marrë sendin, përmbaruesi gjyqësor heq sekuestron mbi sendin e sekuestruar dhe vijon procedurat përmbarimore mbi pasuri të tjera të debitorit”.

Siç shpjegohet në relacionin shoqërues të këtyre ndryshimeve, ky hap është ndërmarrë pikërisht si pasojë e problemit të kredive me probleme, të cilat kanë arritur në shifra mbi 20 për qind.

Edhe pse vendi ynë nuk vuajti menjëherë pasojat e krizës globale financiare dhe krizës në euro, niveli i kredive me probleme u rrit në mënyrë të qëndrueshme.

Një pjesë e madhe e kredive me probleme është e kolateralizuar me pasuri të patundshme dhe është e koncentruar kryesisht në sektorin e ndërtimit. Sipas relacionit, ky problem është evidentuar edhe nga FMN-ja dhe Banka

Botërore, si një nga problemet më kryesore me të cilat përballet vendi ynë. Për këtë arsye, me kërkesë të autoriteteve shqiptare, një mision i asistencës teknike e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) u paraqit në Tiranë nga data 27 prill deri në 4 maj 2015, për të ndihmuar autoritetet shqiptare në zhvillimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për adresimin e situatës së kredive me probleme (NPL) në sistemin financiar shqiptar.

Në raportin përfundimtar të dërguar nga FMN-ja, është konkluduar se trajtimi i problemit të NPL-ve është i rëndësishëm për ringritjen e nivelit të kreditit në Shqipëri. Në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për këtë problem, u sugjerua ngritja e një grupi pune ndërinstitucional të nivelit të lartë, i cili kishte si synim adresimin dhe reduktimin e nivelit të kredive të këqija në sistemin bankar. Grupi i punës u përqëndrua në faktin se, në përgjithësi, kur nivelet e NPL-ve janë vazhdimisht të larta në një ekonomi të caktuar, ato tregojnë ekzistencën e një sërë problemesh më të thella në sistemin juridik.

Në raportin e dorëzuar nga FMN-ja, theksohen fusha të caktuara në kuadrin ligjor, ku një përpjekje për të përmirësuar më tej këtë kuadër ligjor mund të prodhojë rezultate më të mira në uljen e nivelit të NPL-ve. Reforma të mëtejshme në të gjitha fushat juridike konsiderohen ato në sistemin e taksave, ristrukturimin e borxhit, të zbatimit të borxhit, dhe mosaftësinë paguese. Reformat ligjore duhet të zbatohen në koordinim me veprimtarinë mbikëqyrëse dhe rregullatorë, në mënyrë që ato të kenë një zbatim sa më të saktë dhe në kohë.

Në Shqipëri, problemet e ekzekutimit dhe të mbledhjes së detyrimeve janë disa nga faktorët kryesorë që qëndrojnë pas një shkalle shumë të lartë të kredive me probleme në një nivel prej mbi 20%.

Në Kodin e Procedurës Civile, me gjithë ndryshimet që ka pësuar ky Kod përgjatë viteve të fundit, në pjesën që lidhet me ekzekutimin e detyrueshëm, eksperienca tregon se ka akoma dispozita, të cilat iu krijojnë mundësi abuzimi debitorëve për t’iu shmangur detyrimit për shlyerjen e borxhit. Më konkretisht, rregullimi ligjor i tyre shikohet si një zgjidhje afatshkurtër lidhur me përmirësimin e ekzekutimit të detyrueshëm.

Please follow and like us: