Albspirit

Media/News/Publishing

Ngritja e shtetit dhe vizioni politik për rritjen e tij

Pjesa e parë e librit trajton pozitën ndërkombëtare të Kosovës gjatë historisë, duke u fokusuar në vullnetin dhe vendosmërinë e popullit të Kosovës për jetësimin pavarësisë, sidomos në pjesën e fundit të shekullit XIX dhe deri në fundin e shekullit XX. Krahas zhvillimeve dhe rezistencës së brendshme autori trajton ndërkombëtarizimin e problemit të Kosovës deri në periudhën e luftës dhe intervenimit ndërkombëtar që rezultoi me periudhën e vendosjes së administratës ndërkombëtare dhe pavarësisë së vendit

Ngritja e një shteti është po aq e vështirë, në mos edhe shumë më e vështirë sesa vetë lindja e tij. Ky konstatim del qartazi pasi të jetë lexuar libri me titull shumë simbolik “Ngritja e një shteti“ i autorit Enver Hoxhaj, që para pak ditësh iu dhurua lexuesit e të cilin libër pata privilegjin ta lexoj si dorëshkrim. “Ngritja e një shteti“ është libri i cili lexuesit të vëmendshëm do t‘ia zbërthejë të gjitha ato sfida të cilat e kanë përcjellë në të kaluarën dhe që mund ta përcjellin edhe për një kohë ngritjen dhe rritjen e shtetit të Kosovës.

Ky libër ndërthur në vete përvojën dhe angazhimin direkt të autorit të kombinuar me literaturën më autoritare të fushës që trajton subjekti i librit. Në të dy këto dimensione autori me mprehtësi ka ndërtuar argumentet e parashtruara në libër dhe me një analizë sistematike janë elaboruar sfidat që kanë shoqëruar gjatë gjithë historisë rrugën e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, deri në ditët e sotme ku Kosova po ndërton subjektivitetin e saj si pjesëtare e bashkësisë ndërkombëtare.

Libri “Ngritja e një shteti“ është strukturuar në tri pjesë, respektivisht pesëmbëdhjetë kapituj. Autori ka zbërthyer segmente të rëndësishme të politikës së jashtme me të cilat ballafaqohej Kosova para dhe pas pavarësisë. Këto rrethana autori i përshkruan si “lojë në dy nivele“, të përshkuara me polarizime ndërkombëtare “për apo kundër pavarësisë“, nga rastet kur pavarësia cilësohej si një “ëndërr e bukur“, e deri te mendimet e optimistëve racionalë, shkruan Gani Mulliqi.

Pjesa e parë e librit trajton pozitën ndërkombëtare të Kosovës gjatë historisë, duke u fokusuar në vullnetin dhe vendosmërinë e popullit të Kosovës për jetësimin pavarësisë, sidomos në pjesën e fundit të shekullit XIX dhe deri në fundin e shekullit XX. Krahas zhvillimeve dhe rezistencës së brendshme autori trajton ndërkombëtarizimin e problemit të Kosovës deri në periudhën e luftës dhe intervenimit ndërkombëtar që rezultoi me periudhën e vendosjes së administratës ndërkombëtare dhe pavarësisë së vendit. Në këtë kontekst, një vështrim të veçantë autori u ka bërë politikës së jashtme, debateve dhe konsultimeve që janë zhvilluar përkitazi me këtë temë në forumet dhe institucionet ndërkombëtare, të cilat ai nuk ngurron t‘i përshkruajë si të vështira, mosbesuese ndaj këtij procesi ndërmjet shteteve të përfshira në këto bisedime dhe me tendencë vetëm për “blerje kohe“ apo edhe me propozime absurde, siç vepronte pala serbe.

Në këtë prizëm ai analizon dhe zbërthen peshën dhe rëndësinë e vendeve të vogla në politikën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në dritën e objektivave të politikës së jashtme të Kosovës si anëtar i ri i komunitetit ndërkombëtar. Me këtë rast, ai analizon faktorët kryesorë që ndikojnë në konsolidimin e brendshëm të shtetësisë si dhe sfidat dhe arritjet e para të diplomacisë së re kosovare në arenën ndërkombëtare, përfshirë mendimin këshillëdhënës të GjND-së. Hoxhaj thotë se ky mendim do të përdoret një kohë të gjatë si ndër argumentet kryesore në lobimin për subjektivitetin ndërkombëtar dhe në ushtrimin e artit të bindjes për shumë çështje të politikës së jashtme të Kosovës.

Pjesa e dytë e këtij libri trajton karakterin unik të politikës së jashtme, njohjen ndërkombëtare, kompleksitetin multirateral të botës, konstruktivitetin fqinjësor dhe në veçanti marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, përkatësisht me partnerët dhe kundërshtarët e saj. Me këtë vështrim, duke u nisur edhe nga përvoja e tij personale në këtë fushë, ai këtu mbron tezën se politika e jashtme e Kosovës ndjek një rrugë të veçantë të saj, sepse “ajo është kalitur duke u ballafaquar me vështirësi dhe duke vepruar në ndërlikueshmëri“ para së gjithash si rezultat i realitetit ndërkombëtar. Hoxhaj mbron qëndrimin se në politikën e jashtme të arriturat e Kosovës për integrimin e vendit në bashkësinë e shteteve të lira dhe demokratike janë historike, por ai po ashtu nuk ngurron dhe nuk harron ta thotë se edhe sfidat e ardhshme janë të mëdha dhe serioze, aq më tepër kur rrethanat ndërkombëtare janë komplekse dhe kur, siç e parashikojnë edhe autorë të tjerë të kësaj fushe, duket se edhe për një kohë Kosova do të bëjë një betejë sikurse ajo në mes të Davidit kundër Goliatit për t‘u integruar në sistemin ndërkombëtar. Këtu një analizë dhe zbërthim më të detajuar Hoxhaj i bën fenomenit të njohjes së shteteve përgjithësisht, i cili, siç e thonë autorë të shumtë “është ndër çështjet më interesante të politikës së jashtme“ dhe gjithashtu “ndër fenomenet më sfiduese të së drejtës ndërkombëtare“.

Lidhur me njohjen ndërkombëtare të shteteve, Hoxhaj ndalet dhe shtjellon njohjet e para dhe rëndësinë e tyre, si dhe po ashtu analizon edhe pengesat dhe shkaqet që ndikuan në ngadalësimin e njohjeve. Veç kësaj, autori, analizon edhe sfidat dhe arritjet në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

A ishte Kosova periferi e Evropës, siç është trajtuar për shekuj me radhë, shtron pyetjen autori i këtij libri dhe pas analizës që i bën këtij qëndrimi të hershëm publicistik e politik në qarqet e Evropës ai kërkon që Kosova t‘u kushtojë vëmendje të veçantë marrëdhënieve me fqinjët e saj të parë, por edhe me të gjitha vendet e Evropës Juglindore. Për më tepër, ai këtu analizon në veçanti trekëndëshin e bashkëpunimit rajonal dhe veç e veç analizon interesin e Kosovës në avancimin e politikës bilaterale me vendet e rajonit, siç janë Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe po ashtu edhe Kroacia e Sllovenia, duke mos lënë në periferi as shtetet tjera përfshirë këtu Bullgarinë, Turqinë e Hungarinë, raportet me të cilat janë po aq të rëndësishme për progresin e rajonit në rrugën euroatlantike. Autori me kujdes i qaset edhe analizës së relacioneve Kosovë-Serbi dhe rëndësisë që kanë normalizimi i plotë i këtyre marrëdhënieve dhe njohja reciproke. Si pengesë kryesore në këtë rrugë, autori e sheh politikën e dyfishtë serbe, por po ashtu ai sjell edhe konstatimin se kjo politikë mund të rezultojë e dëmshme jo vetëm për relacionet mes dy vendeve, por edhe për proceset euroatlantike në rajon.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm, i trajtesës në këtë pjesë të librit janë edhe kërcënimi rus dhe ekstremizmi fetar, ku autori vlerëson se në politikën e jashtme të Kremlinit, Ballkani konsiderohet si sferë e dytë pas vendeve ish-sovjetike të Evro-Azisë, ndaj Rusia zbaton politikë komplekse për të ushtruar ndikim, duke investuar kohë, energji dhe burime të ndryshme…, me qëllim që të ushtrojë ndikimin shumëdimensional në rajon, për çka autori vlerëson se është interes strategjik i Kosovës që vendet fqinje në rajon të jenë larg ndikimit rus. Autori porosit që Kosova të ruhet që të mos bjerë nën ndikimin e këtyre agjendave.

Anëtarësimi në institucione euroatlantike është objektiv strategjik i Kosovës, sepse pa këtë anëtarësim shteti i vogël nuk mund t‘i përballojë vetëm sfidat rajonale dhe ndërkombëtare në një plan afatgjatë, thotë autori derisa analizon, rikithimin e vonshëm të Kosovës në Evropë. Ai është i bindur se rikthimi në Evropë nuk është vetëm një ide emancipuese, sikurse ka mundur të jetë dukur gjatë historisë, por një realitet i cili po ndërtohet gradualisht dhe me shumë mundim. Në këtë kontekst ai thotë se “mosnjohja (e Greqisë, Qipros, Rumanisë, Sllovakisë dhe Spanjës v.j.) ka reflektuar negativisht në qasjen e institucioneve evropiane ndaj shtetit të ri gjë që pesëshja mosnjohëse ka ndërlikuar edhe marrëdhëniet BE-Kosovë. Por, edhe në këtë situatë Kosova ka ndërtuar jo vetëm një partneritet me BE-në, por ka forcuar marrëdhëniet e saj bilaterale me të gjitha shtetet anëtare të saj, thotë autori duke vlerësuar politikën bilaterale të Kosovës me shtetet evropiane. Pjesën e këtij libri Hoxhaj e përmbyll me analizën që u bën marrëdhënieve që ka zhvilluar Kosova në të kaluarën dhe sot me “partnerët dhe kundërshtarët“, ndryshimeve historike dhe ngritjes njëpolare amerikane, duke analizuar sesi ka arritur Kosova aty ku është sot; ka analizuar gjerësisht marrëdhëniet e veçanta me amerikanët dhe partnerët evropianë dhe thotë se “në mesin e shteteve mbështetëse roli i Amerikës është i pakrahasueshëm për shkak të fuqisë politike, ushtarake, ekonomike, si dhe vendosmërisë e mbështetjes ndaj Kosovës“ dhe nuk harron të përmendë se “në këtë betejë diplomatike për qartësi dhe zgjidhje afatgjatë për Kosovën, amerikanët dhe evropianët kishin mbështetjen e pakursyer kanadeze dhe japoneze…, të cilat si dy shtete anëtare të G7-s, që nga paraqitja e konfliktit në Kosovë e deri te pavarësia e saj kanë qenë mbështetëse të vendosura, edhe pse këto vende nuk kanë interesa të mëdha në rajon…“

Duke u bërë një vështrim të gjerë dhe të detajuar rrethanave, të cilat kanë determinuar pavarësinë e Kosovës, në librin “Ngritja e një shteti“, Hoxhaj thotë se “pa kthesat e mëdha historike nuk mund të kuptohet sot lindja e shtetit të ri“ dhe njëkohësisht në këtë kapitull analizon “rikthimin e rivalitetit global dhe pasojat për Kosovën“ që mund të ketë ai rivalitet. Nga perspektiva e Kosovës, Hoxhaj, vlerëson se është me rëndësi të vlerësohet drejt rikthimi i Rusisë gjatë viteve të fundit si një fuqi rajonale evropiane dhe aziatike…, sepse ajo, çdo herë historikisht, ka ndërhyrë në Evropën Juglindore.

Pjesa e tretë e këtij libri mjaft voluminoz shtjellon sfidat serioze që determinojnë zhvillimin normal të brendshëm dhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Autori këtu këmbëngul se “duke iu afruar përmbylljes së dekadës së parë të pavarësisë, është me rëndësi për vendin që të krijojë një vizion për të ardhmen e pozitës ndërkombëtare të tij“. Sipas tij, Kosova sot ka nevojë të paraqitet me vetëbesim dhe vizion të plotë në politikën e jashtme dhe “për një shtet të vogël, siç është Kosova është me rëndësi që të përpiqet të projektojë dimensione të së ardhmes“. Me këtë vështrim ai trajton edhe politikën e jashtme të Kosovës, e cila, siç e thotë, fillon sikurse tek çdo shtet tjetër me rajonin. Hoxhaj këtu marrëdhëniet me fqinjët i trajton si të një rëndësie të madhe në kuptimin pozitiv dhe negativ, meqë determinohen nga interesa të ndryshme… dhe për Kosovën çdo vend ka rëndësi të veçantë, sepse është shteti dhe aktori më i ri politik në rajon. Por, thotë ai, niveli, gjerësia dhe intensiteti i marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të Shqipërisë dhe Kosovës nuk krahasohet me asnjë vend tjetër në rajon. Në këtë kontekst një analizë më të thellë i kushton edhe normalitetit, përkatësisht pajtimit me Serbinë dhe kushtet që duhet t‘i paraprijnë këtij pajtimi dhe në këtë aspekt ai nuk heziton të konstatojë se “një nga çështjet më strategjike që duhet shtruar është ajo se çfarë politike duhet të ndjekë Kosova ndaj Serbisë?“ Duke u përgjigjur në këtë pyetje, autori është krejt decidiv kur thotë se “Kosova duhet të karakterizohet me qartësi se çfarë në të vërtetë synon. Nëse dialogu me Serbinë nuk është mundësi për të lehtësuar pranimin në OKB, ky dialog nuk ka asnjë kuptim…“, thotë Hoxhaj derisa analizon të ardhmen euroatlantike dhe sfidat që e presin Kosovën drejt anëtarësimit në OKB dhe konsolidimit të mëtejmë ndërkombëtar.

Si përfundim, ky libër jo vetëm që trajton nga shumë dimensione ngritjen e shtetit të Kosovës përballë shumë sfidave që e kanë shoqëruar deri këtu dhe që padyshim do ta përcjellin edhe në të ardhmen, ofron edhe udhëzime jo pa interes për ata që e kanë sot apo do ta kenë nesër vokacion të tyre politikën e jashtme dhe rolin e saj jo më në ngritjen, por në afirmimin, zhvillimin dhe fuqizimin e Kosovës.

Please follow and like us: