Albspirit

Media/News/Publishing

Oligarku Servet, me kujtime marksiste

servet

 

 

Profesori i marksizmit Servet Pëllumbi ka regjistruar një rekord me librin e ri, ka shpikur një ditar kujtimesh i cili i shërben aposteriori “Rilindjes” së Edi Ramës. Në libër, Pëllumbi sulmon çdo dëshmitar që është problematik për historinë e re të PS-së, por qysh në 10 ditët e para, ai ka regjistruar përgënjështrime më të shumta sesa Zonja e Zezë, e cila mbahet si model i shpikjes së kujtimeve për interesa të ditës

 

Sa herë ka një hall të madh partiak, këto kohë Edi Rama e ka bërë zakon që nxjerr Servet Pëllumbin, si oligarkun e vetëm të mbetur nga “partia e parë” për të sulmuar kundërshtarët e tij brenda PS-së. Janë të njohura për publikun replikat lidhur me statusin e partisë, edhe pse Pëllumbi as u skuq e as u zverdh se mbajti fiks të kundërtat e qëndrimeve që mbante më 1996-n, kur u përfshi në polemika me Fatos Nanon, i cili kërkonte të suprimonte postet e nënkryetarëve të partisë. Për Servet Pëllumbin s’ka asnjë tabu statusore e as filozofike, kur është puna për t’i shërbyer kryetarit të ditës. Por shërbimi që po kryen së fundmi për Edi Ramën, duke publikuar një ditar politik i cili sipas dëshmitarëve është i mbushur me gënjeshtra dhe është një përpjekje mjerane e marksiste për t’i shërbyer “Rilindjes” së sotme aposteriori. Secili nga protagonistët e themelimit të PS-së apo të militimit të tij në parti, gjatë viteve të tranzicionit, etiketohet në dritë të keqe nga profesori i marksizmit, pasi vetëm kështu mund të thuhet se në partinë e vjetër punët shkonin keq sepse s’kishte ardhur në të ende “rilindësi” Edi Rama. Është e njëjta filozofi që përdorte rëndom historiografia marksiste kur kërkonte të projektonte heroin e revolucionit e të klasës punëtore tek Spartaku, Skënderbeu apo Haxhi Qamili. Njeriu që mbrojti hapur edhe më 1995-n marksizmin si burimin kryesor filozofik të PS-së dhe mbrojti hapur parimin e neutralitetit të Shqipërisë në marërdhëniet mes Lindjes dhe Perëndimit, në librin e tij të fundit, s’ndalet duke i shtrembëruar kujtimet e tij, sipas “dritës së marksizmit”. Kudo ai përpiqet të zbulojë rrënjët e “rilindësit” që po vjen, për të pastruar partinë nga Nano, nanoistët e të tjerët që mund të kërkojnë të drejtën e tyre historike për kontribut në PS. Si një killer me pagesë në memuaristikë, Servet Pëllumbi s’ndalet në baltosje, prandaj edhe pse ka vetëm 10 ditë që i janë botuar “kujtimet”, s’kanë të ndalur përgënjeshtrimet. Profesori mund të lavdërohet se ka marrë më shumë përgënjeshtrime këto 10 ditë, sesa janë dhënë ta zëmë për “kujtimet” e Ramiz Alisë e të Zonjës së Zezë Nexhmije Hoxha, si marksistët “par excellence” që shkruajnë e rishkruajnë kujtime, sipas interesave të ditës e për të vrarë aposteriori “dëshmitarë” të sikletshëm të të shkuarës së tyre. Disa vëzhgues thonë se paciptësia që kanë gënjeshtrat e “ditarit” mund të shpjegohet me moshën e shtyrë të “profesorit të markzismit”, por mendimi i përgjithshëm është se mosha shërben si alibi, pasi “ditari” është rishkruar dhe po publikohet për hir të politikës së ditës, për hir të “Rilindjes”, e cila s’do histori, pasi Edi Rama kërkon që në të majtë, gjithçka të nisë më 2013-n, pasi para tij, s’ka pasur politikë por parapolitikë. E pse të mos e bëjë këtë “shërbim të vogël marksist”, qoftë edhe për hir të mbesës së tij, oligarkes së re të partisë, oligarku marksist Servet Pëllumbi.

 

Please follow and like us: