Albspirit

Media/News/Publishing

Progresi i grave


Shumica e amerikanëve që ishin gjallë në vitin 1968 e mbajnë mend frazën:

“Keni bërë një rrugë të gjatë, zemër.”

Ishte slogani i një reklame për firmën Virginia Slims të cigareve, që u drejtohej femrave që pinin duhan. Kompania e reklamave i përmblodhi me sukses idealet e asaj kohe në imazhin e një gruaje plot besim, të veshur me kostum dhe çantë, që reflektonte ndërgjegjësimin e vendit për lëvizjen e të drejtave të grave, që aso kohe udhëhiqej nga feministja Gloria Steinem dhe gra të tjera si ajo.

Gati 40 vjet më vonë, shumë gjera kanë ndryshuar: reklamat e cigareve janë të ndaluara dhe një grua është kandidate për presidente të Shteteve të Bashkuara. Gratë po ndryshojnë gjithashtu organizatat dhe institucionet në mënyra më pak të dukshme.

“Kur gratë arrijnë të përbëjnë mes 20 dhe 30 për qind të çdo institucioni, ato ndryshojnë thellësisht mënyrën e funksionimit të atij institucioni”, thotë Jay Newton-Small korrespondente e revistës Time dhe autore e shkrimit: “Zgjerimi i Ndikimit: Si po ndryshojnë gratë mënyrën se si funksionon Amerika”. “Dhe sigurisht që grate po i kapin këto shifra në Kongres, si edhe në administratë dhe gjykata”.

Newton-Small thotë se hulumtimet e saj tregojnë se gratë amerikane kanë arritur shifrat kritike në të treja degët e qeverisë federale.

“30 për qind e qeverisë në poste të larta të shërbimeve civile dhe politike janë gra, 35 për qind në degën federale janë gra, përfshi 40 për qind në gjykata”, thotë Newton-Small.

Nocioni se gratë mund të ndryshojnë mënyrën se si funksionojnë institucionet po testohet nga Hillary Clinton – ish zonjë e parë, senatore me dy mandate dhe sekretare shtetit – ndërsa ajo shkon në zgjedhjet e nëntorit përballë kandidatit të pritshëm republikan Donald Trump.

Sa forcë kanë gratë?

Gratë përbëjnë tani 53 për qind të amerikanëve të regjistruar për të votuar dhe gjatë votimeve pjesëmarrja e tyre është zakonisht 10 për qind më e lartë se e burrave. Votat e tyre kanë qënë përcaktuese në çdo garë, qysh nga zgjedhja e presidentit Ronald Reagan në vitin 1980.

Nuk ka dyshim se vota e grave është një forcë që duhet marrë në konsideratë.

Por kjo nuk i përgjigjet pyetjes kryesore: Sa forcë kanë gratë në postet zyrtare për të sjell ndryshim? Dhe çfarë faktorësh kontribuojnë në vendimin e një gruaje për të kandiduar për një post zyrtar?

Pak vjet më parë, dy analiste u munduan t’i përgjigjen kësaj pyetjeje pasi vunë re një prirje interesante në Nju Xhersi.

Susan Carroll, me Qendrën për Gratë dhe Politikat Amerikane në Universitetin Rutgers dhe profesore për studimet e gjinisë, si dhe kolegia e saj Kelly Dittmar vunë re një rritje të numrit të grave në legjislaturën shtetërore mes viteve 2004 dhe 2011: 25 gra — 16 demokrate dhe 9 republikane – hynë në legjislaturën e Nju Xhersit për herë të parë dhe pesë gra tashmë në asamblenë e këtij shteti kaluan në senat.

Hulumtimi i tyre rezultoi në një studim të vitit 2012 që analizoi arsyen e rritjes së numrit të grave në poste zyrtare: mundësitë, korrupsioni, skandalet, vdekjet dhe dorëheqjet hapën 12 vende; gratë, sipas studimit, shihen si një alternativë me etikë më të lartë.

Ndryshimi i balancës

Rritja dhe tani prania e qëndrueshme e grave në degën legjislative federale ka bërë të mundur miratimin e një sërë ligjesh si ai për lejen mjekësore familjare, ai për mbrojtjen e grave nga dhuna në familje si dheshtimin e fondeve për studime për kancerin e gjirit. Vitin e fundit, ishin senatoret gra që bënë të mundur miratimin e reforma të mëdha për mënyrën e trajtimit të sulmeve seksuale në ushtrinë amerikane.

Shembujt e grave që kanë shtyrë debatin për çështje të mëdha dhe e kanë fituar atë, janë bindëse. Megjithatë, ka hendeqe të dukshme: Gratë shërbejnë sot si guvernatore vetëm në gjashtë nga 50 shtetet.

Hillary Clinton

Gratë amerikane pop resin tani një moment historik: A do të mundet Hillary Clinton të bëhet gruaja e parë presidente?

“Të jesh grua dhe të kesh pushtet është ende diçka e paimagjinueshme në shoqërinë tonë,” thotë Jo Freeman, një aktiviste e të drejtave të grave.”

“Gratë janë në pozita më të mira sesa 40 vjet më parë. Por një grua me pushtet ende i vë njerëzit në siklet, thotë ajo. Dhe presidenca është pozita më me pushtet në këtë vend, ndoshta pozita më e fuqishme në botë.

Please follow and like us: