Qytetërimi i lashtë shqiptar
NGA ANTON ÇEFA/
Është spekuluar dhe spekulohet edhe sot e kësaj dite me nocionin qytetërim, hapësira e gjerë e të cilit, duke u shtrirë në sfera nga më të ndryshmet të jetës lëndore e shpirtërore të njeriut, i ka krijuar mundësitë për një gjë të tillë.
Siç dihet, ka një qytetërim teknologjik, me funksione kryesisht praktike – utilitare, që ka arritur në kulmet më të pamenduara të realizimeve të njerëzimit dhe që ecën përpara me një shpejtësi marramendëse, dhe një qytetërim tjetër-më të lartë, më të vyer, më njerëzor: është ky qytetërimi shpirtëror, me funksione njohëse, edukative, etike, estetike, – shkurt, me funksionin e çlirimit e të pasurimit shpirtëror të njeriut, – i krijuar prej popujve që në kohërat më të lashta.
Qytetërimi teknologjik ka siguruar një nivel të lartë jetese-në mënyrë të padiskutueshme-, por ai shpesh e ka dëmtuar njerëzimin, duke u përdorur në dëm të tij. Kjo është arsyeja që e ka shtyrë George Bernard Shaw-n të shprehet (në esenë “Dreqi flet”): “Në artet e jetës, njeriu nuk ka shpikur asgjë, ndërsa në artet e vdekjes, ai e ka tejkaluar”.
Janë të një rëndësie të dorës së parë elementet përbërës të qytetërimit shpirtëror, që krijoi populli ynë që në shekujt e hershëm të brumosjes së vet etnike, si fisnikëria e ndjenjave, urtia e mendimit, bukuria e sjelljes, vlerësimi i së bukurës, çmimi i së drejtës, gjakimi për të vërtetën, maturia e burrërisë, masa e fjalës, toleranca në marrëdhënie me të tjerët dhe një virtytësi e lartë e konkretizuar tek nderi, elementi më spikatës e më themelor i siluetës shpirtërore të popullit tonë, besa, mikpritja dhe përbërës të tjerë rrallë të arritur në historinë shpirtërore të popujve.
Duke vlerësuar cilësitë e karakterit dhe virtytet e larta morale të shqiptarit, Thomas Smart Hughes, ka shkruar: “ato cilësi i bëjnë nder natyrës njerëzore” (Travels in Sicily, Greece and Albania”, London 1820, v. 2, p. 344), dhe F. S. Douglas: “Shqiptarët i kanë të gjitha cilësitë që përgjithësisht përbëjnë embrionin e një kombi të madh” (An Essay on Certain Points of Resemblance between the Ancient and Modern Greeks”, London, 1813, p. 190).
Elemente të kanunësisë etike, populli ynë i veshi me rrobe juridike, duke i bërë impulsin organizativ themelor të jetës. Kështu ai krijoi të drejtën zakonore, një e drejtë e lashtë me rrënjë ilirike, që u ripërtri nën emrin e princit Lekë Dukagjini, dhe u përmbledh nga goja e popullit aq bukur nga Gjeçovi.
Pikërisht ky kod ligjor, pasqyrë autentike e qytetërimit tonë të lashtë-që na rreshton në një vend të nderuar, krahas popujve që krijuan kodet e veta të jetës, u sulmua me qëllime denigruese në shërbim të synimeve të tyre shoviniste për të gllabëruar trojet tona, nga një zhgan “akademikësh” sllavë, të cilët shpejtuan t’i vënë etiketën e egërsisë e të barbarizmit, duke e quajtur primitiv e të përgjakshëm. Si kryeargument për këtë u suall ligjësia kanunore e gjakmarrjes, që ka qenë një përpjekje e hekurt për të vënë rregull e drejtësi në një shoqëri ku mungonte shteti dhe institucionet shtetërore të së drejtës dhe aspak një veçori e shpirtit tonë etnik.
Kanuni shqiptar i maleve, që është kanuni i jetës shpirtërore mbarëshqiptare, i ndërtuar mbi themele të drejta e të qëndrueshme dhe, para së gjithash, mbi barazinë dhe i përshkuar katërcipërisht nga një virtytësi e lartë tejet humane është një kundërdëftesë e egërsisë shpirtërore; i dëshmon një fisnikëri të pashembullt, që rrallë e gjen në kanunet dokësore të popujve të tjerë.
Në Kodin ligjor të Stefan Dushanit, që është një kombinim i së drejtës zakonore serbe me ligjët bizantine, shkëlqen përgjakshëm, si në dritë të diellit, egërsia shpirtërore. Pikërisht, mbi bazën e këtij kodi, gjatë luftës së fundit në Kosovë iu nxorën sytë viktimave, kufomave iu prenë gjymtyrët dhe iu thyen kokat me çekiçë, u prenë me thika barqet e nënave për të nxjerrë ferishtet e palindura, u dogjën njerëz për së gjalli, u karbonizuan trupa njerëzish.
Ndërsa princi ynë Lekë, në kanunin e tij, ku zdrit tejdukshëm fisnikëria shpirtërore, jo vetëm që nuk i ka lejuar këto krime të përçudura, por përkundrazi ka ligjësuar nderimin ndaj kufomës, ndaj familjes dhe fisit të të vrarit; ai i ka vënë detyrë vrasësit të sjellë mbarë kufomën dhe t’i mbështesë armën tek koka për ta nderuar dhe për ta paraqitur më së bukuri, si dhe detyrime të tjera të kësaj natyre.
“Kanuni i Lekë Dukagjinit është një thesar i madh kulturor, i krahasueshëm me kapitujt e Testamentit të Vjetër.” dhe “Ai ofron shikime të thella në shoqërinë antike të shqiptarëve, dinjitetin hijerëndë dhe ndjenjën e tyre të mrekullueshme për nderin.”, ka shkruar The New York Times.
Qytetërimi i lashtë dëshmohet kudo në kulturën tonë shpirtërore. Nuk po flas për vallet, një manifestim dhe përqendrim (koncentrat) i bukurisë fizike dhe shpirtërore së bashku, i shkathtësisë dhe i krenarisë; nuk po flas për kostumet, fryt krijimtarie jo vetëm i dorës dhe i mendjes, por edhe i një shijeje aq të hollë estetike; nuk po flas për meloditë e bukura të fyellit e çiftelisë; nuk po flas për lojërat popullore, që pasqyrojnë me një vërtetësi të padiskutueshme shpirtin artist e dinjitoz të popullit tonë, për të cilin egërsia është e huaj, e panjohur.
Sado që kohë të disfavorshme pushtimesh të huaja, duke përfshirë këtu edhe kohën e diktaturës komuniste, u përpoqën ta gërryejnë qytetërimin e lashtë shpirtëror të popullit tonë dhe e dëmtuan, ai nuk është shuar. Përkundrazi, në kohë më të qeta, mbasi të futet Shqipëria në rrugën e një demokracie të shëndoshë dhe të kapërcejë maskaradat e politikës së ndytë katovice, që po luhet në kurriz të popullit tonë, shpirti shqiptar do t’i kthehet vetvetes. Këtu qëndron shpresa, ndërsa siguria qëndron tek vitaliteti ynë etnik.