Sopranoja Ulpiana Aliaj, nga lojërat e fëmijësisë në skenat ndërkombëtare
- Sopranoja rikthehet sërisht në Tiranë. Kësaj here në rolin e Fiordiligi-t te “Cosi fan tutte” e Moxartit në Teatrin e Operës. Teksa rrëfen marrëdhinen e saj me të ëmën, këngëtaren Zina Zdrava, ndalet edhe te eksperiencat më të veçanta në teatrot ndërkombëtare
Valeria Dedaj
Lojërat e fëmijërisë, frekuentimi i festivaleve në Pallatin e Pionlerit, por edhe familja, veçmas e ëma kanë ndikuar që e ardhmja e saj, të bekohej që në fillim. Edhe kështu njohjet që ajo nisi të krijojë gradualisht ndikuan që lojrat e fëmijërisë të merrin drejtim profesional. Bëhet fjalë për sopranon Ulpiana Aliaj, e cila ndonëse jeton në Itali, gjatë dy viteve të fundit, e kemi parë më tepër se asnjëherë të angazhuar edhe në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë. Gjatë një interviste për gazetën “Shekulli”, ajo rrëfen se si gradualisht është rritur artistikisht. Ndonëse, shumkush mund të mendojë se fakti, që ajo është vajza e artistës Zina Zdrava, (këngëtare popullore dhe pedagoge e muzikës klasike në Lice Artistik) mund të ketë qenë një mbështetje e madhe për të, përkundrazi ajo na tregon se, i është dashur që të bëjë një punë të madhe dhe serioze, që të mbijetojë dhe të jetë pjesë e artistëve në operat ndërkombëtare. Zgjedhja e saj si soprano u bë edhe më pakthyeshme, kur mori përsipër që të investonte jashtë vendit, duke u bërë e dyta shqiptare, pas tenorit Saimir Pirgu, që do të studionte në Konservatorin e Bolzanos.
Ulpiana, shumë fëmijë ëndërrojnë që të bëhen artistë kur të rriten. Ndërsa, në familjen tënde arti ishte pjesë e jetës së përditshme. Çfarë mund të na thuash për ndikimin që ka pasur artistja Zina Zdrava në zgjedhjen tënde, si soprano?
Për mua çdo gjë ka ardhur shumë natyrshëm, falë familjes dhe veçmas mamasë, Zina Zdrava, që ka qenë pjesë e artit. Mbaj mend se kam qenë një fëmijë që gjithnjë kam pasur dëshirë të zhvilloja spektakle në lagje. Më pas këto organizime u bën edhe më konkrete nëpër festivalet që zhvilloheshin në Pallatin e Pionierëve, ku gjatë kurseve krijonim shumë njohje. Kjo periudhë shërbeu në të njëjtën kohë, që këto lojëra fëmijërie të ktheheshin në një drejtim profesional. Fillimisht frekuentoja pianon dhe më pas, kur përfundova klasën e tetë konkurrova në Lice Artistik për Kanto. Përveç mamasë, e cila më ka mësuar që të hap gojën dhe të krijojë gjithçka që kam, ka qenë edhe pedagogia e pianos, Ingrid Pulizo, e cila më ka ndihmuar që nga mosha 12-vjeçare.
Të kujtohen këshillat e zonjës Zdrava, si pedagoge, gjatë Liceut Artistik?
Marrëdhënia jonë ka qenë e veçantë. Në shumë momente ka pasur edhe paragjykime, sepse mendohet sikur prindi do të mbështesë fëmijën e vet. Por, mua më ka ndodhur që mamaja më ka nxjerrë edhe jashtë klase, kur nuk kam shkuar e përgatitur. Megjithatë mendoj se impaktet e para kanë qenë shumë interesante, sepse personi që ke pranë gjatë studimeve duhet të transmetojë qetësi dhe jo presion. Unë e kam pasur fatin që këtë trajtim profesional ta arrijë gradualisht, shkallë-shkallë. Prandaj gjithçka ka ndodhur shumë natyrshëm. Por, mamaja ime nuk ka reshtur kurrë së më mbështeturi. Në vit të dytë në Lice kam nisur të bëj koncertet e para recitale, sigurisht që në atë kuadër zhvillimi që kisha për momentin, sepse zëri është një organ, i cili nuk resht kur së zhvilluari. Unë ende dhe sot po përballem me role dhe debutime të reja, sipas maturimit vokal dhe muzikor që kam.
Përse vendose që të largohesh? Ndoshta, në Tiranë mund ta kishe pasur më të lehtë?
Qesh. Në fakt nuk e di nëse do të ishte më e lehtë apo jo. Unë këtu konkurrova dhe kam hyrë e gjashta në shkollë. Nuk jam stimuluar apo mbivlerësuar për këtë arsye. Mbase edhe nënvlerësuar, këtë duhet ta them. Megjithatë kjo nuk është një gjë që më ka krijuar probleme, por më ka stimuluar shumë më tepër. Kam qenë përherë një njeri konstant dhe serioze në punën time. Ndoshta kjo është pika ime më e fortë, që më bëri të jem këtu ku jam sot. U largova pasi përfundova vitin e parë për Kanton ë Akademinë e Arteve. Miqësia me Saimir Pirgun është bërë shkas që unë të krijoja marrëdhënie me pedagogun tonë të përbashkët, Vito Maria Brunetti. Kam qenë ndër të parat pas Saimir Pirgut, që kam shkuar në Konservatorin e Bolzanos, ku kam përfunduar studimet.
Përse thua se ka pasur raste që je ndjerë e “nënvlerësuar”?
Jo e nënvlerësuar. Por, çfarë ndodh? Duke qenë gjithnjë në një rrjet artistik, siç është rrjeti artistik shqiptar, pritshëmritë e njerëzve janë të ndryshme. Problemi është që secili duhet të jetë i bindur në atë që bën dhe të vazhdojë rrugën e tij? Përsa u përket vlerësimeve ne e kemi në modë, shkojmë pas sasisë dhe harrojmë cilësinë. Kjo ndodh shpeshherë edhe në kanto. Më vesh të parë, vlerësojmë shumë volumin dhe sasinë vokale, pa u kujdesur për rafinimin; stilistikën dhe veçantitë interpretative, të cilat bëjnë diferencën. Për fat të mirë, sot kemi mundësi që të shohim dhe vlerësojmë çdo gjë. Kjo nis që nga nxënësit deri te pedagogët. Prandaj është e rëndësishme që të jemi koherent dhe të shohim se ku arti lirik zhvillohet më mirë.
Si u gjende fillimisht në Bolzano?
Shumë mirë. Edhe pse ka pasur momente vështirësie gjatë periudhës që kam jetuar vetëm. Jam larguar në moshën 19-vjeçare, por nuk isha mësuar më parë, sepse jam fëmijë i vetëm. Kam ndenjur në një kolegj me murgesha për dy vjet, gjë që ka qenë edhe kufizuese në dalje për shkak të orareve.
Megjithatë, gradualisht nise që të jesh pjesë e teatrove ndërkombëtarë të operës?
Studimet në Konservatorin e Bolzanos më ndihmuan që ta zhvilloja më tej këtë rrugëtim profesional, pa u kthyer pas, sikundër ka ndodhur me shumë të tjerë. Çdo vit në Teatrin e Bolzanos zhvillohet një koncert nga Orkestra Gustav Mahler dhe dy orkestra të tjera paralelisht; ajo permanente dhe orkestra e të rinjve. Unë pata fatin që të marrë pjesë në një vepër të Moxartit, ndoshta kjo është arsyeja që e dashuroj këtë kompozitor, sepse me të kam nisur karrierën. Debutimi im i parë ka qenë “Bastiano dhe Bastiana” e Moxartit. Kjo pasoi shumë eksperienca të tjera.
Cilën do të veçoje prej tyre?
Janë shumë. Qoftë kur merr valixhet dhe të nesërmen e gjen veten në audicione, por dhe rolet kur përgatitesh për një punë të gjatë. Në skenë kam shumë eksperienca të bukura në vende të ndryshme, si në Itali, Gjermani, Zvicër, Austri, Spanjë, në Emiratet e Bashkuara etj.
Kushtet e pakta financiare në TKOB; partnerët mund të vinin disa ditë më përpara
Edhe pse prej disa vitesh, sopranoja Aliaj jeton jashtë vendit. Ajo është rikthyer herë pas here në Teatrin e Operës së Baletit, ku ka pasur fatin që të debutojë me disa role për herë të parë. Roli i saj i parë në TKOB ka qenë përkrahë Vikena Kamenicës dhe Saimir Pirgut te opera “Verter” në rolin e Sofies.
Nuk i ke shkëputur asnjëherë marrëdhëniet me TKOB-në?
Gjatë 2-vjeçarit të fundit këto frekuentime kanë qenë më të shpeshta. Debutimi im i parë në TKOB në Tiranë ka qenë në operën “Verter”, me rolin e Sofies. Më pas kam qenë e ftuar në disa mbrëmje kala. Por, kam bërë edhe disa debutime të rëndësishme. Kjo është një mundësi që ta jep TKOB. Kam pasur mundësinë që të interpretojë rolin e Konteshës në “Dasmën e Figaros”, rolin e Donna Ana te “Don Giovani” dhe së fundmi si Firogiligi te “Cossi fan tutte”. Është interesante për këtë trinom që është krijuar, sepse të tria këto personazhe femra janë shumë të rëndësishme për Moxartin. Prandaj jam shumë e lumtur që edhe debutimi i Firogiligi-s ka nisur në TKOB.
Nga roli i Fiordiligi-s tek opera “Cosi fan tutte”, çfarë do të veçoje?
Kjo vepër ka shumë intensitet. Të qenurit gjithmonë në skenë më një partner, ku Fiordiligi është përherë përkrahë motrës së saj, Dorabella-s. Apo Ferrando dhe Guglielmo dhe Despina me Don Alfonson, që janë strumbullar i gjithçkaje, janë përkrahë njëri-tjetrit. Veçantia në këtë vepër është se, përveçse individualitetit që duhet të krijosh duhet patjetër që të jesh dhe grup. E bukura e kësaj opere nuk është që të pikasë një individë, por që të gjithë bashkë. Moxarti është kaq gjenial, sepse çdo personazhi i ka dhënë mundësinë që të shpalosë veten minimumi në dy arie. Është një raport që krijohet shumë bukur, sepse shkrirja muzikore e zërave është një ndërthurje inteligjente vokale dhe tepër fine për t’u kuptuar në skenën tonë.
Nga skenat teatrore të huaja në teatrin tonë, çfarë ndryshimesh vë re?
Është bërë e zakonshme që të flasim për mungesën e kushteve, por edhe unë duhet që ta prek këtë pikë, sepse ka shumë rëndësi. Kjo sjell pasoja shumë të mëdha, për vet faktin se, duke mos pasur kushte dhe mundësi financiare nuk ke mundësi që të bashkëpunosh me kolegët mjaftueshëm. Ky është një problem, që ka ndodhur edhe në këtë vepër. Ne deri para pak ditësh nuk kishim partnerët këtu, sepse për t’i sjellë ata disa ditë më parë mungonin kushtet financiare, qoftë dhe një javë do të na ndihmonte shumë gjatë punës. Shpresoj që në të ardhmen të ndryshojë kjo pjesë.
Ndërsa unë ndihem mirë në momentin që respektohem për punën që bëj, sepse disa nga këta kolegë i kam dhe miq përtej skenës. Megjithatë, nuk mund të mohohet edhe xhelozia që ekziston, sepse dikush të fletë sot dhe nesër jo. Këto është atmosfera e luhatshme artistike (qesh).
Unë nuk e frekuentoj këtë rreth artistik sa artistët që janë këtu, por nuk është se vij nga hiçi. Njerëzit duhet ta kuptojnë se ata që vijnë nga jashtë këtu kanë bërë diçka, për këtë mund të informohen në çfarëdolloj mënyre. Unë do të jem te “Cosi fan tutte” në datë 23 dhe 25 qershor. Për teatrin kjo është një vepër rivënie, por pjesa më e madhe e personazheve e kanë debutim për herë të parë dhe kjo gjë e çon veprën në një tjetër drejtim, ku vështirësitë janë më të mëdha.
Biografia
Ulpiana Aliaj lindi në Tiranë. Studimet i kreu në degën e Kantos pranë Liceut Artistik “J.Misja” në klasën e pedagoges Zina Zdrava. Në vitin 2008 u diplomua në Konservatorin “C.Monteverdi” Bolzano, Itali me profesor Vito Maria Brunetti. Ajo është fituese e disa çmimeve ndërkombëtare, si çmimi i parë në konkursin “Città di Barletta” (2005), çmimi i parë në konkursin “Eistendorf”, (Londër, 2006), çmimi i tretë në konkursin “R.Leoncavallo”, (2007), fituese e Akademisë Rossiniane Pesaro, çmimi i dytë dhe çmimi i Publikut në konkursin “Martinelli-Pertille”, fituese e edicionit 63 të konkursit As-Li-Co. Ka interpretuar në skenat e Italisë, Gjermanisë, Zvicër, Austri, Spanje etj., në rolin e Adina-s te “L’elisir d’amore”, Serpina-s te “La Serva Pardona”, Pamina te “Die Zauberflote”, Lauretta te “Gianni Schicchi”, “Le convenienze ed Inconvenienze Teatrali”, La Prima Donna te “Il Tutco in Italia”, Donna Fiorilla te “Don Giovanni”, Donna Anna te “Ëerther”, Sophie te “Rigoletto”, Gilda te “Il Barbiere di Seviglia”, Rosina te “La Boheme”, Musetta, La Contessa neë “Le Nozze di Figaro”, si dhe Anna ne Don Giovanni. Interpreton me shumë sukses në Royal Opera Hause Muskat në Emiratet è Bashkuara rolin e Paminës në “Die Zauberflote. Sapo përfundon suksesshëm interpretimin e saj në operën “Rigoletto” në rolin è Gilde-s në Spanjë në teatrotë è Valladolid, Saragosa dhe La Coruna.
“Così fan tutte”, opera me dy akte e Moxartit
Në kafene, Ferrando dhe Guglielmo (dy oficerë) janë duke folur për të dashurat e tyre (respektivisht Dorabella dhe Fiordiligi) dhe janë të bindur për besnikërinë e tyre. Don Alfonso nuk është shumë i bindur për këtë dhe mendon se nuk ekzistojnë femra besnike. Ai vë bast me dy oficerët se për një ditë ai mund të provojë se të dashurat e tyre ashtu si të gjitha femrat e tjera, janë të lehta. Basti pranohet: dy oficerët do të bëjnë sikur janë thirrur në luftë dhe do të kthehen të maskuar për të joshur të dashurat e njëri-tjetrit. Në skenë shfaqen dy vajzat të cilat këndojnë për virtytet e të dashurve të tyre. Në shtëpi hyjnë edhe Ferrando dhe Guglielmo të maskuar si ushtarë shqiptarë. Kur motrat i shohin alarmohen nga prezenca e dy burrave të huaj në shtëpinë e tyre. “Shqiptarët” deklarojnë se ata kanë mbërritur aty me flatrat e dashurisë për to. Vajzat nuk lëshojnë pe dhe Fiordiligi i kërkon atyre të largohen menjëherë pasi ajo do t’i qëndrojë besnike të dashurit të saj. Ata vazhdojnë të këmbëngulin por pa dobi. Despina i nxit motrat që të pranojnë dashurinë e “shqiptarëve” dhe pasi ajo largohet Dorabela i thotë Fiordiligi-t se mbase pak flirtim nuk ka asgjë të keqe dhe në këtë mënyrë do të kalojnë kohën ndërkohë që presin të dashurit e tyre të kthehen. Dorabella dhe Guglielmo bisedojnë, ndërkohë që dy të tjerët Ferrando dhe Fiordiligi largohen bashkë. Guglielmo i shpreh dashurinë Dorabellas, e cila nuk i bën shumë rezistencë dhe i jep atij një medaljon (me portretin e Ferrandos brenda) në këmbim të një varseje në formë zemre. Ferrando është më pak i suksesshëm me Fiordiligin dhe tërbohet kur merr vesh se e dashura e tij e ka lëshuar aq lehtë medaljonin me portretin e tij… Don Alfonso, fituesi i bastit u thotë djemve që t’i falin të dashurat e tyre pasi në fund të fundit të gjitha femrat kështu janë. Skena tregon një dasmë të dyfishtë të motrave me dy “shqiptarët”. Despina, e cila këtë herë është maskuar si notere sjell kontratën e martesës e cila firmoset nga çiftet. Në sfond dëgjohet muzikë ushtarake, e cila njofton për mbërritjen e oficerëve. Por, atë që regjisori Nikolin Gurakuqi ka rezervuar për këtë rivënie mund ta ndiqni në TKOB. Interpretojnë: Fiordiligi: Eva Golemi, Ulpiana Aliaj; Dorabella: Vikena Kamenica; Ferrando: Marco Ciaponi; Guglielmo: Armando Likaj; Despina: Dorina Selimaj, Rezarta Qevani; Don Alfonso: Federico Benetti. Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOBAP. Dirigjente dhe klaviçembalo: Elda Laro. Skenografia: Nikolin Gurakuqi. Kostumet:Taulant Pustina. Koropetitor: Etrita Ibrahimi, Ingrid Pulizo