Boni apo Berlini? Sërish diskutim
Pas ribashkimit gjeman u zhvillua një nga debatet më emocionale në historinë e Bundestagut, ai për kryeqytetin e ardhshëm. 25 vjet më pas Boni e ka marrë veten mirë, por fantazma e vjetër e largimit ende vërtitet.
Para 25 vjetësh Parlamenti gjerman vendosi që qeveria të zhvendosej nga ish-kryeqyeti i RDGJ-së Boni për në Berlin. Për disa ky vendim qe një gëzim i madh, kurse për të tjerë, sidomos për përfaqësuesit e ekonomisë, hidhërim, sepse lidhej me frikën se Boni do të binte ekonomikisht.
Por ditët e ankimeve nuk zgjatën shumë. Pak javë pas vendimit për zhvednosjen e kryeqytetit dhe të qeverisë përfaqësuesit e bashkisë të qytetit të Bonit dhe të qarqeve fqinjë Rhein-Sieg dhe Ahrweiler, të Universitetit të Bonit dhe të shoqatave ekonomike të rajonit u mblodhën dhe përpiluan një master-plan, në të cilin u përcaktuan pesë fusha për të cilat shquhen qyteti dhe rajoni që do të shërbenin si shtylla për të ardhmen.
Masterplani për të ardhmen
Një nga shtyllat është “Struktura ekonomike e orientuar drejt së ardhmes”. Në këtë drejtim ka pasur një rritje të madhe, thotë Michael Pieck nga Dhoma e Industrisë dhe e Tregtisë Bonn-Rhein/Sieg. “Ne kishim në vitin 1990 rreth 33.000 kompani anëtare, në vitit 2016 kemi 52,000, një rritje prej 56 për qind.”
Për këtë kontribuan si 1,4 miliardë euro që qeveria i vuri në dispozicion Bonit dhe rajonit si kompensim, ashtu edhe rasti fatlum që Deutsche Post, Postbank dhe Deutsche Telekom që i kishin selitë e tyre në Bon, pas privatizimit u zhvilluan në sipërmarrje të sukseshme ndërkombëtare.
Qendër e bashkëpunimit ndërkombëtar
Një tjetër shtyllë e masterplanit parashikonte që Boni të pozicionohet si një “qendër e bashkëpunit ndërkombëtar”. Përveç koncerneve të mëdha në Bon vendosën selitë e tyre edhe 18 institucione të OKB-së që i japin qytetit atmosferë ndërkombëtare, thotë zëdhënësja e bashkisë Monika Hoering.
Por status i Bonit si seli e dytë e qeverisë është tani sërish objekt diskutimesh që kërkojnë një zhvendosje të plotë të të gjitha ministrive në Berlin. Sipas ligjit për Berlinin dhe Bonin të vitit 1994 duhet që në fakt dy të tretat e të gjithë punonjësve të qeverisë të vazhdojnë të jenë në Bon dhe vetëm një e treta në Berlin, por tani raporti ka ndryshuar 60:40 në favor të kryeqytetit.
Zëdhënësja e bashkisë Monika Hoering thotë se në Bon kanë lindur rrjete të reja lidhjesh mes organizatave ndërkombëtare dhe punonjësve të ministrive që janë në Bonn dhe ato nuk duhen ndryshuar pa nevojë. Edhe përfaqësuesit e Dhomës së Industrisë dhe të Tregtisë mendojnë, se në rast se gjashtë ministritë që kanë mbetur në Bon do të transferohen tërësisht në Berlin do të jetë e vështirë, sepse me to lidhen drejtpërdrejt apo jo drejtpërdrejt rreth 30.000 vende pune.