Albspirit

Media/News/Publishing

Dhuna ndaj fëmijëve në Shqipëri, reagojnë veprimtarët

  • Ilirian Agolli

Në Tiranë opinioni publik u trondit nga një akt tjetër dhune ndaj fëmijëve brenda një kopshti të paliçensuar. Ministria e Arsimit dënoi ngjarjen dhe po i shton kontrollet.

Veprimtarët e shoqërisë civile kërkojnë forcimin e masave parandaluese, duke kontrolluar ekipet e mësuesve në këto institucione.

Dhunimi i një fëmije trevjecar në një kopsht privat nga administraorja e tij ka tronditur opinionin qytetare dhe mediat vendase, të cilat po kërkojnë më shumë masa mbrojtëse në institucionet parashkollore.

Tv Klan dhe programi i tij Stop transmetuan pamjet e një kamere të fshehtë se si administratorja e kopshtit Anjeza Shahini dhunonte një fëmijë vetëm 3 vjeç në mes të grupit me fëmijë dhe mësuese të tjera.

Veprimtarët e shoqërisë civile pohojnë se pamjet e transmetuara nga media janë të papranueshme dhe se duhen shtuar masat parandaluese.

Skandali i dhunës ndaj këtij vogëlushi shtohet më tej edhe nga fakti që kopshti privat në Sauk, një fshat në periferi të Tiranës është i palicensuar për të ushtruar këtë veprimtari.

Administratorja ushtroi dhunë ndaj fëmijës, duke shkaktuar pasoja të dëmshme fizike dhe psikologjike në shëndetin e fëmijëve.

Ministria e Arsimit dhe Sportit deklaroi se e dënonte ashpër dhunën e ushtruar ndaj një fëmije të pambrojtur.

Ky rast i paprecedent dhe i urryer duhet të trajtohet me seriozitet maksmial nga të gjitha autoritetet shtetërore, nga shoqëria shqiptare, thuhet në deklaratë.

Nga inspektimi rezultoi se “Kopshti Diren” nuk ishte licencuar nga MAS-i dhe vepron në kushtet e informalitetit dhe krimit ekonomik.

Nga inspektimet e fundit të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit janë gjobitur dhe mbyllur 20 kopshte private.

Ministria e Arsimit dhe Sportit tha se do të rinisë një inspektim kombëtar të të gjitha kopshteve private.

Altin Hazizaj drejton qendrën për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe Linjën Allo 116, ku mblidhen cdo ditë dhjetëra denoncime dhune nga vetë fëmijët.

Ai është i shqetësuar se edhe pas denoncimeve të dhunës administrata shtetërore nuk ka institucione të mirëfillta për parandalimin e dhunës dhe eleminimin e pasojave të saj.

Komiteti Shqiptar i Helsinki deklaroi po ashtu se kjo gjendje shqetësuese dhe e përsëritur nuk mund të tolerohet dhe se duhen zbatuar ligjet bashkëkohore në fuqi në fuqi.

KSHH vlerëson se nuk është bërë sa duhet në drejtim të parandalimit të këtyre rasteve.

MAS nga ana e saj kërkoi më shumë bashkëpunim mes qytetarëve, medias dhe institucioneve shtetërore në një aleancë për luftë pa kompromis ndaj informalitetit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve shqiptarë.

Ajo ftoi qytetarët të verifikojnë statusin e kopshteve, ku çojnë fëmijët dhe të denoncojnë çdo rast dhune fizike apo verbale në institucione publike, private apo jashtë tyre.

Please follow and like us: