Hetimet për gjyqtarin që pezulloi Çakon/ Si e përfitoi vilën 3 katëshe Arjan Aliaj
Nga burime të besueshme brenda grupit hetimor në Policinë e Shtetit, lidhur me pasurinë e gjyqtarit Arjan Aliaj, dalin fakte të reja, që kanë të bëjnë me mënyrën si e fitoi ai vilën e tij 3 katëshe.
Grupi hetimor ka zbuluar se në 1 Gusht 1997, gjyqtari i çështjes nr. 3921, Arjan Aliaj, mori vendim për t’i kthyer 3400 m2 tokë familjes Pelinku, në rrugën “Sami Frashëri” në Tiranë. Familja Pelinku, sipas policisë, kishte paditur Komisionin e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, për këtë sipërfaqe toke, në zonën e Tiranës së Re. Vetëm pak javë më vonë, nga vendimi i gjyqtarit Aliaj, të njëjtat burime bëjnë me dije se familja Pelinku i dhuron 300 m2 tokë nga sipërfaqja e përfituar e tokës, Gilbert Galanxhit, bashkëshortit të motrës së gjyqtarit Arjan Aliaj.
Akti i dhurimit, i nxjerrë në dritë nga hetimi, mban datën 5 Nëntor 1997, 3 muaj pasi Arjan Aliaj mori vendimin për kthimin e kësaj prone familjes Pelinku. Madje, para aktit të dhurimit është pritur të bëhet edhe zbardhja e vendimit të gjyqtarit. Hetuesit dyshojnë që dhurimi i tokës, është tarifa korruptive që ka marrë gjyqtari Aliaj, për vendimin që ka dhënë. Më saktë, 300 m2, janë 10% e sipërfaqes totale që ka kthyer me vendim gjykate, gjyqtari Aliaj.
Veprimet e mëparshme lidhur me tokën janë zbardhur nga hetuesit. Sipërfaqja e tokës të fituar përmes dhurimit, bashkë me vilën 3 katëshe, motra e gjyqtarit Aliaj ia shiti në vitin 2005 vëllait tjetër të gjyqtarit Aliaj, shtetasit Pëllumb Rrapo. Prona u shit për 7.000 euro. Pëllumb Rrapo, që është vëllai i gjyqtarit Aliaj, por ka ndryshuar mbiemrin, i dhuroi tokën gruas së gjyqtarit Arjan Aliaj, më 5 Mars 2012.
Gjyqtari Aliaj është akuzuar publikisht nga Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, për lirim të personave të dënuar për Krime të Rënda, menjëherë pasi ai vendosi të pezullojë nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çakon, një vendim që u rrëzua me pas nga Gjykata e Apelit.