Lavdrim Lita: Brexit dhe Shqipëria
Në janar 2013, kryeministri britanik David Cameron njoftoi organizimin e një referendumi popullor për fatin e britanikëve në Bashkimin Europian. Pozicioni i Britanisë së Madhe erdhi si kërkesë e popullatës të shqetësuar prej pasojave të krizës së gjatë ekonomike-financiare dhe valëve të reja të migracioneve. Në bisedimet disamujore paraprake në kryeqytetet evropiane kryeministri Cameron mori mesazhe që mirëprisnin qëndrimin e Britanisë së Madhe në BE, por kërkesat e Londrës do të merreshin parasysh vetëm nëse ishin të qarta.
David Cameron paraqiti në samit një listë me katër kërkesa: 1. Ai dëshiron ta mbrojë tregun financiar britanik kundër rregullimit të tepërt nga zona e euros, ku Britania e Madhe nuk bën pjesë. Më shumë konkurrencë për BE-në; 2. Britania nuk do t’i përmbahet më formulës së traktateve të BE-së, sipas së cilës Evropa duhet të zhvillohet më tej në një bashkim gjithnjë e më të ngushtë; 3. Parlamentet kombëtare duhet të marrin një rol më të madh; 4. Qytetarët e BE-së që vendosen në Britaninë e Madhe mund të përfitojnë prej shërbimeve sociale si ato të britanikëve vetëm pas katër vjetësh. Qeveritë e tjera të BE-së me vështirësi jo të vogla lejuan lëshime në negociatat me Londrën. Pika më e debatuar ishte kufizimi i shërbimeve sociale për emigrantë të brendshëm të BE-së, një problem ky për shtetet lindore të unionit, sepse nga këto vende kanë emigruar shumë vetë në Britaninë e Madhe për të punuar.
Nga marrëveshja me Bashkimin Europian[1] Britania e Madhe siguroi që ajo nuk do të jetë e detyruar për një integrim të mëtejshëm politik brenda BE-së (Sovraniteti); Britania e Madhe mund të aplikojë një mekanizëm mbrojtës që do të shtrëngonte, për katër vite rresht, përfitimin e krahut evropian të punës të ndihmës sociale. Ndërkohë, vendet e tjera do ta aplikojnë këtë gjë për një periudhë shtatëvjeçare (ndihma sociale/lëvizja e lirë); Miratimi i një mekanizmi për të zgjidhur shqetësimet e vendeve joanëtare të eurozonës duke u dhënë mundësinë të diskutojnë për gjithçka që ato mendojnë se u dëmton interesat (Qeverisje ekonomike); Britanisë së Madhe iu garantua siguria se BE-ja do të kërkojë përmirësimin e konkurueshmërisë së saj, do të shkurtojë burokracitë për bizneset, do të vazhdojë një politikë tregtare ambicioze, do të nxisë sipërmarrjen dhe do t’i japë shtytje krijimit të vendeve të reja të punës (Konkurrueshmëria).
Mbi bazën e kësaj marrëveshje, qeveria e Britanisë se Madhe deklaroi mbajtjen e një referendumi me pyetjen për të Qëndruar apo Larguar nga Bashkimit Europian. Referendumi Britanik i 23 qershorit është teme debatesh në të gjithë vendet perendimore. Për shkak të sondazheve të ngushta, referendumi britanik mbetet temë e skenaresh politike në të gjitha vendet që preken drejtpërdrejtë ose indirekt nga rezultati i referendumit. Argumentet në diskurin publik britanik qëndrohen në tre tema të mëdha: efektet në ekonomi, efekti në politikën e jashtme dhe në sigurinë kombëtare.
- Referendumi Britanik, BE dhe Procesi i Zgjerimit
Në qendër të BE, dhe në qëndër të marrëdhënies së Britanisë me kontinentin, është tregu i përbashkët. Bashkimi Europian është partneri i parë dhe më i madhi i Britanisë, e përllogaritur në 45 % të eksporteve dhe 52 të importeve në 2014, si dhe tregu i vetëm unik me më shumë se 500 milion konsumatorë. Nga pikëpamja ekonomike dhe financiare largimi i Britanisë nga Tregu i Përbashkët europian do të ishte një tronditje për të gjithë anëtarët e Bashkimit Europian. Kjo do të dobësonte Britaninë e Madhe në peshën e saj globale dhe në të njëjtën kohë do të dobësonte Bashkimin Europian në planin ndërkombëtar. BE do të ishte një partner i dobët në tryezën ndërkombëtare. Fragmentarizimi i BE në një kohë sfidash globale do të jepte një efekt kaskadë në recesionin ekonomik, në krizën financiare në eurozonë, në fenomenin migrator, terrorizëm dhe kërcënime nga Rusia.
Ndërkohë korniza ligjore e një dalje të mundshme të Britanisë së Madhe nga BE mbështetet parimisht nga neni 50 i Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Europian (TFBE), që përcakton se, “Çdo shtet anëtar mund të zgjedhë të tërhiqet nga Unioni në përputhje me kërkesat e tij kushtetuese”. Por procesi vazhdon me negociatat me vendet e tjera anëtare të BE-së, mbi kushtet e tërheqjes dhe brenda dy viteve vendi duhet që të ketë arritur një marrëveshje me BE-në. Duke qenë që rasti i Brexit do të ishte hera e parë që ky proces do të vendosej në zbatim, askush nuk mund ta parashikojë nëse dy vjet janë një periudhë e mjaftueshme për të arritur marrëveshjen. Shumë ekspertë britanikë kanë filluar të shqetësohen për faktin që kjo çështje është shumë komplekse dhe e vështirë të përmbyllet brenda periudhës së përcaktuar nga ligji dhe kjo do të pasonte një fazë tranzicioni që do të rriste pasigurinë juridike dhe ekonomike të kontinentit. Traktati i tërheqjes nga BE miratohet nga Këshilli Europian me shumicë të kualifikuar e ratifikohet më pas nga Parlamenti Europian dhe parlamenti vendas.
Institucionet europiane do të përballeshin me një tjetër krizë besimi në tregjet ndërkombëtare derisa Britania dhe BE do të arrinin një marrëveshje për tregtinë e lirë mes tyre. Gjithashtu të gjitha energjitë e institucioneve evropiane dhe liderëve të saj do të përqëndroheshin për të shmanguar “efektin domino” të referendumeve të tjera të kërkuara nga rritja eksponenciale e partive euroskeptike, që të në të njëjtën kohë janë anti-emigracion në vendet anëtare të BE, të inkurajuara nga dalja e mundshme e Britanisë së Madhe.
Gjithashtu rezultati i referendumit do të ketë një impakt të madh për vendet kandidate për antarësim në BE. Britania e Madhe ka qenë një mbështetëse e fortë e antarësimit të vendeve të Ballkanit Perendimor në Bashkimin Europia[2] pavarësisht qëndrimeve strikte për të plotësuar kushtet e vendosura nga Komisioni Europian. Dhe mbështetja e Britanisë së Madhe për zgjerimin lind për shkak se zgjerimi i BE, në këndvështrimin strategjik të Londrës, është një lëvizje shmangëse nga thellimi i bashkëpunimit të ngushtë në nivel europian. Sa më shumë anëtarë, aq më e vështirë për t’u menaxhuar në nivel politik.
Në të njëjtën kohë, procesi i zgjerimit do të pësojë ndryshim thelbësor në arkitekturën dhe brendësinë e saj si pasojë e reagimit të Bashkimit Europian ndaj rezultatit të referendumit. Tema e zgjerimit të BE do të kalonte në plan të dytë dhe vendet e Ballkanit Perendimor do të humbin busullën e procesit integrues si pasojë e forcës transformuese. Nga ana tjetër Britania e Madhe që ka fuqi ndikuese në Ballkanin Perendimor përmes Bashkimin Europian do të reduktonte ndikimin e saj në rajon.
Në samitin e organizuar në Londër nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në shkurt të 2016 liderët e Ballkanit Perendimor u shprehën se mbështesin qëndrimin e Britanisë së BE sepse kjo ishte një garanci më shumë për rrugën e integrimit europian të rajonit.
- Brexit, Referendumi britanik i parë nga Tirana
Shqipëria hyri në debatin e referendumit Britanik përmes një deklarate të kryeministrit Edi Rama në 22 shkurt të 2016 në samitin e Londrës, ku u shpreh se, “Nëse Britania largohet (nga BE), ne jemi gati ta zëvendësojmë atë. Por nuk besoj se do të ndodhë kjo”. Më pas, thirrja e Shqipërisë në debat erdhi në muajin prill kur ministri britanik i Drejtësisë, Michael Gove mori si shembull Bosnje-Hercigovinën, Serbinë, Shqipëria dhe Ukrahinën si model marrëveshje për tregtinë e lirë me BE. Përveç Ukrahinës, Bosnje-Hercigovina, Serbia dhe Shqipëria janë tre vende kandidate për Integrimin në Bashkimin Europian dhe kanë firmosur një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE, përmes asaj që quhet marrëveshje e Stabilizim – Asocimit (MSA), që lejon shkëmbimin e lirë të mallrave dhe shërbimeve financiare pa qenë anëtarë. Mbështetësit e fushatës “Leave” për tu larguar e kanë parë këtë marrëveshje tregtare të replikueshme edhe për Britaninë e Madhe në lidhje me BE, ndërsa mbështetësit e fushatës “Remain” për të qëndruar e kanë ironizuar e ekzagjeruar këtë pozicion si të pamundur për t’u krahasuar duke marrë në total modelin shqiptar, si model i një vendi të korruptuar dhe të varfër.
Shqipëria, në këtë kontekst nuk do të ishte e interesuar për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian:
Në aspektin e jashtëm: Frenimi i procesit të zgjerimit nga dalja e Britanisë së Madhe do të reduktonte mbështetjen financiare dhe politike të BE ndaj rajonit tonë, si dhe ritmi i vendeve kandidate për të bërë reforma do të bllokohej në mungesë të karrotës. Brexit do të shoqërohej në paqartësi në rritje në rajon, ku vende që sot kanë qeveri pro-evropiane do të humbin terren kundrejt partive që janë për një alternativë tjetër orientimi. Alternativa politike dhe qeverisëse të afrimit me Rusinë do të merrte mbështetje në Ballkanin Perendimor dhe kjo do të kishte impakt negativ në pavarësinë e Kosovës dhe faktorin shqiptar në rajon. Rikthimi i nacionalizmit shovinist në rajon nuk është i pamundur në mungesë të një ideje konkrete europiane.
Në aspektin e brendshëm: Integrimi europian i vendit në BE është doktrina e vetme për të cilën palët politike në Shqipëri kanë një minimum konsensusi, edhe pse janë ndajnë këndvëstrime të ndryshme në mënyrën dhe shpejtësinë për të marrë nisma pro-europiane. Kriza e projektit të BE do të ulte ritmin e reformave të qeverive shqiptare sepse reformat kanë kosto politike dhe elektorale. Raportet e progresit të BE për Shqipërinë janë pikënisje të reformave të mëdha në vend, duke parë së fundmi mbështetjen e reformës në drejtësi, elektorale dhe në administratë. Legjitimiteti i reformave ligjore për procesin e integrimit europian do të mungonte dhe lufta politike do të ishte edhe më e polarizuar sec është aktualisht. Përvec aspektit të reformave, dalja e Britanisë së Madhe nga BE dhe reagimi i kësaj të fundit me krizën më të re do të kishte edhe kosto financiare për Shqipërinë.
- Konkluzione
Një dalje e Britanisë së Madhe (Brexit) do të impononte kosto të mëdha ekonomike mbi shtetet anëtare të BE-së, vendet kandidate dhe atyre që aspirojnë për t’u integruar në Bashkimin Europian. Efekti domino i daljes së Britanisë së Madhe nga BE do të shoqërohej me rritje të ndikimit të partive euroskeptike që mund të kërkonin referendume të tjera për të dalë nga BE, çka do të dëmtonte në mënyrë të pashmangshme projektin europian, si një projekt paqeje dhe prosperiteti ekonomik. Bashkimi Europian do të merrte shumë kohë në rindërtimin e institucioneve të saj, duke lënë në përparësi proçesin e zgjerimit me antarë të rinj.
Procesi i Zgjerimit të BE drejt vendeve të Ballkanit Perendimor do të ndalonte për një kohë të pacaktuar, duke i lënë hapësirë një ekuacioni me shumë të panjohura, ku forca të tjera gjeo-politike synojnë të ndikojnë rajonit dhe për rrjedhojë të forcojnë partitë anti-europiane dhe hipernacionaliste.
Interesi strategjik i Shqipërisë përkon me filozofinë europiane të integrimit të rajonit në një organizatë vlerash të përbashkëta, që afron popujt në paqe.
Shqipëria do të refuzonte në planin afatshkurtër të realizonte reforma me kosto të mëdha financiare dhe sociale në mungesë të paqartësisë dhë vënies në dyshim të projektit europian në qendër. Shpërblimi për reformat do të mungonte dhe kostot politike dhe elektorale do të ishin të pa mbështetura nga forcat politike.
Përsa më sipër, shqiptarët me të drejtë vote në referendumin Britanik që kanë një background emigracioni kanë shumë argumente për të votuar pro-qëndrimit të Britanisë së Madhe në Bashkimin Europian sepse kjo do të ishte një konfirmim për rrugën e duhur të ndërmarrë pas rrëzimit të komunizmit e këtej.
Bibliografi e konsultuar
- European Council (2016): European Council meeting (18 and 19 February 2016) – Conclusions, General Secretariat of the Council, February 19,http://www.consilium.europa.eu/en/meetings/european-council/2016/02/EUCO-Conclusions_pdf/
- Brexit and the EU-UK deal: consequences for the EU
http://bruegel.org/2016/03/brexit-and-the-eu-uk-deal-consequences-for-the-eu/
- US National Security Leaders: UK within the European Union is in US Interests
http://www.atlanticcouncil.org/images/UK_Referendum_Letter_Use_MP.pdfThe
- Geopolitical Stakes of Bremain Vs. Brexit
https://www.youtube.com/watch?v=PhKhC5ScKmc
- BE mes “strategjisë ” së Brex-imit dhe strategjisë së Zgjerimit
- BREXITBUILD-UP TO A REFERENDUM
http://www.economist.com/Brexit
- Samiti i BERZH, Rama: Gati ta zëvendësojmë Britaninë në BE
http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=320151
- Brexit, referendumi britanik i parë nga Prishtina
http://zeri.info/zerat/94330/brexit-referendumi-britanik-i-pare-nga-prishtina/
- The Trade Costs of Leaving the EU
https://www.project-syndicate.org/commentary/brexit-high-trade-costs-by-roderick-abbott-2016-05
- The Economic Consequences of Brexit
- I 5 Paesi che rischiano di più se vince Brexit
- A historic reminder, an ever-present dilemma? – Assessing Brexit’s potential consequences for European security
http://www.epc.eu/pub_details.php?cat_id=4&pub_id=6540
- How will UK trade with EU post-Brexit? Pascal Lamy, Andrea Leadsom discuss – BBC Newsnight
https://www.youtube.com/watch?v=Z6LVNpfES8k
[1] http://www.bbc.com/news/uk-politics-32695399
[2] Member state preferences on CEEC enlargement: Britania: “Drivers” dhe Inclusive enlargement
Frank Schimmelfennig (2001: 50)
The Community Trap: Liberal Norms, Rhetorical Action, and the Eastern Enlargement of the European Union