Millovan Gjillas: Shqiptarët janë autokton dhe populli më i vjetër i Ballkanit
Nga Gjekë Gjonlekaj/New York
Në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar Millovan Gjillas ishte njëri prej disidentëve antikomunist më të nderuar në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropën perendimore. Pothuajse të gjitha veprat e tij u përkthyen anglisht dhe u botuan nga shtëpitë më të njohura botuese në Amerikë. Vepra e tij monumentale “Klasa e Re (New Class) u cilësua nga sociologët dhe filozofët amerikanë dhe perëndimorë si libri më antikomunist në botë. Parashikimet dhe shpjegimit e Millovan Gjillasit për rënjen e sistemit komunist ishin shumë të qëlluara. Politikani dhe disidenti Millovan Gjillas ishte shkrimtar, filozof,sociolog dhe historian. Gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte qënë një ndër luftëtarët më të njohur antifashist në Jugosllavi. Deri në fund të viteve 40, ai kishte qënë komunist.
Në fillim në viteve 50’ filluan mospajtimet e tij me sistemin komunist të atij vendi. Kundërshtimet e mospajtimet tij, Gjillas i shfaqi publikisht në fjalime dhe në botime në kohën kur ishte kryetar i Kuvendit Federativ të Jugosllavisë dhe si pasojë u përjashtua nga të gjitha funksionet politike dhe shtetërore. Pas një gjykimi të ashpër u dërgua në burgun famkeq të Sremska Mitrovicës, ku gjëndej edhe disidenti i famshëm shqiptar Adem Demaçi. Gjatë vizitave në Shtetet e Bashkuara Adem Demaçi tregonte shumë për Millovan Gjillasin. Disidenti ynë Adem Demaçi e ka njohur më mirë se kushdo tjetër këtë disident të famshëm, i cili disa herë kishte qënë në pozitën numër 2 në Jugosllavi pas Josip Broz Titos. Në shumicën e veprave të botuara anglisht në Shtetet e Bashkuara Millovan Gjillas shkruan edhe për shqiptarët. Bile në veprën e tij letrare “Toka pa Drejtësi”(Land without Justice) Millovan Gjillas e përshkruan në mënyrë shumë të dhimbshme rënjen heroike të Isa Boletinit në Podgoricë, ku kishte marrë pjesë edhe babai i tij. Vepra letrare ku flitet për rënjen tragjike dhe heroike të Isës “Toka pa Drejtësi”(Land without Justice) u botua anglisht në New York në vitin 1956. Kritika letrare amerikane e cilësoi si veprën më të mirë nga bota komuniste pas “Donit të Qetë” të Shollohovit.
Në vitin 1966 Harcourt, Brace & World, Inc. në New York, botoi anglisht një vepër të Millovan Gjillasit. Titulli I kësaj vepre voluminoze prej pothuajse 500 faqesh është: “Njegoshi Poet, Princ dhe Peshkop”. Në kapitullin e parë “Vendlindja”, M.Gjillas shkruan gjërsisht për vendlindjen e Njegoshit. Ky shkrimtar dhe historian i famshëm në botën perendimore, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkruan tekstualisht këto:
“Nuk dihet koha dhe as origjina e klaneve malazeze, të cilat përmenden si komunitete qysh në shekullin XIV ose më parë. Për shkak se ato nuk përmenden me emër qysh në kohën e dyndjes se sllavëve në Ballkan, në fillim të shekullit VII, kjo nuk do të thotë se origjina e tyre është e mëvonshme. Sllavët e Jugut imigruan në Ballkan në njësi fisnore, pasi u ribashkuan ata u zhdukën krejtësisht nga shoqëria feudale dhe shteti. Në qoftë se fiset malazeze nuk janë një konglomerat imigrantësh sllav e ilir, atëherë siç duket janë klane gjaku–fisesh—shqiptare– që natyrisht janë banorët më të vjetër të Gadishullit ballkanik. Nuk bëjnë këtu përjashtim as rrënjët e Njegoshit që shtrihen thellë në ato klane që jetojnë në Ballkan qysh në kohërat mitologjike të iliriëve dhe sllavëve.
Sidoqoftë, turqit i krijuan fiset në Mal të Zi dhe në pjesët veriore të Shqipërisë. Ishin këto bashkësi fisnore që u futën në konflikte kundër turqëve. Lidhje të tilla fisnore kishte edhe në Sërbi dhe në Maqedoni, bile edhe në More (Peloponez), veçanarisht në rajonet malore ku Turqia u kishte njohur këtyre fiseve një lloj autonomie. Shqiptarët jetonin për vete. Ata kishin probleme me malazez, por edhe me Vezirin e Shkodrës dhe me Stambollën. Shumë familje serbe, dhe klanet e tyre ishin konvertuar në fenë islame. Kështu kishin bërë edhe disa fise të Shqipërisë Veriore, që e kishin pranuar fenë islame për të ruajtur ose për të fituar pasuri të patundshme ku bënin pjesë tokat dhe pronat të ndryshme. Hoti e kishte ndihëmuar disa herë Malin e Zi, sidomos në luftën për çlirimin e Podgoricës nga Turqia. Kryetarët e fisive shqiptare kishin lidhje me udhëheqësit e fiseve malazeze. Njegoshi kishte deklaruar se shqiptarët nuk janë turqë, sepse ata veprojnë ndryshe nga turqit. Kuçi që gjëndet afër Shqipërisë e ka të vështirë qarkullimin, bile duhet të shkojë në Kotor për të blerë kryp e mos fol më për nevojat tjera. Në vitin 1613, Veziri i Shkodrës rekrutoi ushtrinë e tij në 7 sanxhakët e Shqipërisë dhe të Malit të Zi, për të shuar kryengritjen antiosmane në Bjellopavliq (Palabardhë) dhe në Pipër. Në këtë rast Turqia kishte kërkuar ndihmë nga Venediku.
Peshkopi Rade i Malit të Zi ishte ndje mirë kur e kishin njoftua se do t’i shkonte në ndihmë prijësi shqiptar i Mirditës Bibë Doda. Mirdita kishte bërë disa herë luftëra të pergjakshme kundër Malit të Zi. Megjithatë , Peshkopi Rade e kishte pritur mirë ndihmën e Bibë Dodës. Një prijës tjetër i Mirditës, Mark Prëkëlleshi kishte vajtur në Cetinë dhe kishte pritur gjatë, për t’u takuar me Njegoshin. Letra që i kishte dhënë Mark Prëkëlleshit ishte shumë e qartë e shkurtër dhe tregonte se miqësia midis këtyre dy krahinave heroike mund të përforcohet. Mirëdita kishte bërë shumë luftëra kundër Malit të Zi, qysh në kohëra që nuk mbahen mend, por më në fund kishte filluar koha e miqësisë. Njegoshi ishte gëzuar shumë për miqësinë me fisin heroik të Mirditës.
SHËNIM: Këto ishin disa prej shpjegimeve të Millovan Gjillasit për shqiptarët dhe autoktoninë e tyre. Shtojmë se në veprën e tij të njohur “Bisedime me Stalinin” (Conversations with Stalin), botuar në New York në fund të viteve 60’ Stalini e kishte pyetur Gjillasin kush janë shqiptarët? Millovan Gjillasi i ishte përgjigjur : “Shqiptarët janë janë populli më i vjetër në Ballkan, ata janë edhe më të vjetër se grekët”. Bisedimet midis Stalinit e Gjillasit ishin mbajtur në Moskë në vitin 1947. Në një prej fragmenteve në veprën e lartëpërmendur M.Gjillas thotë se rrënjët e origjinës së Njegoshit shtrihen në fiset shqiptare. Akademia e Shkencave dhe Arteve e Malit të Zi mund t’i ishte këshilluar edhe veprat e Millovan Gjillasit për origjinën e fiseve shqiptare. Ky dijetar malazez është personaliteti më i nderuar sllavo-ballkanik në Amerikë pas Nikolla Tesllës. Vlen për t’u shënuar se Millovan Gjillas ishte disident antikomunist pro-amerikan, çfarë nuk është e vërtetë për disa të tjerë, ku bën pjesë disidenti i famshëm rus Aleksandr Solzhenitsyn, i cili ishte antikomunist dhe antiamerikan, pavarësisht se ishte strehuar në Shtetet e Bashkuara deri në kohën e rënjes së komunizmit në Bashkimin Sovjetik.