Albspirit

Media/News/Publishing

Nuk përmbahet Rama: Bluzën e kombëtares e ideova vetë

Edi Rama nuk duron dot më. Fabulën e prodhuar nga këshilltarët e tij mediatikë se është ai dizenjuesi i fanelës së kombëtares ai e ka pranuar në një farë mënyre edhe me gojën e tij. Ai ka prodhuar një selfie intervistë për të thënë se bluzën e kombëtares qe po luan ne france e ka imagjinuar ai me shqiponjën e stilizuar. Shijoeni të plotë delirin e kryeministrit të cilin e kemi njekohësisht piktor, arkitekt, stilis dhe prisni dhe pak….ndoshta dhe robaqepës

 

Klan Kosova: Ideja për motivin e fanellave të kombëtares a ishte rezultat i një përpjekjeje më të gjatë në kohë, apo shpërthim momental inspirimi?

Edi Rama: Unë e kam pasur privilegjin e madh ta vesh fanellën e Kombëtares dhe ia njoh peshën që ka mbi lëkurë bluza kuqezi, e cila me siguri, rëndohet ende më shumë sa më lart ngjitesh në të përpjetën e kompeticioneve ndërkombëtare!

Jam i bindur se po të mos e kisha kaluar atë eksperiencë të pazakonshme të fanellës kuqezi nuk do ta kuptoja dot, siç e kuptoj, presionin e patregueshëm që kanë pasur në mendje e në trup çunat e kësaj Kombëtareje; që nga fitorja me Portugalinë, kur u krijua ideja se mund të shkonin larg.

Kjo më ka lidhur më shumë me ta dhe me De Biazin, sidomos në momentet më të vështira (pas ndeshjes në Elbasan me Serbinë), dhe me Presidentin po ashtu, me të cilin kemi krijuar një partneritet shumë të dobishëm në interes të futbollit dhe posaçërisht të Kombëtares.

Idenë e shqiponjës në fanellë e kam pasur në fakt prej disa kohësh, kur i shikoja me vëmendje e nganjëherë me zili uniformat e skuadrave të tjera. Por m’u dha rasti ta ndaj këtë ide me Armando Dukën gjatë përgatitjeve të para për në Francë.

Ia shpjegova dhe vizatova kur po pinim një kafe.

I pëlqeu dhe e mori t’ia jepte studios së dizajnit që punoi për uniformat.

Ndërsa vizatimi që ka dalë nga arkiva e iPhone-it të tij është një skicë e mëvonshme. Të cilën më kujtohet e kam bërë në makinë, kur më çoi me ëhatsApp variantin e përpunuar nga studioja mbi skicën e parë të shqiponjës.

Me atë skicë e me disa rreshta të shkruar, i saktësova pozicionin e dy kokave të stilizuara mbi vijën horizontale të trupit, në mënyrë që numri në gjoks të zinte vend tamam; si edhe nevojën që vijat të vinin duke u rralluar drejt fundit të bluzës.

Funksionoi shumë mirë!

Studioja bëri një punë të lavdërueshme për tërësinë e uniformës.

Klan Kosova: Në të kaluarën ju keni folur për domosdoshmërinë e “Krijimit të një shije të re tek shqiptarët”.  A është motivi i fanellës – ashtu siç ishin dikur ngjyrat e shumëllojta në ndërtesat e Tiranës – pjesë e projektit tuaj artistik për ta ridefinuar shijen e shqiptarëve?

Edi Rama: Shqiponja është një element shumë identifikues për ne, dihet kjo! Por, vizualisht, shqiponja e flamurit tonë është e jashtëzakonshme, ka një trajtë grafike spektakolare dhe thuajse të pamundur për riinterpretime të suksesshme.

Mund të biesh menjëherë në vulgaritet estetik nëse e transferon në një trajtë tjetër!

Shikoni, për shembull, se çfarë tmerri estetik është ajo shëmbëlltyra e shqiponjës së flamurit, e vendosur tek hyrja e Tiranës. S’ka asgjë nga pesha dhe finesa e origjinalit në fushën e kuqe të flamurit, zero! Përkundrazi, është një alterim vrastar për sytë, një siluetë agresive në boshllëk.

Por, duhet thënë se ka edhe një aspekt tjetër lidhur me shqiponjën tonë; të huajt që dinë diçka për Shqipërinë, e përdorin herë pas here epitetin “Vendi i Shqiponjave” dhe mua më pëlqente shumë ideja që përmes fanellës së Kombëtares të përhapej sa më shumë ky term identifikues në sytë e audiencës gjigante të Europianit.

Nuk e fsheh që më bëhet shumë qejfi kur lexoj në artikujt e këtyre ditëve historike për skuadrën dhe për imazhin e vendit tonë të flitet për shqiponjat e Shqipërisë dhe kjo vjen edhe nga impakti vizual i fanellës.

Klan Kosova: A duhet që ndryshimet e rëndësishme vizuale të Shqipërisë ta kenë vulën artistike të Edi Ramës?

Edi Rama: Nuk mendoj për vulën time të them të drejtën, por për një influencë sa më europiane në shijen e gjërave që bëjmë, qoftë një shesh qyteti, qoftë një stadium i ri apo një park fëmijësh, qoftë një rrugë e gjelbëruar bukur apo një sistem ndriçimi dhe qoftë edhe një ndërhyrje në një urë të trashëgimisë kulturore apo në fanellën e Kombëtares.

Kudo ku vëmë dorë duhet të synojmë krijimin e kësaj influence që është një ushqim i shëndetshëm për imagjinatën e publikut. E cila ka qenë e mbetet shumë e trysnuar për shkak të barbarizmave vizuale të së shkuarës së largët e të afërt.

Klan Kosova:  A ka pasur edhe ide tjera për dizajnin e fanellës së Kombëtares? Sa do të kishte gjasa ideja e ndonjë artisti tjetër në konkurrencë me atë të Kryeministrit?

Edi Rama: Edhe njëherë: Unë kam dhënë thjesht një ide, po puna, autorësia, merita për të tre uniformat e bukura të Kombëtares është e studios që ka përzgjedhur federata.

Përfitoj nga rasti t’i komplimentoj edhe publikisht, sepse më parë i kam komplimentuar nëpërmjet Armandos.

Dhe meqë mua muhabetet e dizajnit më tërheqin shumë, po ju tregoj edhe pak më shumë. Sepse më vjen mirë që më dëgjuan edhe për ngjyrën e kostumit zyrtar!

I thash Presidentit: Po më dëgjuat mua bëjeni gri e jo të zi kostumin, sepse është shumë më elegant për një skuadër futbolli dhe për më tepër, në qershor është shumë më i përshtatshëm. Do ta kisha dashur edhe pak më të hapur në fakt, po prapë është shumë mirë!

Dhe më vjen aq mirë sa s’ua tregoj dot që edhe në këtë aspekt ia kemi dalë me francezët; të cilët janë tekanjozë të mëdhenj e mezi presin të rrudhin buzët e të shkruajnë me tone tallëse për një autoritet apo një skuadër të veshur pa elegancë!

Por, aman ju lutem, mos mendoni se më ka dëgjuar për të gjitha Presidenti…

Është tip më vete dhe po s’iu mbush mendja për një gjë, kot të lodhesh!

Do kishte qenë maksimumi sipas meje, po të kishin vënë në jakën e kostumit edhe një trëndafil të vogël kuqezi, po nuk e binda dot Armandon t’ia përcjellë çunave të studios këtë sugjerim, megjithëse i solla shembull një nga kostumet më të bukura zyrtare, atë të Manchester United, në finalen dramatike të Kupës së Kampionëve në Camp Nou, me Bajernin; me një lule të madhe të kuqe në xhepin e xhaketës.

Spektakolar!

Mbase iu duk një provokim partiak dhe si i djathtë që është, sado që i moderuar me thënë të drejtën, nuk e kapërdiu dot trëndafilin socialist!

Bëj shaka

Klan Kosova: Futboll pasionant, tifozllëk shembullor, fanella të dizajnuara nga Kryeministri… A është Shqipëria fituesja më e madhe e Euro 2016 sa i përket imazhit dhe veçantisë së përfaqësimit?

Edi Rama: Le të themi që Kombëtarja ka fituar për të gjithë ne në fushën e një beteje të dyfishtë; atë të futbollit, ku skuadra shumë më të mëdha se e jona kanë marrë valixhet apo s’po bëjnë dot akoma tre pikë, dhe atë të perceptimit publik, ku falë kësaj Kombëtareje, karakterit të saj të hekurt dhe lojtarit të saj të 12-të, tifozërisë fantastike kuqezi, shumëkush që deri dje ka pasur një perceptim të errët për vendin tonë, sot e sheh Shqipërinë nën një dritë të re.

Kam marrë mesazhe admirimi për këtë Kombëtare e për Lojtarin 12, nga autoritete të larta të politikës e figura të shquara publike europiane.

Njëri ndër ta, Zhak Atali, shkruante për ndeshjen me Francën: “Kjo ndeshje ka bërë më shumë se sa shumë, për të apeluar që vendi i Shqipërisë është në Bashkimin Europian!”.

Klan Kosova: A është ndikuar kësisoj në luftimin e stereotipizimit negativ për shqiptarët në mediat globale?

Edi Rama: Absolutisht po!

Por jo vetëm kaq.

Është ndikuar shumë edhe në raportin tonë me vetveten, por këtë të fundit do të mund ta kuptojmë pak e nga pak pas disa kohësh.

Unë e ndjej se është ushqyer më shumë autostimë, pra besim e respekt tek vetvetja, jo si individë, po si popull shqiptar, si komb shqiptar po të duash, dhe ka përparuar në mënyrë të padukshme brenda nesh ideja se, jo vetëm individualisht, po edhe bashkërisht mund të bëjmë të mundura pa humbur shumë kohë, gjëra që duken të pamundura ose shumë të largëta.

Mbase, kushedi, edhe ndër përfaqësuesit e popullit, si kategori, jo vetëm në Shqipëri, po edhe në Kosovë e Maqedoni, diçka ka ndodhur në nënvetëdije dhe rrugës do të shohim, ndoshta, një përmirësim të përgjithshëm të sjelljes publike, të shkallës së përgjegjshmërisë ndaj publikut. Sado të vogël!

Nëse këto që po them në fund mund të jenë hamendje të nxituara të miat nën efektin e entuziazmit të përgjithshëm, jam i sigurt se shqiptaria në tërësi është ngjitur një shkallë më lart në qytetari, falë këtij momenti magjik që nuk do të fashitet pa lënë gjurmë në shpirtin tonë të bashkësisë.

Video:
[youtube https://www.youtube.com/watch?v=wdYMYssVNhA?width%3D620px%26amp%3Bheight%3D349px%26amp%3Btheme%3Ddark%26amp%3Bautoplay%3D0%26amp%3Bvq%3Dlarge%26amp%3Brel%3D0%26amp%3Bshowinfo%3D1%26amp%3Bmodestbranding%3D0%26amp%3Biv_load_policy%3D1%26amp%3Bautohide%3D2%26amp%3Bwmode%3Dopaque]
[youtube https://www.youtube.com/watch?v=KUy7RxDoV8I?width%3D620px%26amp%3Bheight%3D349px%26amp%3Btheme%3Ddark%26amp%3Bautoplay%3D0%26amp%3Bvq%3Dlarge%26amp%3Brel%3D0%26amp%3Bshowinfo%3D1%26amp%3Bmodestbranding%3D0%26amp%3Biv_load_policy%3D1%26amp%3Bautohide%3D2%26amp%3Bwmode%3Dopaque]Add new comment
Please follow and like us: