Poroshenko: Tifozët rusë të futbollit janë “luftëtarë të trajnuar”
Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka thënë se tifozët rusë të futbollit, që kanë kryer dhunë në qytetin Marsejë, gjatë Kampionatit Evropian, kanë qenë “luftëtarë të trajnuar që vrasin”. Poroshenko i ka bërë këto komente për televizionin francez, përpara se të takohet me presidentin e Francës, Francois Hollande, sot në Paris. Dy britanikë mbeten në gjendje kome pasi janë plagosur rëndë, përpara ndeshjes Angli-Rusi në Marsejë, më 11 qershor. Ata janë në mesin e 35 të të plagosurve, shumica britanikë, gjatë tre ditëve të dhunës. Prokurorët francezë kanë thënë se tifozët rusë kanë sulmuar mbështetësit e Anglisë në mënyrë të orkestruar. Tre rusë kanë marrë dënime deri në dy vjet burgim dhe gjashtë anglezë deri në gjashtë muaj.