Tahiri drejt pezullimit nga detyra
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri rrezikon të pezullohet nga detyra e tij pas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Pergjithshme në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD).
Ministri i Brendshëm ndodhet tashme në të njëjtën situatë si Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako, i cili pak kohë më parë me kërkesë të Prokurorisë u pezullua nga detyra me vendim të Gjykatës së Faktit dhe më pas ai vendim u anullua nga Gjykata e Apelit.
Në të njëjtën situatë ndodhet edhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Prokuroria e Përgjithshme ka ndjekur të njëjtat procedura, thuajse në asnjë ndryshim me vendimin e dhënë nga Gjykata e Faktit Tiranë në lidhje me pezullimin e Haki Çakos duke plotësuar dosjen e plotë për pezullimin nga detyra deri në përfundim të hetimeve për Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
E gjithë procedura e kryer nga Prokuroria lidhet vetëm me faktin e hetimit që ky institucion ka kryer në lidhje me skandalin e përgjimeve e cila ka përfshirë jo vetëm politikën, por tashmë pas policisë po përfshin edhe Ministrin e Brendshëm. Kjo pas kallëzimit të bërë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Burimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithsme i thanë citynews se dosja për Saimir Tahirin është në përfundim dhe së shpejti pritet kërkesa për pezullimin e tij nga detyra .Tashmë pritet vetëm vendimi i Gjykatës për të parë a do vazhdojë detyrën Ministri i Brendshëm apo do të ketë të njëjtin fat të përkohshëm siç e pati Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako./citynews