Albspirit

Media/News/Publishing

Tedi Blushi: Dje “kafsha” e kishte emrin Anjeza! Nesër…kushedi!

Tedi Blushi: Dje “kafsha” e kishte emrin Anjeza! Nesër…kushedi!

Gazetari Tedi Blushi ka reaguar lidhur me video skandalin e publikuar ditën e djeshme, ku pronarja e një kopshti privat dhunonte një fëmijë 3-vjeçar.

Përmes një shkrimi, Blushi argumenton se shteti nuk e frenon dhunën, por e inkurajon. Sipas tij, dje “kafsha” e kishte emrin Anjeza, ndërsa nuk dihet si do të quhet “monstra” e rradhës.

“Dhunën nuk na e solli Anjeza! Atë e kemi midis nesh! Kafshë u bëra edhe unë kur pashë videon! Sepse ne të vrasim për një të parë në sy, për një gërvishtje makine, imagjino çfarë mund t’i bënim Anjezës në ato çaste!” e nis reagimin gazetari.

Blushi ilustron disa raste të bëra publike ku sipas tij shoqëria shqiptare shfaq shenja dhune dhe vetëgjyqësie si pasojë e mosbesimit në agjencitë e zbatimit të ligjit. “Kam dëgjuar edhe nëna që i përkedhelin fëmijët “vdeksh sa i mirë që je”! Kam parë edhe nëna që i zhdëpin kalamajtë “se kështu bëhen më të mirë!”. Ashtu siç shohim edhe baballarë që i gjakosin gratë në sytë e fëmijëve! Që iu vrasin nënat para syve! Prindër që krenohen me fëmijët që mbajnë pistoletë! A i patë ata dy burrat në Vlorë që bënin sehir atë monstrën që shkelmonte në rrugë nënën me dy fëmijë? Kush reagon kur sheh një grua që rreh fëmijën në supermarket? Në pallatin tënd ai ke trokitur në derë komshiut që rreh gruan? I ke ndalur dorën një të riu që grushton të dashurën në mes të Bllokut? Apo ke bërë sikur nuk e ke parë dhe ke vazhduar rrugën? Po sot çfarë bëmë? Hidhini një sy “Facebook”-ut: Të varet Anjeza!” argumenton Blushi.

Gazetari thekson se “kafsha” brenda nesh del nga kafazi. “ Sigurisht që instiktet kafshërore i ka çdo shoqëri! Ndaj është shteti! Si rregullator! Po cili shtet? Ai komunist? Që na e deformoi më keq genin e na injektoi me shumicë dozën e dhunës në gjak! “Njeriu për njeriun është ujk!” dhe “Plumbit me plumb”, thosh merhumi! Apo ky shteti demokratik? E patë ministren sot? Doli të fliste kundër dhunës e dhunoi verbalisht një gazetare! Cili shtet? Ai që nxit turmat të protestojnë kundër një kryebashkiaku përdhunues? “Vdektë kush nuk e do Elvisin”, çirrej kavajsja para kamerave. Cili shtet? Ai që të burgos për një çati pa leje? Shteti që favorizon një karburant dhe i merr jetën dy fëmijëve që shkonin të vizitonin babain e burgosur për ca tjegulla pa leje. Cili shtet na mbron nga dhuna? Ai që të sekuestron prasin e kokoshkat? Ndaj dhe “kafsha” brenda nesh del nga kafazi! Sepse shteti nuk e frenon por e inkurajon! Dje “kafsha” e kishte emrin Anjeza! Nesër…kushedi!” përfundon shkrimin gazetari Tedi Blushi.

Please follow and like us: