A i ka mashtruar/ “bindur” Rama ndërkombëtarët për reformën në drejtësi?
Nga Kastriot Islami
Në shumë biseda e diskutime shfaqet çudia e madhe sesi ka mundësi që partnerët janë mashtruar nga Rama duke e lejuar atë të kapë drejtësinë?!Shumë mendojnë se kjo është lojë e Ramës për të krijuar alibinë e mbështetjes nga ndërkombëtarët. Aq më tepër që Rama është ideatori, organizatori e realizuesi i një qeverisje dhe maxhorance me individë me rekorde të tmerrshme kriminale, biznesmenë e manjatë të medias me pasuri të dyshimta, me të fortë që kanë blerë votat dhe kërcënuar votuesit. Shumë nga qytetarët pyesin nëse angazhimi i partnerëve për reformën në drejtësi ka realisht për synim ngritjen e një sistemi drejtësie të ndershëm e të pavarur politikisht që do të ndëshkojë peshqit e mëdhenj të politikës?! Pyesin nëse ndërkombëtarët e kuptojnë gjendjen paradoksale në të cilën gjendet kuvendi shqiptar i cili po nxitet/detyrohet fuqimisht të miratojë një reformë perëndimore duke qenë ndërkohë i korruptuar dhe i inkriminuar?Ata duan të dinë nëse kjo është një lojë e Ramës për të krijuar alibinë e një mbështetje preferenciale apo bëhet fjalë për një mbështetje thjesht taktike, e momentale për të mbyllur reformën e mundësuar ngritjen e sistemit të reformuar të drejtësisë që më tej do të ndëshkojë jo vetëm deputetët/ministrat e korruptuar e të inkriminuar por edhe vetë Ramën, i cili aktualisht po përpiqet të krijojë idenë se është i pandëshkueshëm.
Synimi i Ramës për kapjen e drejtësisë dhe interesi i ndërkombëtarëve për një drejtësi të ndershme
Në hapin drejt hapjes së negociatave me BE, partnerët amerikanë dhe europianë duken shumë të angazhuar për kryerjen e një reforme që garanton një sistem drejtësie, të ndershëm dhe të pavarur politikisht. Rama i dyzuar mes kapjes së drejtësisë dhe minimit të reformës është përpjekur që i) në rastin e kryerjes së reformës të fitojë mbështetjen e partnerëve për të kapur sistemin dhe shmangur më tej ndëshkimin eventual duke nxjerrë mësime nga rasti rumun kurse ii) në rastin e minimit të reformës, duke patur parasysh koston e lartë sidomos përballë ndërkombëtarëve, Ramës do ti duhej mbështetja e partnerëve për ti bindur që përgjegjësinë për mos miratimin tja faturonte Metës, Berishës dhe Bashës. Në rastin e opsionit të kryerjes së reformës, Rama qysh në fillim ka synuar një spastrim të thellë të sistemit të drejtësisë sepse vetëm kështu do të mund të “niste nga zero” mbushjen e institucioneve të prokurorisë dhe drejtësisë, me rilindas dhe anëtarë të klientelës së tij të ngushtë, sic veproi me administratën publike. Strategjia e tij tinëzare që synon kapjen e plotë të drejtësisë në këtë mandat qeverisës ka për objektiv përdorimin e drejtësisë së kapur për gjueti shtrigash kundër të gjithë kundërshtarëve të tij, brenda maxhorancës, në opozitë apo kudo që të ndodheshin në funksion të fitimit të zgjedhjeve të ardhshme, mundësisht i vetëm, pa Metën. Pra për të realizuar të gjithë këto synime, Ramës do ti duhej të bindte ndërkombëtarët që të kishte mbështetjen e tyre duke i premtuar se do të ishte i gatshëm të bënte gjithçka do ti sugjerohej me kusht që ai vetë të mbetej i pandëshkuar?!.Ai mburret me pjesëtarët e klientelës së tij, që përmes disa “tezave”inteligjente ka mundur të ”bindë” partnerët kryesorë në Uashington e Bruksel, si dhe përfaqësuesit e tij në Tiranë për opsionet e tij të reformës në drejtësi.
Teza e parë e Ramës:
Në 2005-2013, Meta dhe Berisha kanë kapur së bashku sistemin e drejtësisë
Nga takimet me përfaqësuesit e partnerëve të vendit Rama dhe/ose individë të klientelës së tij të angazhuar me reformën janë përpjekur të“bindin” ata duke i dhënë “fakte e prova” se gjyqësori dhe prokuroria janë të kapura gjatë qeverisjeve të 2005-2009 dhe 2009-2013 nga Berisha dhe Meta. Ai qëllimisht nuk i ka informuar ata për disa të vërteta të pakundërshtueshme: i) gjatë periudhës2005-2013 është aplikuar parimi i “kontroll-balancës” mes presidentit dhe kuvendit; ii) në periudhën 2005-2007 President ka qenë Alfred Moisiu jo shumë dashamirës me maxhorancën e asaj kohe dhe opozitën aktuale; iii) në periudhën 2007-2012 President ka qenë Bamir Topi dhe Prokurore e Përgjithshme Ina Rama, të cilët kanë pasur marrëdhënie të tensionuara me maxhorancën e asaj kohe. Për rrjedhojë emërimet në prokurori e gjyqësor në periudhën 2005-2013 janë bërë në respekt të parimit të“kontrollit e balancës” mes presidentit dhe kuvendit dhe të marrëdhënieve të tyre konkrete, prandaj s’është aspak e vërtetë që maxhoranca e asaj kohe ka kryer kapjen e plotë politike të drejtësisë. Rama asnjëherë me partnerët s’i ka paraqitur qëllimisht këto specifika por për qëllimet e tij të kapjes së drejtësisë e ka paraqitur situatën ekstremisht të kapur nga Berisha e Meta; gjë që s’është absolutisht e vërtetë. Po ashtu Rama është përpjekur ta paraqesë situatën në drejtësi shumë më të zezë se ç’është në realitet me synimin e qartë për të realizuar spastrimin sa më të thellë të saj për qëllimet e tij personale. Po ashtu s’ka shpjeguar asnjëherë se i) balancimi politik është realizuar edhe nga fakti që në periudhën 1997-2005 ka qenë në pushtet e majta dhe madje në periudhën 1997-2002 President ka qenë R. Meidani dhe në 2002-2007 A. Moisiu.
Teza e dytë e Ramës:
Berisha dhe Meta kanë frikë nga reforma në drejtësi
Për të përforcuar tezën e parë, sigurisht në funksion jo vetëm të spastrimit të thellë të institucioneve të drejtësisë, por edhe të kapjes së drejtësisë në të ardhmen, Rama është përpjekur të “argumentojë” te partnerët se jo vetëm Berisha e Meta kanë kapur sistemin por ata do të bllokojnë reformën sepse kanë frikë nga ndëshkimi nëse reforma e drejtësisë do të gjenerojë institucione jashtë kontrollit të tyre. Madje duket se për Metën ka insistuar më shumë në këtë aspekt. Kjo e ka shtyrë Ramën t’ju kërkojë partnerëve mbështetje që ai të zotërojë plotësisht apo të ketë nën kontroll të plotë jo vetëm mekanizmin e “radiografisë” por edhe mekanizmin e emërimit të prokurorëve e të gjykatësve. Madje duke përjashtuar jo vetëm opozitën por edhe Metën nga ky kontroll. Këtë mesazh e ka dhënë të qartë kur miratoi ligjin për Byronë Kombëtare të Hetimit (FBI-shqiptare) të vendosur krejtësisht nën vartësinë e Ministrit të Brendshëm, të cilën e konsideroi Gjykata Kushtetuese si një ligj antikushtetues.
Teza e tretë e Ramës:
Përgjegjës për gjendjen “katastrofike” të drejtësisë është Presidenti aktual
Kjo është teza më e turpshme apo mashtrimi më i trashë në këto 25 vjet por që është pranuar qoftë nga deputetët shqiptarë qoftë nga ekspertët ndërkombëtarë qoftë nga ambasadorët e vendeve partnere. Rama përmes një trupe juristësh të lidhur ngushtësisht me të, para hartimit të reformës në drejtësi, ka hartuar një dokument “Analizë e Gjendjes Aktuale e sistemit të Drejtësisë”, që “politikisht” e ka paraqitur drejtuesi i socialistëve në komisionin “ad hoc” të reformës në drejtësi Fatmir Xhafaj. Përfundimi i kryesor i kësaj analize është se gjendja katastrofike në drejtësi në këto 25 vjet ka ardhur nga aplikimi i parimit të ‘kontrollit e balancës” ose thënë më ndryshe për shkak të rolit propozues të Presidentit dhe roli vendimmarrës të Kuvendit. Ky komision përmes kësaj analize ka vendosur të përjashtojë në të ardhmen Presidentit nga të gjithë emërimet në institucionet e drejtësisë, por në fakt ka “vrarë” parimin më të rëndësishëm të demokracisë, parimin e “kontrollit e balancës”. Përmes kësaj analize gjëmëzezë Rama ka arritur të bindë partnerët për përjashtimin e Presidentit nga emërimet në drejtësi, duke nxirë rolin e presidentit aktual si një “ushtar i Berishës” por duke mos thënë asnjë fjalë për rolin e tri presidentëve të mëparshëm, B. Topit, A. Moisiut e R. Meidanit, të cilët s’do të hezitonte ti nxinte tërësisht nëse “argumentet” për përjashtimin e Presidentit Nishani nga emërimet në drejtësi s’do ti kishin mjaftuar.
Teza e katërt e Ramës:
Basha është ndryshe nga Berisha dhe Meta
Për shkak të marrëdhënieve komplekse me Metën, i cili kontrollon edhe qeverisjen edhe maxhorancën e cilësuar me 3/5 e votave, Rama nga frika se Meta do të kuptonte lëvizjet dhe synimet e tij për kapjen e plotë të drejtësisë, madje edhe sikur të tentonte ta kënaqte atë me një “kockë”, ka hedhur në takimet me partnerët edhe tezën diversisoniste të një “maxhorance të madhe”, PD-PS për miratimin e reformës duke nxjerrë jashtë loje Metën. Por për tja arritur qëllimit në këtë opsion i është dashur krahas nxirrjes së Berishës dhe Metës në sytë e partnerëve të paraqesë të “pranueshëm” Bashën. Dhe për tja arritur qëllimit ka “argumentuar” se i) mund të merret vesh me Bashën meqë ai s’ka gisht dhe as interesa në kontrollin e gjyqësorit në të shkuarën, ii) s’ka asnjë frikë nga ndëshkimi në të ardhmen dhe iii) ndryshe nga Berisha e Meta s’ka interesa për institucionet e drejtësisë prandaj mund të dialogohet e të arrihet konsensusi me të, dhe vetëm me të. Por për të arritur këtë ai i) ka kërkuar rolin e partnerëve që të ndihmohet Basha për të nxjerrë jashtë loje Berishën apo që Basha të shkëputet nga Berisha ndërkohë që ii) është angazhuar personalisht për të “eliminuar” Metën me synimin për të garantuar maxhorancën kushtetuese prej 94 votash me deputetët e tij e të Bashës.
“Mbështetja” për spastrimin e thellë të drejtësisë dhe kapjen e sistemit…?!
Në një paraqitje publike, s’më takon të flas sa efikas ka qenë Rama në “bindjen” e partnerëve përmes tezave të tij mashtruese, makiavelike dhe diversioniste sepse së pari kjo është një lojë e shëmtuar e Ramës dhe se dyti unë besoj se partnerët për shkak të eksperiencës së tyre dhe dinjitetit të vendeve që përfaqësojnë kanë qenë në gjendje të lexojnë realisht se çfarë fshihet pas këtyre tezave. Natyrisht nga kjo analizë publike do të përjashtoja gjithashtu çdo dyshim që ngrihet për komprometimin e përfaqësuese ndërkombëtarë që në komunikime konfidenciale jo rrallë thirren për të shpjeguar cuditë dhe paradokset që shoqërojnë këtë proces. Unë shikoj se Rama këto ditë është me afër minimit të reformës, opsion të cilin e ka preferuar gjithnjë dhe po tentoj ta arrijë këtë objektiv duke qenë qëndruar me kokëfortësi në opsionin e votimit me 3/5 apo 2/3 të komisioneve të vetingut duke qenë i bindur se kjo është rruga e hedhjes në erë të reformës dhe njëkohësisht e faturimit të përgjegjësisë te opozita dhe Meta, ndonëse me Metën po përpiqet te tregohet i kujdesshëm për shkak se ai kontrollon fatin e qeverisë së tij. Për ta mbyllur këtë analizë gjykoj se shqiptarët e ndërkombëtarët e kanë të qartë se çfarë po ndodh dhe ç’mund të ndodhë me këtë reformë dhe cila është loja e Ramës, mjafton ti referohen pasurisë së tij 200 milion euro të fshehur në një llogari “off shore” të evidentuar në një raport të brendshëm të OSBER që herët a vonë do të bëhet udhërrëfyesi i drejtësisë së reformuar nën monitorimin e partnerëve.