A ju kujtohet taksa progresive?
FMN konfirmon atë që ekonomistët vendas e kishin thënë për një kohë të gjatë: rritja e taksave nuk çon detyrimisht në rritje të të ardhurave buxhetore, parashikimet e rritjes ekonomike kanë qënë të gabuara dhe optimiste si dhe abuzimi me akcizën është shpjeguesi kryesor për performancën e dobët në të ardhurat e vitit 2015.
Së pari, qëllimi i mirë në rishpërdarje të pasurisë dhe në ulje të varfërisë në vend nuk do të thotë që qeveria duhej të impononte taksën progresive në ekonominë vendase. E paralajmëruar dhe më parë nga profesorët me influencë në Amerikë, Alberto Alesina dhe Dani Rodrik në artikullin “Politikat e Rishpërndarjes dhe Rritja Ekonomike” se taksat progresive i shërbejnë politikisht qeverisë në rishpërndarje dhe jo produktivitet. E parë vetëm në vlerën e hyrjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit shihet qartë që FMN shprehet se kjo politikë ka dështuar. Ajo shkruan ndër të tjera se: “efikasiteti i tatimit mbi të ardhurat i bazuar në një nivel më të lartë se mesatarja e rajonit po tregon se sistemi progresiv është më pak i efektshëm se sa regjimi i taksës së sheshtë”. Nuk e di nëse qeveria do të pranojë dështimin apo do të këmbëngulë se drejtësia sociale ka më shumë rëndësi. Por kur në buxhet ke më pak të ardhura nga ky zë, pra tatimi mbi të ardhurat personale, atëherë ka dhe më pak para për t’u shpërndarë të varfërve. Për më tepër në vitin 2015 për shembull 22 mijë persona humbën të drejtën e përfitimit të ndihmës ekonomike sipas reformës së bërë. Pra si në rishpërndarje ashtu dhe në arkëtim të ardhurash taksa progresive ka dështuar.
Së dyti, për gjatë tre viteve të fundit qeveria ka bërë në mënyrë konstante parashikim të gabuar të rritjes ekonomike në vend. Ka qënë gati naive parashikimi se “fushta” anti-informalitet do të sillte rritje të të ardhurave në buxhet dhe rritje ekonomike sipas qeverisë. E vetmja pasojë e politikave të majta ka qënë rënia e konsumit në vend për herë të parë gjatë vitit 2015. Po ashtu pagat kanë mbetur në vend sikundër dhe pensionet. Sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare në sektorin publik ishte 54,270 lekë në fund të vitit 2015 ose 3.1% më e lartë sesa dy vite më parë. Duke pasur parasysh inflacionin, paga reale është më e ulët sesa ishte në vitin 2013, ndërkohë që paga minimale nuk ka ndryshuar. Këta dy faktorë kanë bërë që fuqia blerëse e qytetarëve të ngrijë, duke ulur nivelin e konsumit në vend. Ndaj dhe parashikimet për rritjen ekonomike kanë qënë të gabuara duke qënë se nuk kanë marrë parasysh efektet negative të këtyre masave në ekonomi. Ajo që e bën akoma dhe më dëshpëruese situatën është lajmi që qeveria dhe FMN do të sjellin ekspertë se si qeveria duhet të përmirësojë komunikimin me biznesin në vend. Kjo është vonë pasi mungesa e profesionalizmit në politika ekonomike tashmë dëmet i ka bërë dhe janë të pariparueshme deri në fund të kësaj dekade.
Së treti, kur ishin në opozitë por dhe në muajt e parë të qeverisjes premtohej se qeveria do të realizonte shumë prej projekteve të saj dhe do të shlyente borxhin duke përmirësuar administrimin dhe mbledhjen e taksave në vend. Mirëadministrimi i tatimeve dhe doganave do të sjellë rritje të të ardhurave deri në 1% të PBB-së parashikonte programi qeverisës Rilindas. Por mungesa në të ardhura gjatë vitit 2015 ka qënë shumë e lartë sa FMN shkruan se të ardhurat e qeverisë kanë qenë 2,5 për qind të PBB-së më pak se parashikimet e qeverisë duke shtuar se gabimi në parashikim në vitin 2015 ka qenë shumë i lartë. Por ndryshe nga pretendimet e Ministrit Ahmetaj se të ardhurat kanë rënë për shkak të rënies së çmimit të naftës në tregje ndërkombëtare FMN shkruan se shkak kryesor mbetet rritja e vëllimeve të padeklaruara të cigareve dhe mallrave të tjera të akcizës.
Qeverisja e majtë duhet analizuar vetëm për bilancin e politikave ekonomike të implementuara në fillim të mandatit të saj dhe për atë se çfarë i mori votat e qytetarëve. Në një këndvështrim të ftohtë Rilindja shpërqëndroi debatin me aksionet gjashtë mujore në vend. E filloi me lojërat e fatit ku përdori policinë, e vazhdoi me ndërtimet pa leje, ku përdori policinë, e ndërpreu për t’u marrë me energjinë elektrike, me anë të policisë, e më pas në fund të vitit 2015 kërkoi të formalizojë ekonominë… me anë të policisë dhe 500 tatimorëve part-time. Këto në fakt ishin vetëm përpjekje ad-hoc të një qeverisje pa program ekonomik dhe që në mes të mandatit filloi të ndjente mungesën e parave në buxhetin e shtetit. Mos harrojmë që në tre vite kjo qeveri ka ndërruar tre herë drejtuesit e doganave, nuk ka rinovuar kontratën me Crown Agents dhe ka sakrifikuar një Ministër Financash. Ky është një bilanc jo i mirë për një “skuadër” që pretendonte se në tetë vite opozitë do të dinte se si ta “Rilindte” ekonominë. Në mbyllje nëse për shifra FMN vlerëson qeverinë në parashikimet e të ardhurave si “jashtëzakonisht jorealiste” atëherë na duhet vetëm të mendojmë se çfarë mund të jetë duke ndodhur me shpenzimet e qeverisë dhe si i sheh ajo arritjet e saj.