Andi Bushati: Lidheni Ramën, këtë narciz të sëmurë
A nuk do të qe për të shkulur flokët që ky njeri që është votuar për të luftuar krimin, për të reduktuar varfërinë, për të bërë drejtësi, për të sjellë investime të huaja dhe për të prodhuar rritje ekonomike, ta shpenzojë kohën duke vizatuar ndryshimet mbi kryeministri, duke caktuar se ku vendoset kërpudha, markiza, reja, se ku duhet ngritur bunkeri, tani të na shitej edhe si stilisti i bluzës së kombëtares?
Të gjithë ata që kanë përqeshtur, ironizuar dhe tallur Sali Berishën që përveçse kryeministër donte ti shfaqej shqiptarëve si rekordmen noti, alpinist lartësish, apo thjeshtë si një djalosh i paplakshëm, tani kanë një motiv më shumë për të vënë duart në kokë. Përsëri kanë një delirant mbi krye.
Sigurisht të një lloji tjetër, por më narciz dhe më të sëmurë.
Dje Edi Rama me anë të këshilltarëve të tij, arriti të infiltrojë një lajm në Top Channel sikur ishte ai që e kishte dizenjuar fanelën e personalizuar të kombëtares së futbollit, me shqiponjën mbi gjoks. Gjatë tërë ditës, dje dhe sot, këshilltarët e tij për media kanë lobuar për botimin e këtij lajmi në portale (shiko poshtë lajme Lapsi.al).
Por, ndoshta i pakënaqur, me efektin mediatik, Rama ka vendosur të dalë vetë me zë dhe me figurë, për të shpallur se është ai piktori i bluzës së suksesit (shiko poshtë lajme Lapsi.al).
Natyrisht, ka shumë pak gjasa që kjo histori të jetë e vërtetë.
Një investigim i shpejtë dje dhe sot, i Lapsi.al, pranë personave me influencë në federatën e futbollit e hedh poshtë këtë fabul.
Burimet tona thonë se studioja dizenjatore i ka paraqitur tre variante kompanisë sportive Macron dhe anëtarët e komitetit të FShF-së kanë vendosur, për variantin më të mirë, atë që futbollistët e kuq mbajnë të veshur në Euro 2016. Pra gjithçka është bërë sipas rregullave, me garë dhe me vendim kolegjial të të gjithëve. Dy modelet e tjera të propozuara, as nuk e kishin të përfshirë shqiponjën e stilizuar, të cilën sipas kryeministrit tonë e ka vendosur ai.
Natyrisht këtu nuk përjashtohet fakti që presidenti Duka, ashtu sikurse ka konsultuar, njerëz të njohur, gazetarë, personalitete nga biznesi dhe sporti, ti’a ketë treguar modelet edhe kryeministrit.
Por konsultimin nga dizenjimi e ndan një hendek i madh.
Por le të marrim të kundërtën.
Le të imagjinojmë për një moment sikur kjo fabul e gatuar në zyrat e kryeministrisë të qe e vërtetë.
A do të qe normale?
A nuk do të qe për të shkulur flokët që ky njeri që është votuar për të luftuar krimin, për të reduktuar varfërinë, për të bërë drejtësi, për të sjellë investime të huaja dhe për të prodhuar rritje ekonomike, ta shpenzojë kohën duke vizatuar ndryshimet mbi kryeministri, duke caktuar se ku vendoset kërpudha, markiza, reja, se ku duhet ngritur bunkeri, tani të na shitej edhe si stilisti i bluzës së kombëtares?
Po ka edhe më?
Edhe nëse do ta kishte bërë këtë, a nuk përbën publikimi i këtij fakti, një vanitet të pamatë, një narcizizëm ekstrem, një mani protagonizmi të denjë për psikologë?
Ky është vërtet një rast që duhet studiuar. Pasi ai nuk ngërthen vetëm sëmundjen e pashërueshme të Ramës për të qenë në qendër të vëmendjes.
Në këtë rast, kjo patologji është e ndërthurur fort me një kalkulim të menduar politik.
Sepse ky piktor që i është kthyer artit pas të 50-ave, duke hapur ekspozita vetëm pasi u bë kryeministër, po e përdor delirin e tij për të krijuar një alter ego të reme.
Ai po kërkon t’i imponojë shqipëtarëve dhe të huajve profilin e arrtistit, njeriut që e mbushi kryeqytetin me vepra të autorëve modernë kontemporanë, njeriun që madje i vuri aftësitë e tij krijuese edhe në shërbim të suksesit më të madh të shqiptarëve këto kohë: arritjeve të kombëtares së futbollit.
Këtë profil të sëmurë, delirant e prandaj dhe të remë ai po kërkon ta mbivendosë mbi portretin e tij të vërtetë, atë të njeriut të lidhur me kriminelët që futi në politikë, atë të xhepistit që prodhon tendera pa garë, atë të shtetarit që shpërndan koncesione për miqtë dhe klientët, atë të kryeministrit që do të mbahet mend jo për punët por vetëm për fjalimet që mbajti këto katër vite.
Pikërisht për këtë i duhej edhe fabula e shpikur e stilistit të fanelës së kombëtares. Një fabul që na tregon se sa larg ka shkuar deliri i tij. Një fabul që na bën të qajmë dhe të qeshim, kur kujtojmë se Rilindja na shërbeu vetëm për të ndryshuar një plak që pasi vriste shkonte të notonte, me një narciz që pasi vjedh shkon të vizatojë.