Brandan Cox: Vrasja e Jo Cox, ishte veprim terrorist
Vrasja e deputetes britanike, Jo Cox e cila u sulmua javën e kaluar në rrugë me armë zjarri dhe me thikë, ka qenë vepër e terrorit, vlerëson bashkëshorti i saj, raporton Reuters.
Cox, e cila ishte përkrahëse e fushatës për mbetjen e Britanisë në BE dhe kërkonte që vendi i saj të bëjë më shumë për refugjatët, është vrarë në zonën e saj zgjedhore në veri të Anglisë.
Autori i dyshuar i vrasjes thuhet se gjatë sulmit ka thirrur, “Britania mbi të gjitha”.
“Vrasja e Jo ka qenë politike. Ka qenë një vepër e terrorit e përgatitur që të avancojë agjendën e urrejtjes ndaj të tjerëve”, ka thënë Brendan Cox gjatë një ceremonie që u mbajt në Sheshin Trafalgar të Londres.
Ceremonia në Londër u mbajt për të kujtuar deputeten e vrarë në ditën kur ajo do të mund të festonte ditëlindjen e 42-të.