Albspirit

Media/News/Publishing

Brexit: Parullat nuk janë plan

Ishte debati i fundit publik televiziv para referendumit: sërish mbështetësit e “largimit” dhe të “qendrimit” në BE kishin mundësi të luftonin me njëri-tjetrin. Shumë të reja dueli nuk solli. Barbara Wesel ndoqi debatin.

Großbritannien Brexit BBC Debatte

Moderatori

BBC e nxjerr para kamerave moderatorin e saj veteran David Dimbledy para së gjithash në rastet e martesave mbretërore, të jubileve të fronit dhe në raste varrimesh shtetërore. Prandaj me sa duket atij iu dha mundësia të drejtonte edhe një diskutim, që mund të përfundojë ndoshta në varrimin e idesë evopiane. Por Dimbledy është kaq i qetë, sa mund të shoqëronte në ekran edhe përmbysjen e botës. Megjithëse në këtë debat të Brexit u fol aq ashpër sa nuk kishte ku të shkonte më. “Shpresoj se i sqaruam disa çështje”, tha Dimledy në fund. Kjo në një kohë kur gënjeshtrat, gjysmë të vërtetat, sloganet dhe propaganda e kulluar vetëm sa kontribuan në shtimin e “mjegullës së luftës”.

Boris është Brexit

Para disa ditësh, në një gazetë britanike u spekulua nëse Boris Johnson i lyen në fakt flokët. Veç ngjyrës bjond në të bardhë të flokëve të tij, që të bie në sy, ai është shitësi më i mirë i mesazhit të Brexit. Borisi mund të flasë me kaq entuziazëm për të ardhmen e madhe të britanikëve jashtë BE, sa të duket sikur ai e beson vërtet atë. Kjo në një kohë kur synimi i tij është vetëm të rrëzojë David Cameronin dhe të bëhet vetë kryeministër.

“Mos ia ulni rëndësinë vendit tonë”, kërkon ai me këmbëngulje nga mbështetësit e qendrimit në BE, kur ata paralajmërojnë për pasojat ekonomike. E ardhmja e Britanisë së Madhe, kur të jetë e vetme dhe e lirë, do të jetë madhështore. Para syrit të mendjes të shfaqen lëndina të gjelbra dhe maja me dritë. Zgjedhësve nuk duhet t’u merret mendja nga fushata e frikës e qeverisë. Ekonomia britanike do të ketë suksese gjigande në Kinë dhe në Indi, kur të shpëtojnë më në fund nga vargonjtë e Evropës. Dhe kjo e enjte mund të kthehet në “ditën e pavarësisë të vendit tonë”. Regjia e emisionit këtu për fat të keq harroi të vinte të dëgjohej himni kombëtar.

Großbritannien Brexit Debatte Boris Johnson und Sadiq KhanDebati mes Boris Johnson dhe Sadiq Khan

Kundërshtarët

Sadiq Khan është kryetari i ri i bashkisë së Londrës dhe një talent politik. “Kur je vetëm 1,65 m i gjatë është e vështirë të flasësh për madhësi”, por madhësia luan një rol në BE si bllok tregtar, tha ai. Ironia me veten ecën gjithmonë mirë tek britanikët. Khan është i shkathët për të kthyer përgjigje, vepron me mesazhe të thjeshta dhe emocionale dhe i bie në kokë problemit: “Kush është këtu ai që përhap frikë? Ata që thonë se Turqia do të hyjë së shpejti në BE!”, gjë që është një gënjeshtër, thotë Khan. Dhe politikani laburist kalon në sulm: “Si mund të pohoni që tregtia pas daljes nga BE do të bëhet më e lehtë se më parë? Brexit është një kërcim në errësirë!”

Krahas kryetarit të bashkisë së Londrës lufton ylli i ri i konservatorëve skocezë. Ruth Davidson është kaq e prerë dhe e vendosur, sa po të ndodheshe në ndonjë rrahje në kafene, me shumë dëshirë do të dëshiroje ta kishe në krah. Me energji u bie kokës ajo me argumentat e saj mbështetësve të Brexit: të gjithë ekonomistët paralajmërojnë që në rast të daljes nga BE në Britaninë e Madhe do të ketë recesion. Por këtë, Boris dhe të tjerët e kundërshtojnë me fjalët: Sloganet nuk janë plane. Në gjysmën e debatit, mbështetësit e Brexit kanë kërkuar 17 herë që Mbretëria “të rimarrë më në fund kontrollin në dorë!” Në këtë rast vetëm mund të thuash: epo kontroll të mbarë.

Please follow and like us: