Dilema britanike, brenda apo jashtë BE?
Votuesit britanikë do të vendosin të enjten, më 23 qershor, nëse do qëndrojnë në BE, apo do të dalin prej saj. Referendumi që ka shpallur kryeministri britanik David Cameron do të mund të jetë me pasoja jo vetëm për Britaninë e Madhe, por edhe për BE-në, nëse qytetarët britanikë vendosin të dalin, opcion që është quajtur ‘Brexit’ për shkurt. Klasa politike, media dhe qytetarët janë të polarizuar në dy kampe (‘Remain’, me mbetë, dhe ‘Leave’, me dalë) si asnjëherë më parë.
E vërteta është që britanikët kanë qenë përherë ambivalentë rreth Evropës kontinentale e politike. Britanikët kanë refuzuar të lënë funtën e vet për euron si pjesë të unionit monetar evropian, sikurse që kanë refuzuar dhe as që e u shkon ndërmend të bëhen pjesë e zonës Schengen.
Kryeministri britanik dhe lideri konservator David Cameron kishte bërë premtimin për organizimin e një referendumi popullor për qëndrim apo dalje nga BE-ja kur i duhej të paqësonte një pjesë të konsiderueshme të euroskeptikëve në partinë e vet.
Mirëpo, në kampin ‘Leave’ ka edhe personalitete politike të Partisë Laburiste dhe të tjerë, ndërsa më entuziastët janë anëtarët e partisë pavarësiste të ekstremit të djathtë, që udhëheq Nigel Farage, e cila doli e fuqishme në votë popullore, nëse jo me mandate deputetësh, në zgjedhjet nacionale të vitit të kaluar. Prijësi kryesor i kampit ‘Leave’ nga Partia Konservatore është Boris Johnson, kryebashkiak i Londrës deri para një muaji, rival i David Cameron-it për udhëheqje të Partisë dhe pretendent për t’u bërë kryeministër i vendit në të ardhmen.
Edhe figura të tjera qeveritare janë rreshtuar te kampi ‘Leave’, duke përfshirë Michael Gove-in, që bëri gafa para disa muajsh, kur përmendi Shqipërinë si vend që gëzon lloj marrëdhënieje me BE-në që do ta dëshironte Britania e dalë jashtë unionit politik e deridikund financiar që është BE-ja e sotme.
Për një kohë të gjatë ishte menduar se referendumi do të vërtetonte vullnetin e shumciës britanike për qëndrim në BE. Kjo ndërroi në muajt e kaluar, sidomos qëkur fushata për referendumin nisi zyrtarisht.
Tash, dy ditë para referendumit, askush s’mund të thotë se cili do të jetë verdikti qytetar. Ditët e fundit është dukur sikur të dyja kampet kanë përafërsisht të njëjtën përkrahje. Vendimtarë me gjasë do të jenë të padeklaruarit, të cilët, megjithatë, besohet se do të votojnë për status quo-në, që i bie me mbetë në BE.
Kryeministri David Cameron iu drejtua sot kombit prej selisë së Kryeministrisë, këtu në Londër, duke bërë thirrjen e fundit që të votohet për qëndrim në BE. Sot ai iu drejtua sidomos njerëzve në moshë, sepse sondazhet thonë se njerëzit më të vjetër se 45 vjeç favorizojnë daljen, ndërsa të rinjtë, ndonëse për mbetje, ka gjasa të dalin më pak në votime.
Cameron-i ka udhëhequr një fushatë aktive ‘pro’, sidomos mbas ngjalljes së kampit ‘kundër’, dhe mbas kritikave të pro-evropianëve në Britani se fushata e tij ka qenë e zbehtë në fillim.
Argumentet për ekonominë, imigracionin, dhe ekonominë kombëtare kanë qenë kryesoret në debatin e ashpër para referendumit. Të dyja palët i kanë përdorur për hesap të vetin. Mbetet të shihet se cila me më shumë sukses.
Parashikimet janë se, në qoftë se ndodh Brexit-i, funta (sterlina) britanike do të pësojë rënie, që do të dobësonte fuqinë blerëse të qytetarëve të zakonshëm.
Dalja eventuale e Britanisë nga BE-ja do të thoshte një përkrahës i fuqishëm më pak për Kosovën dhe Shqipërinë në aspiratat e vendeve tona për aderim në BE. Kjo është e sigurtë!
Jo krejt e sigurtë, por e mundshme është që dalja e Britanisë së Madhe të nisë shpërbërjen e BE-së.
Londër, 21 qershor 2016
(Muhamet Hamiti, profesor i letërsisë angleze në Universitetin e Prishtinës, ka qenë ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Britaninë e Madhe gjatë viteve 2009-2012.)