Albspirit

Media/News/Publishing

Filmi “Martesa” i regjisores Blerta Zeqiri përzgjidhet në Karlovy Vary

Still-Martesa111 Projekti i filmit të metrazhit të gjatë “Martesa” ka hyrë në mesin e filmave që janë pjesë e seksionit të këtij viti “Works in Progress” (filmat në përfundim e sipër) në festivalin e njohur ndërkombëtar të filmit në Karlovy Vary të Çekisë, duke konkurruar për 100.000 euro fonde shtesë për finalizimin e filmit.

Filmi “Martesa”, që flet për një trekëndësh dashurie pranë dhe gjatë një martese, është pranuar në seksionin e filmave në fazën përfundimtare (Works in Progress).

Nga 53 projekte sa kanë konkurruar për këtë seksion, filmi i parë i gjatë i regjisores Blerta Zeqiri, me aktorë kryesorë Alban Ukajn, Adriana Matoshin dhe Genc Salihun, ka hyrë në mesin e 9 projekteve ndërkombëtare që garojnë për çmimin e parë prej 100.000 euro ndihmë në finalizimin e filmit.

“Jemi shumë të lumtur që juria përzgjedhëse, pasi ka parë një pjesë të montuar të filmit, na ka përzgjedhur të jemi pjesë e këtyre 9 projekteve. Me këtë na jepet mundësia të vazhdojmë konkurrimin për çmimin kryesor, i cili do të na ndihmonte pa masë që në produktin përfundimtar zëri dhe pamja e filmit të jenë të një cilësie sa më të lartë,” thotë Keka Kreshnik Berisha, producent dhe bashkëskenarist i filmit.

Sipas tij, në fillim të korrikut do të udhëtojmë në Çeki për ta bërë një prezantim të shkurtër me sekuenca të zgjedhura të filmit tonë para publikut dhe jurisë profesioniste, që do të vendosë për ndihmën financiare.

Ndërsa regjisorja Zeqiri beson se gara do të jetë tejet e vështirë, pasi në mesin e garuesve në këtë seksion ka regjisorë të jashtëzakonshëm të filmit të pavarur, që kanë fituar shumë shpërblime në festivalet më të mëdha ndërkombëtare me filmat e tyre të mëparshëm të gjatë.

Projekti i metrazhit të gjatë ‘Martesa’ është produksion i ‘Beze’ me producent Keka Kreshnik Berisha dhe ‘Bunker Film+’ me bashkëproducent Eno Milkani dhe është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë.

Përveç këtij projekti, në Karlovy Vary do të jepet premiera ndërkombëtare e filmit ‘Home Sweet Home’ me skenar nga Zymber Kelmendi dhe regji nga Faton Bajraktari.

Please follow and like us: