Greqi, porti i Pireut i kalon kinezëve të “COSCO”
Autoriteti i Konkurrencës në Greqi ka aprovuar shitjen e pjesës dërrmuese të aksioneve të portit të Pireut kompanisë kineze “COSCO”.
Pas një mbledhjeje të zhvilluar këtë të mërkurë, Autoriteti ka deklaruar se aprovimi i shitjes së aksioneve është në linjë me ligjet greke të konkurrencës, raporton agjencia e lajmeve helene “AMNA”.
Hapi i ardhshëm dhe i fundit për kalimin e kontrollit të portit të Pireut është miratimi në Parlament, veprim që sipas burimit mediatik do të realizohet këtë të premte.
Pasi Parlamenti të japë dritën jeshile, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar në prill, “COSCO” do t’i paguajë shtetit grek 280.5 milionë euro për 51 për qind të aksioneve dhe për menaxhimin e portit.
Kjo do të pasohet nga një investim prej 300 milionë eurosh në infrastrukturën e kompleksit detar për 5 vitet e ardhshme, si dhe me pagesën nga grupi kinez të 88 milionë eurove për një shtesë prej 16 për qind të aksioneve gjatë kësaj periudhe.
“COSCO” u shpall në shkurt si investitori i preferuar për kontrollin e portit, pasi fitoi një tender ndërkombëtar.