Greqia, pengesa më e madhe në të ardhmen e Maqedonisë
Për shkak të kontestit të emrit Greqia vazhdon të mbetet pengesa më e madhe për të ardhmen e Maqedonisë, është përfundimi që ka dalë nga një anketë e përbashkët e Institutit për Hulumtime Politike dhe Fondacionit Aleanca e Qytetërimeve.
Në një organizim të Institutit për Hulumtime Politike të Universitetit “Columbia” nga Nju-Jorku dhe Fondacionit Aleanca e Qytetërimeve, në Shkup u prezantua anketa për perceptimet e qytetarëve të Maqedonisë në kontestin për emrin dhe marrëdhëniet me fqinjët, si dhe të e-librit “Korridori human ballkanik”.
Anketa është bërë në fillim të muajit mars të këtij viti në nivel kombëtar. Në të janë të anketuar 1.101 persona të rritur nga të gjitha rajonet statistikore. Qëllimi i hulumtimit është që të maten perceptimet e qytetarëve në Maqedoni dhe Greqi.
Sipas anketës Greqia vazhdon të mbetet pengesa më e madhe për të ardhmen e Maqedonisë, për shkak të kontestit të emrit, por të anketuarit në pyetjen nëse do të pranonin qytetarët e Maqedonisë ndryshimin e emrit kushtetues për t’u anëtarësuar në NATO, 64.8 për qind prej tyre janë përgjigjur jo, ndërsa 28.3 për qind “Po”.
“Ndoshta ne kemi çështje të pazgjidhura edhe me vendet tjera fqinje, por këto janë në një nivel shumë më të ulët në krahasim me Greqinë. Kontesti me Greqinë drejtpërdrejt pengon anëtarësimin në NATO dhe fillimin e integrimeve evropiane”, tha Vlladimir Bozhinovski nga Instituti për Hulumtime Politike.
Drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave në Universitetin “Columbia”, David Phillips, tha se Greqia dhe Maqedonia në të kaluarën kanë treguar se deri diku janë të interesuar të bashkëpunojnë mbi të gjitha në interes kombëtar. Ai theksoi se kur qeveritë nuk janë në gjendje apo të gatshme për të përparuar, atëherë përgjegjësitë u mbeten individëve dhe shoqërive civile të identifikojnë fushat e përbashkëta të interesit dhe veprimit.
“Çështja e emrit është një problem i thellë dhe i vështirë. Qeveria aktuale greke nuk ka të caktuar një datë për të negociuar mbi këtë çështje. Mirëpo, e rëndësishme është që shoqëritë e dy vendeve të bashkëveprojnë, të kuptojnë perspektivën e njëri-tjetrit dhe të zhvillojnë një rrjet komunikimi”, u shpreh Phillips.