Inspektoriati Shtetëror i Arsimit, kontroll vetëm në 6 kopështe në 2016
Një kopësht fëmijësh i paregjistruar dhe jashtë çdo parametri ligjor funksiononte për mrekulli në mes të Saukut dhe asnjë institucionin nuk kishte lëvizur as gishtin për të parë nëse plotësonte kriteret për të qenë kopësht fëmijësh. Biznesi informal ku dhunoheshin fëmijët nuk u ra në sy as tatimorëve, as policëve bashkiakë dhe as inspektorëve arsimorë që paguhen për të kryer kontrolle.
Një dokument i siguruar nga “Gazeta Shqiptare” vërteton se Inspektoriati Shtetëror i Arsimit, për vitin 2016 ka planifikuar inspektime të plota vetëm në 6 kopështe. Kontrollet do të kryheshin në përiudhat janar – prill dhe tetor – dhjetor. Për inspektimet tematike dhe ato të orientuara nuk është parashikuar asnjë lloj kontrolli në kopështe. Dokumenti flet vetëm për 3 inspektime të kryera në kopështe deri në muajin korrik.
Pas skandalit në kopshtin “Diren” ku një fëmijë 3 vjeçar u dhunua në mënyrë çnjerëzore nga administratorja Anjeza Shabani. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla tha se do të nisë një inspektim i fuqishëm kombëtar nëpër institucionet parashkollore private. Por dokumenti i Inspektoriatit Shtetëror të Arsimit është dëshmi e forte se të paktën në 3 vitet e fundit, Ministria e Arsimit as që i ka patur prioritet kontrollet në këto institucione arsimore.