Irlanda, Irlanda e Veriut dhe Brexit
Nëse britanikët do të largohen nga BE kjo ndoshta do të kishte pasoja edhe për paqen në Irlandën e Veriut. Sondazhet thonë: shumica e irlandezoveriorëve duan të qendrojnë në BE.
Një ekspozitë në Belfast kujton aktualisht një vit në histori, në të cilin irlandezët përjetuan gjëra shumë të ndryshme: në vitin 1916 kryengritësit nisën në Dublin kryengritjen e Lindjes kundër britanikëve, të cilën ata e shtypën në mënyrë brutale. Njëkohësisht luftuan dhe vdiqën mijëra vetë nga Irlanda e Veriut si ushtarë të trupave britanike në Luftën e Parë Botërore.
Qindra vjet më vonë Irlanda është një shtet paqësor. Por politika vazhdon t’i ndajë njerëzit, veçanërisht në Veri të ishullit.
BE na ka gozhduar
Në Woodvale Road, lagje e banuar kryesisht nga protestantët në Belfastin Perëndimor, ndodhet dyqani i mishit i Sammyt. Pronari Nathan Mooney ka vendosur si do të votojë në 23 qershor. “Unë jam për të dalë nga BE. Gjithë kjo burokraci, që na gozhdon – thjesht është shumë.” Veç kësaj Britania e Madhe i përcjell shumë para Bashkimit Evropian, është i bindur kasapi. Mbështetësit e Brexit thonë se shuma që i përcillet nga Britania e Madhe BE është 443 milionë euro në javë. Ndërsa kundërshtarët e Brexit deklarojnë përkundrazi se Britania e Madhe përcjell më e shumta gjysmën e kësaj shume.
Sot në Belfast vërtet që është më qetë se sa gjatë tri dekadave me kryengritje kundër pushtimit britanik, e cila u kushtoi jetën mbi 3000 vetëve. Por gardhi i lartë prej pesë metrash midis lagjeve protestante-unioniste dhe katolike-nacionaliste në Belfastin Perëndimor është ende aty.
“Kufiri do të mbyllej”
“Unë nuk do të shkoj të votoj. Por po ta bëja, unë do të votoja për qendrimin e Britanisë së Madhe në BE. Kjo do të ishte e mirë për biznesin”, thotë Sean Morgan. Ai qendron i rrethuar me triko të verdha, kopje armësh historike dhe një kopje të shpalljes së Irlandës së Veriut në dyqanin e tij “Fenians”. Fenianët ishin në në shekullin e 19-të republikanë irlandezë, të cilët u angazhuan për Irlandën e bashkuar. Sean Morgan druhet se në rast të një Brexit mund të krijohet një kufi i ri midis Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës. Ky kufi deri tani ka qenë i hapur, meqenëse një marrëveshje e rregullonte kalimin madje edhe në kohën e konfliktit të Irlandës së Veriut.
Dhe me të vërtetë, në një raport të publikuar nga deputetët e Komisionit të Irlandës së Veriut thuhet se në rast të një Brexit, kalimit të papenguar i vihet pikëpyetje.
Edhe kryeministri irlandez Enda Kenny foli së fundi që mund të futen sërish kontrollet në kufi, nëse Britania e Madhe e braktis BE. Ish-kryeministrat britanikë, John Major dhe Tony Blair paralajmëruan se një Brexit mund ta minojë procesin e paqes të Irlandës së Veriut dhe mund të rihapë diskutimin për Irlandën e bashkuar.
Njësoj mendon edhe Duncan Morrow nga Universiteti i Ulsterit. Një Brexit mund ta bëjë të lëkundet procesin e paqes, thotë ai. “Irlanda e Veriut mbahet nga një fill i mëndafshtë. Ky rrjet tani mund të marrë të çara.”
Fakte dhe fiksione
Irlanda e Veriut konsiderohet në politikën britanike si një njollë shumë e veçantë, me tema krejt të vetat dhe me struktura të vetat partiake. Por kur bëhet fjalë për Brexit, irlandezoveriorët dallohen pak nga anglezët. Aktivistët e të dyja drejtimeve shqiptojnë shifra, supozime dhe herë pas here fyerje. Dhe të dy i lënë zgjedhësit vetëm, që të ndajnë faktet nga fiksioni.